Dijet e zbehta, në çantat e rënda…!

redaktor

Të vjen keq kur në rrugë sheh fëmijë të kërrusur me çanta që mezi i ngrenë. Ka dhe prindër e gjyshër që i shoqërojnë se i doli kurrizi. Nipit tim i peshon 6.4 kg. Vetëm libri i gjuhës peshonte afërsisht një kg. Ky është shqetësim i të gjithëve, që kërkon zgjidhje. Shtëpitë botuese mund dhe duhet të përdorin letër më të lehtë. Mësuesit t’i kërkojnë vetëm librat e ditës e prindërit t’i heqin gjithçka të tepërt. Diçka duhet bërë, ndryshe na u deformuan fëmijët.

Një ish-nxënësi im, tani mësues më tha: “E mbyllët me nder profesor. Të nderuar e respektuar. Ju rrinim gatitu e ju dëgjonim s’i të ishit “perëndi”. Punoj në një shkollë private. Mundohem e përgatitem shumë, se dhe lëndën e kam të vështirë. Vetëm 5-6 nxënës të dëgjojnë. Të tjerët janë të pavëmendshëm, merren më celular që s’ia heq dot, ose bëjnë llogje. Kur i pyet të thotë nga vendi që s’di gjë. Kur i thua katër, të thonë “vëre, se vetë do ta besh pesë”. Kur mbushin numrin e mungesave pa arsye, s’e përjashton dot se duhet marrë pëlqimi nga lartë. Shpesh të thonë merre dhe edukoje, është mangësi e punës tënde. Kanë marrë zemër nga rastet e mësuesve që kanë përdorur dhunë e s’i afrohesh dot, e jo t’i prekësh. S’di ç’të them. Jam shumë i mërzitur.” Ai kishte të drejtë.

Pse respekti për mësuesin është venitur? Këtë e ndjejmë ne, por dhe mbarë shoqëria. Mos vallë e ka fajin ekonomia e tregut, që ka humbur interesi për shkollën? Mos e kanë fajin diplomat që mund të blihen? Sa të përkëdhelur janë nxënësit e sotëm! Sa pak kohë i kushtojnë përgatitjes, e sa shumë celularit, apo kompjuterit. Këto po i dëmtojnë jo vetëm nga sytë, por dhe nivelin e njohurive. Në kohën tonë kushtet i kemi patur jo të mira, por dëshirën për të mësuar shumë të madhe, respekti i admirueshëm. Punuam me ndërgjegje e përkushtim. Asnjëherë nuk na shkonte mendja për të zhvilluar kurse për të përfituar pagë mbi rrogën, ashtu s’i ndodh rëndom sot. Asnjëherë nuk na ka shkuar në mend që të jepnim para për të marrë provimin. Fenomen i rëndomtë sot. Të zhvillonim kurse. Kursi më i mirë ishte dhënia e mësimit me nivel të lartë, e me metoda efikase. Sa mirë do të ishte që mësuesit e sotëm të merrnin gjithçka pozitive të paraardhësve e këto t’i çonin më përpara!

 

Letër e nënshkruar,

Evdal Nuri

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *