Digjet flamuri i Shqipërisë dhe i Kosovës në Podgoricë

Elton Tafaruci

Persona të pa identifikuar kanë djegur gjatë natës së shkuar flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës në kryeqytetin malazez, Podgoricë.

Televizioni shtetëror “RTCG”, shkruan se rasti është regjistruar pranë ndërtesës së “Capital Plaza” atje ku ndodhen edhe zyrat e ambasadës së Kosovës.

Për ngjarjen, ka reaguar edhe ministria e Jashtme e Malit të Zi, duke shprehur keqardhjen për incidentin.

“Ministria e Jashtme shpreh keqardhjen dhe dënon fuqimisht aktin e vandalizmit dhe djegies së flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës para ndërtesave të ambasadave”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme malazeze. Kjo ministri thekson se është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat.

“Autoritetet kompetente duhet të marrin të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet më tej.

Ministrja e Jashtme e Malit të Zi thekson se është e bindur që raste të tilla të izoluara nuk mund të ndikojnë në marrëdhëniet e mira dhe miqësore midis vendeve.

Ndërkohë, Aleanca Qytetare (GA) u bëri thirrje autoriteteve për të kryer një hetim të menjëhershëm, dhe të ndjekë penalisht autorët e krimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *