Sëmundjet e shëndetit mendor po marrin përmasa shqetësuese, duke filluar nga ato që kanë simptomat më të lehta siç mund të jenë çrregullimet e humorit, e deri tek ato më të rënduarat, pjesë e të cilave është edhe depresioni. Trysnia dhe vështirësitë e jetesës së përditshme shpesh bëhen shkak për shfaqjen e këtyre sëmundjeve. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se stili i jetesës, i orientuar drejt ushqimeve të ngopura në yndyrë, mungesa e aktiviteteve sportive, apo dhe sëmundjet e ndryshme të zemrës, po shtojnë rrezikshmërinë e shfaqjes së depresionit. Ajo çfarë cilësohet si tepër problematike, është vështirësia e identifikimit të shpejtë të këtyre rasteve, çka vonon dhe kohën e marrjes së trajtimit të specializuar mjekësor, duke e rënduara në këtë formë edhe më shumë gjendjen shëndetësore të pacientit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara shkaqet më të shpeshta që çojnë në shfaqjen e depresionit, së bashku me këshillat që nuk duhen neglizhuar për të mënjanuar ndërlikimet shëndetësore në shëndet.
Çfarë është depresioni, dhe si shfaqet?
Depresioni është më shumë se një gjendje e rënë shpirtërore (siç e dëgjojmë shpesh e rëndom). Është në fakt, një sëmundje që duhet marrë seriozisht, pasi ndikon si në shëndetin fizik, ashtu edhe në shëndetin mendor. Njerëzit e depresuar mund të ndjehen të trishtuar, të shqetësuar, bosh, të pashpresë, të pafuqishëm, të pavlefshëm, fajtorë, nervozë, të lënduar. Ata humbasin interesin për aktivitetet e dikurshme që më parë i kryenin normalisht e me dëshirë. Gjithashtu, mund të kenë problem me oreksin (ulje ose dëshirë e shtuar për të ngrënë), mungesë përqendrimi, vështirësi në marrjen e vendimeve, gjumë të tepruar, lodhje, humbje të energjisë, dhimbje trupore të papërcaktuara mirë, problem me sistemin e tretjes.
Shpesh thuhet se personat që vuajnë nga zemra janë të rrezikuar për t’u prekur nga depresioni, sa i vërtetë është një fakt i tillë?
Një fakt i tillë është pohuar tashmë. Riskun më të madh për depresion e kanë personat me patologji të koronareve. Po sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, depresioni është një nga burimet kryesore të aftësisë së kufizuar, duke konkurruar kështu me sëmundjet koronare të zemrës. Depresioni mund të vijë edhe si rezultat i sëmundjeve të tjera mendore ose fizike, çrregullimeve hormonale, kequshqyerjes apo edhe përdorimit të medikamenteve të ndryshme. Por, duhet theksuar se humori i ulur nuk është gjithmonë një çrregullim psikiatrik. Ai mund të jetë gjithashtu një reagim normal ndaj ngjarjeve të caktuara të jetës, mund të jetë një simptomë e disa situatave mjekësore apo edhe efekt anësor i disa medikamenteve.
Çfarë rekomandohet për menaxhimin e depresionit?
Çrregullimet e humorit si reagim ndaj disa ngjarjeve të rëndësishme të jetës, ato të kushteve të caktuara mjekësore ose si efekt anësor i medikamenteve, nuk është se kërkojnë ndonjë trajtim të veçantë mjekësor. Këtu luajnë rol mjaft pozitiv marrëdhëniet e mira familjare dhe shoqërore. Përmendim këtu edhe rolin mjaft pozitiv të meditimit. Por, në qoftë se deprimimi i humorit është i theksuar dhe i zgjatur në kohë, sidomos edhe kur kombinohet me simptoma të tjera, kërkon patjetër këshillimin e mjekut kombinuar kjo edhe me këshillimin e psikologut. Sigurisht që personi që vuan nuk e vë re dhe përgjithësisht mund të mos jetë në gjendje të kërkojë ndihmë. Ai mbyllet në botën e vet duke hequr dorë nga kënaqësitë ose veprimtaritë e zakonshme që ka kryer dikur. Pikërisht janë familjarët apo shoqëria që e vënë re ndryshimin dhe që zakonisht e ndihmojnë të këshillohet me mjekun apo edhe me psikologun.
Po në lidhje me stilin e jetesës, e kryesisht me dietën ushqimore dhe aktivitetin fizik si duhet të veprojmë që nëpërmjet tyre të mund të reduktojmë mundësinë e shfaqjes së depresionit?
Përveç trajtimeve mjekësore dhe këshillimeve me psikologun, promovimi i një jetese të shëndetshme dhe aktive është një qasje pozitive në luftën kundër depresionit. Mënyra e jetesës që përmirëson gjendjen shpirtërore është ushqyerja e shëndetshme (shumë fruta e perime të freskëta, larg fast-foodeve dhe alkoolit), meditimi, ecje në këmbë, shëtitje, stërvitje dhe stop duhanit plus medikamentet e duhura. Ushtrimet fizike ndihmojnë gjithashtu në uljen e diabetit, uljen e yndyrave (rritet metabolizmi ) që janë ndoshta edhe faktorë për depresionin.
Thuhet që gratë janë kategoria më e shpeshtë që preken nga depresioni, pse ndodh, si dhe cilët janë faktorët që ndikojnë në këtë rast?
Pikërisht roli gjinor që luajnë gratë në familje dhe shoqëri do të mund të shpjegonin këtë pyetje. Problemet mendore të grave janë të lidhura ngushtë me rolin social dhe familjar të tyre. Janë ato që kujdesen më tepër për fëmijët dhe familjen. Por, në ditët e sotme kur gratë luftojnë fuqishëm për barazinë gjinore, ky raport ka pësuar ndryshime. Një marrëdhënie e fortë e çiftit bazuar në dashurinë dhe respektin reciprok luan rol mjaft pozitiv. Gratë janë gjithashtu më të ndjeshme edhe ndaj divorcit pasi duhet të përballen qoftë me problemet ekonomike, qoftë me ato sociale sidomos në Shqipëri kur akoma edhe sot peshorja anon nga meshkujt. Gratë e martuara kanë më tepër stabilitet psikologjik dhe një tendencë më të ulët për depresion se sa gratë beqare. Sigurisht që edhe faktorët jetësorë mund të kenë efekte serioze mbi shëndetin mendor.
Ja cilët janë 7 faktorët më të shpeshtë që çojnë në depresion!
Në radhë të parë stili apo mënyra e jetesës, një gjumë jo i rregullt, dieta e varfër ushqimore (mungesa e shumëllojshmërisë së ushqyerjes), si edhe mungesa e aktiviteteve fizike.
Depresioni mund të jetë një faktor risku për obezitetin, ashtu sikurse njerëzit obezë janë më të rriskuar për depresion.
Depresioni është i lidhur gjithashtu edhe me statusin social-ekonomik. Më të prekur janë ata me një nivel ekonomik mbi mesataren dhe që përpiqen vazhdimisht për të arritur nivele më të larta ndërsa popullsia fshatare që merret më shumë me aktivitet fizik është më pak e rrezikuar.
Në depresion ndikojnë shumë edhe ngjarjet e rëndësishme jetësore si për shembull shtatznia, lindja, menopauza, vështirësitë financiare, humbja e një personi të dashur, katastrofa natyrore, izolimi social, problem në marrëdhëniet familjare, divorcet, vrasjet, fëmijëri të vështira (për shembull humbja e një prindi si rezultat i vdekjes apo divorcit), mungesa e kujdesit prindëror gjatë fëmijërisë.
Femrat janë më shpesh të prekura në këto raste sesa meshkujt.
Disa trajtime mjekësore mund të çojnë në çrregullime të humorit për një numër të konsiderueshëm të pacientëve, si për shembull terapitë antidrogë, ato për trajtimin e hepatitit C, disa medikamente që përdoren për trajtimin e presionit të lartë të gjakut, etj.
Çrregullime mund të kemi edhe gjate disa sëmundjeve infektive, hypotireozes (aktiviteti I ulur i gjëndrës tiroide ), Alzheimeri, sëmundjet kardiovaskulare, osteoporoza, SIDA, hepatitis C, etj. Por, depresioni varet edhe nga predispozicioni familjar.
Kujdes !
Humori i ulur nuk është gjithmonë një çrregullim psikiatrik. Ai mund të jetë gjithashtu një reagim normal ndaj ngjarjeve të caktuara të jetës, mund të jetë një simptomë e disa situatave mjekësore apo edhe efekt anësor i disa medikamenteve. Çrregullimet e humorit si reagim ndaj disa ngjarjeve të rëndësishme të jetës, ato të kushteve të caktuara mjekësore ose si efekt anësor i medikamenteve, nuk është se kërkojnë ndonjë trajtim të veçantë mjekësor.
Këshillat për të shmangur çrregullimet në shëndetin mendor
Duke dhënë kujdesin e duhur në kohë, bëhet e mundur parandalimi i pjesës dërrmuese të çrregullimeve që prekin shëndetin mendor. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik vënë në dukje se faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor janë të shumtë, duke filluar nga ato gjenetikë, fiziologjikë, socialë, emocionalë dhe ekonomikë. Kushtet e jetesës, problemet familjare, kushtet e punës, mungesa e shoqërisë dhe kohezionit social, stresi, mbingarkesa, etj ndikojnë shëndetin tonë mendor. Për këtë arsye politikat dhe aktivitetet promovuese në nivel komunitar, lokal dhe nacional janë shumë të rëndësishme në promovimin e shëndetit mendor. Në nivel individual secili prej nesh duhet të kujdeset për shëndetin e tij mendor duke zhvilluar një stil të shëndetshëm jetese. Kështu, ushqyerja e shëndetshme, ushtrimi i rregullt fizik, përkujdesja për të mos abuzuar me substancat, mbajtja e kontakteve shoqërore, përfshirja në aktivitete që na zbavisin, shprehja dhe diskutimi i problemeve dhe të kërkuarit ndihmë atëherë kur kemi nevojë janë sjellje që promovojnë shëndetin tonë mendor dhe parandalojnë shfaqjen e problemeve. Pjesa më e madhe e sëmundjeve mendore janë sot mjaft mirë të trajtueshme. Është përllogaritur se nëse ofrohet ndihma profesionale e përshtatshme trajtohen në mënyrë të suksesshme 60 për qind e skizofrenive, 65 për qind e depresioneve madhore dhe 80 për qind e depresioneve bipolare. Nga gjysma deri në dy të tretat e njerëzve me skizofreni arrijnë një përmirësim të konsiderueshëm ose shërim përtej 20 – 25 viteve.