Shtimi në peshë është një ndër problemet e shpeshta që po na dhuron jetesa moderne, ku mbizotërojnë dozat e ushqimeve të larmishme, (me dhe pa vlera ushqimore), ndërkohë që aktiviteti fizik po shkon drejt reduktimit dhe stresi është gjithashtu në rritje. Jo vetëm një problem estetik, por edhe një kërcënues serioz i shëndetit. Mbipesha sot po shndërrohet në një problem madhor për shkak të dëmeve të mëdha që shkakton në organizëm. Por, ajo që cilësohet si më shqetësues është edhe fakti i dëshirave dhe manive të gabuara të humbjes së shpejtë të peshës nëpërmjet dietave jo të duhura, që mund të shndërrohen edhe më të rrezikshme se sa vetë problemi fillestar. Ushqimi sipas grupit të gjakut konsiderohet si një nga format më të mira të humbjes së shëndetshme të peshës. duke i dhuruar edhe më shumë gjallëri dhe shëndet organizmit. Ne librin e tij, të ushqehemi sipas grupeve të gjakut, Peter Dadamo një autoritet i padiskutueshëm shkencor në fushën e studimeve mbi lidhjen e grupeve të gjakut, me tipin e ushqimit, sqaron se: ”Njohja e grupit të gjakut tuaj do t’ju ndihmojë të gjeni dietën e përshtatshme që i përket profilit tuaj biologjik. Të armatosur me këtë dije të re, ju do të bëni tashmë zgjedhjet tuaja për dietën, programin e gjimnastikës, dhe shëndetin tuaj të cilat mbështeten në fuqitë tuaja fizike që ndodhen brenda jush. Nëse ju ndiqni me kujdes ushqimin që i përgjigjet grupit tuaj të gjakut ju mund të : “Të shmangni shumë infeksione dhe viruse të njohura dhe të zakonshme në jetën tuaj, të dobësoheni, përderisa trupi juaj do të çlirohet nga helmet dhe dhjamërat, të përballoni sëmundje që rrezikojnë seriozisht jetën tuaj si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut diabetit dhe hepatitit, si dhe të shmangni shumë faktorë që shkaktojnë degjenerimin e qelizave dhe kështu të rëndojnë procesin e plakjes së njeriut”. Sipas tij, dieta e grupit të gjakut është rindërtimi i ritmit tuaj biologjik natyror. Baza mbi të cilën mbështeten dietat e grupeve të gjakut janë hedhur para mijëra vjetësh. Dieta e çdo grupi gjaku përmban 16 grupe ushqimesh, të cilat i gjeni të listuara në vijim të shkrimit.
Çdo grup për nga vlerat ushqyese ndahet në
Shumë i dobishëm – Do të thotë se ushqimi shërben dhe si ilaç
Neutral- Do të thotë se shërben vetëm si ushqim
I dëmshëm– Në kategorinë i dëmshëm kemi ushqimet që veprojnë si helme
Çdo dietë përmban një sasi të madhe ushqimesh, prandaj mos u shqetësoni nga kufizimet. Sa është e mundur preferoni dhe përzgjidhni ato ushqime që janë shumë të dobishëm, por gjithashtu mund të hani edhe nga ushqimet neutrale. Nuk do t’ju bëjnë dëm për sa kohë tregohet kujdes me sasinë.
Dieta e grupi zero
Duke ndjekur dietën e grupit zero do të humbisni peshë duke kufizuar konsumin e drithërave, bukës, dhe bishtajave. Faktori kryesor që shkakton rritjen e peshës në grupin zero është gluteni që ndodhet në bimën e grurit, si dhe të prodhimeve që nxirren nga gruri i plotë. Gluteni ndikon në metabolizëm dhe krijon efektin e kundërt të gjendjes së ketosis. Në vend që t’ju mbajnë të hollë dhe në gjendje aktive, pengojnë prodhimin e insulinës, duke vështirësuar përdorimin me efektivitet të kalorive për energji. Kur hani gluten është njësoj si të vini benzinë te keqe në makinën tuaj, e cila në vend që të ushqejë motorin, bllokon gjithçka. Është vënë re që shumë njerëz që janë të këtij grupi gjaku nuk kanë mundur që të humbin peshë me dietat e tjera të provuara, por vetëm në rastet kur kanë kufizuar prodhimet e grurit nga ushqimi i tyre. Ka edhe faktorë të tjerë që sjellin rritjen e peshës tek njerëzit me këtë grup gjaku. Konkretisht bëhet fjalë për disa bishtaja, veçanërisht fasulet, thjerrëzat, të cilat kanë laktina që ngjiten në fijet muskulare, duke i bërë ato më pak alkaline dhe më pak të ngarkuara për aktivitet fizik. Njerëzit e grupit 0 janë më të lehtë, nëse indet e tyre janë me acide. Në këtë gjendje kaloritë përdoren më shpejt. Një faktor i tretë që shkakton rritjen e peshës në njerëzit me grup gjaku zero ka të bëjë me tiroidet. Njerëzit e këtij grupi gjaku kanë prirje për nivele të ulëta të hormoneve të tiroides, e cila ndodh për shkak të faktit se kanë nivele të ulëta jodi, substancë e cila ka për qëllim prodhimin e hormonit të tiroides. Simptoma të niveleve të tiroideve janë shtimi në peshë, dobësimi i indeve muskulare, mbajtja e ujërave dhe lodhje.
Udhëzuesi për produktet që duhen ngrënë për të 16 grupet
- Ushqimet që sjellin rritjen e peshës tek njerëzit që kanë grup gjaku zero:
- Gruri- Pengon prodhimin e insulinës, rëndon metabolizimin e organizimit
- Misri i ëmbël-Pengon prodhimin e insulinës, rëndon po ashtu metabolizmin
- Fasulet, thjerrëzat, lakrat- Pengojnë përdorimin e kalorive
- Lakra e Brukselit, kungulli, gjethe sinapi -Ulin prodhimin e hormoneve të tiroideve
Ushqime që sjellin rënien e peshës trupore të njërëzit me grup gjaku zero
Fiqtë, prodhime, deti, kripë e jodizuar- Kanë jod, rrisin prodhimin e hormoneve të tiroideve
Mëlçia, burim i vitaminës B, ndihmon metabolizmin
Mishi i kuq, lulelakra, spinaqi dhe brokola po ashtu ndihmojnë metabolizmin
1 Mishrat
Hani mish viçi pa dhjamë, qengj, pulë deti dhe peshk sa të doni. Sa më shumë stres të ketë puna juaj dhe sa më kërkues të jetë programi juaj gjimnastikor, aq më shumë proteina duhet të merrni. Kini kujdes madhësinë e racioneve. Për burrat këshillohet 115-117 gram në vakt, 60/140 për gratë dhe për fëmijët. Përpiquni të mos hani më shumë se 175 gram në vakt. Njerëzit e grupit 0 mund të tresin dhe të përvetësojnë në mënyrë të plotë mishin sepse kanë përqindje të lartë të acidit gastrik. Gjithashtu, duhet të ekuilibroni proteinat e mishit me perimet dhe frutat e përshtatshme, që të mënjanoni super-aciditetin, që mund të shkaktojë acarim të stomakut dhe ulcerë.
Shumë të dobishme – Janë mish lope, viçi, përfshirë dhe mish të grirë, stomak, veshkë, zemër, qengj, mëlçi nga viçi, pula, derri, dele, sorkadhe
Neutrale – Pulë fushe, rosë, fazan, thëllënxë, lepur, pulë deti
Të dëmshme – Beikon, patë, zabon, mish derr
2 Prodhime deti
Prodhimet e detit janë burimi i dytë më i madh i proteinave për njerëzit që kanë grupin e gjakut 0. Peshqit e ujërave të ftohtë si bakalari, ose peshku norvegjez, dhe skumeri janë të shkëlqyer për grupin e gjakut 0. Vaji i peshkut është shumë i pasur me vitaminë K, e cila ndihmon në mpiksjen e gjakut. Duke qenë se kanë grup të rrallë gjaku, i cili mpikset ngadalë. Shumë prodhime deti janë burime të shkëlqyera jodi, të cilat rregullojnë funksionin e gjëndrave tiroide. Njerëzit e grupit të gjakut 0 kanë funksion të çrregullt të tiroideve, gjë që shkakton probleme me metabolizmin dhe shtimin e peshës. Prodhimet e detit duhet të jenë një ushqim bazë për grupin zero.
Shumë e dobishme – Bluefish, sardele, gjuhëza, levrek, salmon, peshk guri, barbun, peshk shpatë
Neutrale- Toni, midhje, gaforre, peshkaqen kallamar, peshk i kuq, këmbë bretkoce, levrek deti, karkalec, karavidhe
Të dëmshëm –Peshk mace, salmo të tymosur, oktapod, haviar
3 Prodhime Qumështi dhe vezë
Njerëzit me këtë grup gjaku duhet të kufizojnë sa të jetë e mundur produktet e qumështit. Organizmi i tyre nuk ka aftësitë e duhura për t’i përvetësuar ato, ndaj në këtë grup nuk ka ushqime të dobishme për ta. Nëse jeni grupi zero dhe i racës afrikane duhet t’i ndërprisni plotësisht prodhimet e qumështit dhe vezët. Qumështi i sojës dhe djathi i sojës janë zëvendësues shumë të mirë të tyre, e kanë përmbajtje të lartë proteinash. Alergjitë ndaj ushqimeve nuk janë probleme të tretjes së tyre. Por, janë thjeshtë reaksione të sistemit imunitar ndaj disa ushqimeve. Racat e tjera mund të hanë herë- herë ndonjë vezë, dhe sasi shumë të vogla të prodhimeve të qumështit, por duhet të dini që këto ushqime janë të varfra në proteina për grupin tuaj të gjakut. Kujdesuni që të merrni çdo ditë plotësim kalçiumi, veçanërisht gratë, pasi dihet që prodhimet e qumështit janë burimi më i mirë i tij. Racioni përfshin një vezë në javë, djath 60 gram, kos 175 gra, po kaq edhe qumësht.
Neutrale – Gjalpi, djathi i bardhë, qumështi i dhisë, djathë mozarela, qumësht soje, djathë soje,
Të dëmshëm – Blue cheese, graviera, akullore, djathë cottage, kos, qumësht i skremuar, parmezana, qumësht dhie, djathë i butë, me pak yndyrë.Paraparje
4 Yndyrat dhe Vajrat
Grupi i gjakut 0 i përgjigjet shumë mirë vajrave. Ato mund të shërbejnë si burim shumë i mirë ushqimi dhe që ndihmojnë në tretjen. Vajrat si vaji i ullirit, vaji i linit, kanë efekte të mira për zemrën dhe arteriet, dhe mund të ndihmojnë në uljen e kolesterinës.
Shumë të dobishëm – Vaji i lindit dhe vaji i ullirit
Neutralë -Vaji i susamit
Të dëmshëm – Vaj misri, vaj pambuku
5 Fruta të thata dhe farëra
Njerëzit që kanë këtë grup gjaku mund të gjejnë një burim të mirë plotësues të proteinave bimore nga lloje të ndryshme frutash të thata dhe farëra. Por këto ushqime nuk duhet kurrë të zënë vendin e mishrave me shumë proteina. Nuk janë të domosdoshme për ushqim dhe duhet të hahen me shumë kujdes pasi kanë përmbajtje të lartë yndyre. Kush është duke u përpjekur që të bjerë në peshë duhet që t’i shmangë ato. Meqë frutat e thata mund të shkaktojnë probleme të tretjes, duhet që gjatë ngrënies t’i përtypni mirë, ose t’i hani në formën e gjalpit, pasi në këtë formë treten më lehtë. Kjo është shumë e rëndësishme për çdo njeri që ka probleme të zorrës së trashë, të cilat shfaqen shpesh me këtë grup gjaku.
Shumë të dobishme– Fara kungulli dhe arra
Neutralë– Bajame, gjalpë bajamesh, gështenja, susami, gjalpë susami, margarinë nga luledielli, fara luledielli, lajthi
Të dëmshme – Arra brazili, fistikë, gjalpë nga fistikë.
5 Bishtajat
Njerëzit me këtë grup gjaku që i përkasin racës aziatik i përvetësojnë mirë fasulet, sepse organizmi i tyre është i përshtatur mirë me to. Por, pavarësisht nga kjo bishtajat dhe fasulet nuk janë pjesë e rëndësishme e dietës së personave që kanë grup të gjakut zero. Kjo ndodh pasi këto të fundit kanë shumë lektina (ngjitës të rrezikshëm), që vendosen në indet muskulare dhe ulin aciditetin e tyre. Kjo kategori njerëzish janë më të gjallë, kur muskujt e tyre janë në gjendje pak acide, çka i ndihmon që të djegin më mirë yndyrat. Nuk duhet ta ngatërrojmë këtë me reaksionin acid-alkalin që ndodh në stomak. Në këtë situatë vetëm një pjesë e vogël e fasuleve mund të bëjnë mirë për grupin 0 të gjakut. Këto fuqizojnë sistemin tretës, dhe ndihmojnë në mbylljen e ulcerave, një problem ky i shpeshtë që shfaqet tek këta persona, për shkak të përqindjes së lartë të aciditetit në stomak. Pavarësisht këtyre ju mund të hani fasule të thata me masë, por ndonjë pjatë në të rrallë.
Shumë të dobishme – Fasule me kokrra të vogla, të kuqe të ëmbla, fasule syzezë, fasule që janë me vija të verdha.
Neutrale -Fasule të zeza, caanellini, fasule lima, bizele jeshile, fasule të ëmbla dhe bizele, etj
Të dëmshme –Fasule kidney me ngjyrë të kuqerremtë, thjerrëza kafe e jeshile, e të kuqe fasule soje
6 Mëngjes me brumëra
Njerëzit e këtij grupi nuk i pranojnë aspak ushqimet që janë me bazë të miellit të plotë, dhe këto ushqime duhet të përjashtohen plotësisht nga dieta e tyre. Ato kanë në përmbajtje të tyre lektina të cilat veprojnë me gjakun dhe sistemin tretës, duke penguar kështu përvetësimin e ushqimeve të dobishme. Prodhimet e grurit janë faktori kryesor që ndikojnë në rritjen e peshës. Metabolizmi shumë i avashtë i tyre, sjell si rezultat që këto ushqime të kthehen me shumë vështirësi në energji dhe kështu depozitohen në formën e dhjamit.
Neutralë– Amaranthos, farë bime në Amerikë, krem nga mielli i orizit, oriz
Të dëmshme– Kornfleiks, niseshte, farë gruri, miell misri, miell, farina
7 Bukë dhe prodhime mielli
Duke qenë se është me bazë grurë edhe buka mund të krijojë probleme për peshën e njerëzve me grup gjaku zero. Në fillim do të jetë e vështirë për ju që të hiqni nga mëngjesi brumërat apo sanduiçin që ju e keni ngrënë zakonisht, të cilat konsiderohen si baza e ushqimit për shumë veta. Madje edhe bukët pa grurë mund të krijojnë probleme për njerëzit me grup gjaku 0 nëse hahen shpesh. Kompleksi juaj gjenetik nuk është i aftë për të konsumuar prodhimet e grurit. I vetmi përjashtim është buka “Esson”, që mund të gjendet në disa dyqane që shesin prodhime biologjike natyrore, e cila bëhet nga lastarët e grurit.
Shumë të dobishme – Bukë Esson nga grurë i mbirë
Neutralë– Bukë nga oriz i paqëruar, bukë nga miell soje, kek orizi, bukë pa gluten, bukë pa sikali 100 %
Të dëmshme – Bukë misri, bukë nga gruri i fortë, kullure, bukë nga farëra të ndryshme etj.
8 Drithëra dhe brumëra
Nuk ka drithëra apo brumëra që mund të vlerësohen si të dobishme për grupin 0. Ky grup gjaku i pranon më mirë brumërat pa gluten që janë bërë nga mielli i orizit. Megjithatë këto ushqime nuk janë të domosdoshme në ushqimin tuaj mund të zëvendësohen me ato që kanë përmbajtje të lartë proteinash. Tek grupi neutralë- miell orizi, miell krithari, teksa kosniderohen të dëmshme mielli nga grurë i fortë, miell që fryhet vetë, miell nga gluteni, miell i thjeshtë.
