“Dieta nuk mund të japë maksimumin e saj, nëse ajo nuk shoqërohet edhe me aktivitet fizik”

redaktor

Ata që nuk munden t’i rezistojnë ushqimit të shumëllojshëm të festave të fundvitit këto ditë e kanë gjetur veten përpara pasqyrës me kopsat që nuk u mbërthehen.

Gjatë festave jemi të ekspozuar ndaj ushqimeve dhe gatimeve të ndryshme tradicionale ose të reja. Si rezultat i kësaj kemi konsumuar sasi të mëdha ushqimi, që do të thotë sasi të mëdha kalorish. Ushqime të pasura me yndyrë dhe me sheqerna që na japin sasi të konsiderueshme kalorish, edhe nëse i konsumojmë në sasi të vogla. Nga ana tjetër, aktiviteti fizik ka qenë minimal. Kështu që kemi pasur një bilanc energjik pozitiv, që do të thotë që kemi marrë më shumë energji seç kemi harxhuar dhe i kemi depozituar në masë dhjamore. Prandaj është e pashmangshme që nga festat të vijmë me 1-2 kg peshë trupore të shtuar.

Por si të rikthehemi në linjat e dëshiruara? Viktoria Naço, dietologe, na thotë se çfarë duhet të bëjmë, si fillim: “Menuja festive edhe pse shumë e dashur nga të gjithë, i ka përmasat e ushqimit të pa kontrolluara; atëherë ndodh që përveç shtimit të peshës, mund të shfaqen edhe disa shqetësime në

Viktoria Naço, dietologe
Viktoria Naço, dietologe

shëndetin tonë. Këshilla ime do të ishte përveç uljes së peshës sonë për këtë vit të ri, do ishte vendosja e një objektivi tjetër që është edhe më i rëndësishëm, Shëndeti ynë. Mirë do të ishte këtë fillim vit, për të gjithë ata që nuk kontrollohen rregullisht, të shkojnë të kryejnë në bazë të moshës dhe të shqetësimeve që kanë analizat përkatëse. Analizat biokimike të gjakut do të na informonin anën funksionale të organizmit tonë dhe në varësi të tyre do të fillojmë të bëjmë ndryshime për të përmirësuar parametrat. Së pari, do dëshiroja të theksoja se nëse ne kemi konsumuar pak më shumë ushqim sesa konsumojmë rregullisht, atëherë thjesht kemi një fryrje të vogël, pasi duke konsumuar ushqime pak më shumë të përpunuara (brumëra, sheqer etj.) ose me pak më shumë kripë atëherë trupi ka një përmbajtje në likuide dhe pak në masë dhjamore dhe në peshore reflektohet 1-2 kilogramë më tepër– sqaron dietologia.

Një tjetër emër që punon në fushën e dietologjisë në vendin tonë është Anila Kalleshi. “Festat e fundvitit me ngarkesën kalorike që kanë, patjetër na bëjnë të jemi 3-4 kg më tepër mbi peshore dhe ca cm më shumë në perimetër. Pas ditëve të fundit të vitit, dieta që duhet të ndjekim në fakt nuk duhet të synojë vetëm humbjen e shëndetshme të kileve që janë marrë pa karar, por dhe një detox total të trupit që do të ishte mjaft i shëndetshëm. Ushqimi duhet të jetë i varfër në kalori, yndyra, por dhe i pasur në ujë, vitamina e kripëra minerale. Fillimisht duhen respektuar vaktet dhe në veçanti vakti i mëngjesit. Asnjëherë nuk ndodh që nëse dikush ka abuzuar në darkë ta kompensojë me shmangien e mëngjesit.”- na thotë Kalleshi.

Anila Kalleshi, dietologe
Anila Kalleshi, dietologe

Për të qenë më konkret, sipas Anilës, duket të respektoni disa rregulla që do ju ndihmojnë ta ndjeni veten më mirë me trupin tuaj.

“Filloni të konsumoni sa më shumë lëngje, në mënyrë që të pastrohet mëlçia. Pini çdo ditë çaj jeshil me limon ose qitro të shtrydhur. Zvogëlojeni porcionin e pjatës me 1/3. Në mëngjes filloni me një gotë ujë të ngrohtë me limon. Lëngu i limonit përmirëson tretjen dhe asimilimin e sheqernave dhe mineraleve. Një mënyrë shumë e efektshme për rënien në peshë gjatë gjithë vitit është aktiviteti fizik, në mënyrë që të rritet metabolizmi dhe të digjen kalori me lehtësi. Ekuilibrimi i ushqimit nuk do të thotë që të hiqet dorë nga ushqimet e këndshme të ditëve të festave. Ushqimet duhet të vazhdojnë të jenë me pamje të këndshme e të shijshme, si dhe të larmishme. Dieta nuk mund të japë maksimumin e saj nëse ajo nuk shoqërohet edhe me aktivitet fizik. Ushtrimet fizike janë shumë të rëndësishme, ndaj filloni menjëherë pas festave me pesha, biçikleta, ushtrime të tjera fizike, por edhe me ecje dhe vrapime në ajër të pastër.”- përfundon dietologia. Asgjë nuk arrihet lehtë. Ndaj, futuni punës!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *