Një makinë është djegur gjatë natës në Tepelenë.
Automjeti i përket avokatit Xhaferr Meçe.
Makina mësohet se ishte e parkuar dhe dyshimet paraprake janë se zjarrvënia mund të jetë e qëllimshme, kjo pasi xhami i saj ishte i thyer.
Meçe është anëtar i Partisë Demokratike-së dhe anëtar i Këshillit Bashkiak nga kjo forcë politike.
Për rastin është ngritur një grup hetimor që po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka reaguar për zjarrin e vënë në automjetin e Xhaferr Meçe.
Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike thotë se dënon me forcë “aktin kriminal të zjarrvënies së qëllimshme të automjetit personal të këshilltarit të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tepelenës, Xhafer Meçe”.
“I bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhin e pa vonesë ngjarjen dhe të arrestojnë e vendosin para ligjit autorët dhe porositësit e këtij akti të shëmtuar kriminal”, thuhet në deklaratë.
Më tej, Partia Demokratike shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për këshilltarin e saj në Bashkinë e Tepelenës, Meçe dhe familjarët e tij.
a.s/dita