9 Perime, prodhime nga soja dhe barishte të freskëta
Grupi 0 ka në dispozicion një shumëllojshmëri me zarzavate, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ushqimit të tij. Por, mos e teproni me to, pasi disa lloje perimesh mund të shkaktojnë probleme. Për shembull, lakra e Brukselit, kungulli, dhe gjethe sinapi mund të shkaktojnë uljen e prodhimit të gjëndrave tiroide. Lakrat jeshile me shumë fletë që kanë shumë vitaminë K, si lulelakra, sallata jeshile, brokola, e spinaqi janë shumë të mira për këtë grup gjaku. Kjo vitaminë luan një funksion që ndihmon në mpiksjen e gjakut. Perimet si patëllxhani dhe patatet shkaktojnë probleme me artridet. Lektinat që gjenden në misrin e ëmbël pengojnë prodhimin e insulinës, duke shkaktuar shpesh diabet dhe dhjamosje. Të gjithë njerëzit e grupit zero, duhet t’i shmangen misrit të ëmbël, sidomos nëse familjarët e tyre kanë histori diabeti, apo mbipeshe. Domatet janë një rast i veçantë. Kanë sasi të mëdha lektinash të fuqishme që ngjiten në të gjitha grupet e gjakut dhe shkaktojnë probleme në sistemin tretës të grupit A dhe B. Por, njerëzit e grupit zero mund të hanë domate. Kjo pasi në trupin e tyre këto lektina bëhen neutrale. Grupi zero mund të hajë të gjitha barërat e freskëta.
Shumë të dobishme – Gjethe panxhari, preshi, angjinare, bamje, majdanoz, kungull, patate të ëmbla, brokola, hudhra, lulelakër, qepë, specat e kuq, fiq
Neutrale– Asparagë, panxhar, kërcell bambuje, ullinj jeshil, domate, radhiqe, kungull, bizele, speca, qepujka, selino, speca djegs, kastravec, kerpudha, sallatë jeshile
Të dëmshëm– Patëllxhanë, ullinj të kuq e të zinj, sinapi, lelelakra, lakër kineze, patate të kuqe e të bardha, misri i ëmbël.
10 Frutat
Njerëzit që kanë këtë grup gjaku kanë në dispozicion shumë fruta, të cilat jo vetëm që përbëjnë një burim të rëndësishëm vitaminash, kripërash minerale, fibrash, por janë edhe zëvendësues të mirë të brumërave. Nëse hani një fut në vend të një fete buke, dijeni që organizmi juaj do të punojë më mirë, njëkohësisht do të ndihmohet të dobësohet. Disa nga frutat tuaja të dashura mund të gjenden në katalogun e të ndaluarave, por mos harroni shumëllojshmërinë që gjendet tek frutat e lejuara. Arsyet se pse shegët, dhe kumbullat të freskëta janë kaq të dobishme për këtë grup gjaku kanë të bëjnë me faktin se frutat e kuqe, blu, mavi zakonisht shkaktojnë reaksion alkalin, dhe jo acid në sistemin tretës, çka pakëson shanset për t’u prekur nga ulcera, duke mos acaruar stomakun. Megjithatë, jo në çdo rast frutat janë të dobishëm. Portokallet, mandarinat dhe luleshtrydhet duhet të shmangen pasi kanë shumë aciditet. Shumica e manave janë të dobishme për këtë grup gjaku, por jo manaferrat pasi kanë në përmbajtje të tyre lektinë, e cila vështirëson tretjen.
Shumë të dobishme– Shegë të freskëta e të thata, kumbulla të kuqe, jeshile dhe mavi, si dhe kumbulla të thata.
Neutralë– Mollë, banane, luleshtrydhe të egra, qershi, limon dardha, shalqi, kajsi, rrush i kuq, jeshil, i zi, pjepra, gejpfrut, pjeshkë ananas dhe kivi.
Të dëmshme – Manaferra, portokalle, luleshtrydhe, arra indie, banane të karabisë, mandarina,
11 Lëngje frutash
Lëngjet e perimeve janë më të preferuar se ato të frutave për grupin zero për shkak të alkalitetit të tyre. Nëse pini lëngje frutash, mos përdorni ato që kanë shumë sheqer si lëngu i mollës. Lëngu i ananasit ndihmon shumë për largimin e ujërave nga organizmi, çka pakëson peshën trupore. Lëngu i qershive të zeza është gjithashtu shumë i mirë. Mund të përdoren me kujdes edhe lëng kajsie, seline, rrushi, domateje, karote, kastraveci etj. Nuk këshillohen lëng molle dhe lëng portokalli
12 Erëza, bimë të thata dhe përpunime
Zgjedhja e mirë e tyre mund të ndihmojë në përmirësimin e sistemit imunitar dhe atij tretës. Ndër më të preferuarat për këtë grup gjaku janë përpunimet me bazë fikun, sepse janë të pasura me jod, i cili është shumë i mirë për të rregulluar funksionin e tiroides. Disa lloje fiqsh, neutralizojnë aciditetin e lartë në aparatin tretës, duke ndihmuar dhe në dobësim. Majdanozi i bën mirë sistemit tretës, si dhe disa erëza “të nxehta” si piperi i kuq. Por, duhet të bëni kujdes nga piperi i zi, i bardhë dhe nga uthulla pasi acarojnë stomakun. Prodhimet e sheqerit, si shurup misri, mjalti dhe sheqeri i bardhë nuk dëmtojnë. Po ashtu edhe çokollata. Megjithatë ato duhen konsumuar në sasi të kufizuara.
Shumë të dobishëm– Piper i kuq, majdanoz, gjeth dafine, pergamot, fiq, borxilok, piper i zi në kokrra, mendër, mustardë e thatë, salcë soje, karafil, mjaltë, kripë, sheqer kafe i bardhë, çokollatë, hudhra, shurup orizi etj.
Të dëmshëm – Kanella, piperi pluhur i bardhë dhe i zi, vanilja, uthulla
13 Përpunime frutash dhe perimesh
Nuk ka prodhime nga përpunimi i frutave dhe perimeve që mund të jenë të dobishme për këtë grup gjaku. Nëse doni të hani mustardë apo salcë së bashku me ushqimin tuaj, bëjeni, por kujdes me sasinë. Grupi i gjakut 0 mund të hajë herë-herë domate, por duhet shmangur keçapi, se ka përbërës të dëmshëm. Të gjitha turshitë janë të pakëndshme për këtë grup gjaku, pasi acarojnë shumë stomakun, po ashtu edhe majoneza. Këshilla është që t’i ndërpresin plotësisht këto ushqime, ose t’i zëvendësojnë me të tjera të përmendura më lart si më të shëndetshme.
14 Çaj nga bimët mjekësore
Për grupin zero rëndësi ka fuqizimi i sistemit tretës, dhe atij imunitar. Bimët si majdanozi, farërat e trëndafilit kanë efekt. Nga ana tjetër bimë si qime mistri, e acarojnë sistemin imunitar dhe shkaktojnë rrallimin e gjakut, shumë të dobishme janë xhinxheri, majdanozi, gjethe limoni, mendra, fara trëndafili etj. Këshillohen edhe kamomili, çaji jeshil, ginsengu valeriana, por jo qime misri, apo gjethe luleshtrydhesh.
15 Pije të ndryshme
Ka shumë pak pije të pranueshme për grupin e gjakut zero. Në thelb jeni të kufizuar vetëm në pije të padëmshme si soda, ujë i gazuar, dhe çaj.
16 Birra, vera dhe kafeja
Birra lejohet vetëm me masë, por nuk ndihmon në humbje peshe. Po ashtu edhe vera mund të pihet me masë dhe jo të bëhet zakon i përditshëm. Çaji jeshil lejohet si zëvendësues i kafeinës, por nuk ka vlerë shëruese. Problemi që shkakton kafeja për grupin 0 është se shton aciditetin e stomakut. Nëse e ndërprisni gradualisht kafenë do të largoni dhimbjen e kokës, lodhjen dhe nervozizmin