Dikur specialist i vaditjes, sot… fotograf

redaktor
Demir Picalli

Përpara viteve ’90 në kryeqytet, personazhet më të paharruar, mitikë të lulishte “Skënderbeut”, ishin fotografët, ata i gjeje gjithmonë aty.

Nuk ka shqiptar që të mos këtë bërë një foto te shkallët e “Skënderbeut” apo mbështetur te shtyllat e neonit në brendësi të lulishtes. Madje, vinin nga e gjithë Shqipëria për të bërë një shkrepje të tillë.

Tashmë është harruar ajo kohë kur paraqiteshe në qendër të Tiranës për të tërhequr foton e bërë një javë më parë, ku me një kupon në dorë, shfletoje në prezencë të fotografit edhe fotot e shumë njerëzve të tjerë pa pasur aspak privatësi, ndonëse fotot ishin thuajse të gjitha uniforme, gati të njëjtat veshje dhe e njëjta pozë.

Me kalimin e viteve kanë ndryshuar shumë forma teknologjike për aparatura të shumëllojshme, të cilat padyshim e kanë lehtësuar jetën e njerëzve.

Një prej tyre ka të bëjë edhe me një sektor i cili sot, për shume njerëz është i një rëndësie të veçantë.

Flasim për fotografinë, për shkrepjen, autoshkrepjen, apo edhe për formën më të aplikuar siç janë “selfie”-et. Vite të shkuara shkrepja e një fotografie lidhej me një ngjarje të caktuar, kryesisht historike, që duhej domosdoshmërisht të mbetej në celuloid dhe mbase në atë kohë ishte e paimagjinueshme se në ditët e sotme fotografia do të ishte pjesë e pandarë e shumë vaniteteve të tjera që mbushin kohën.

Teknologjia ka avancuar aq shumë sa sot çdo aparat celular ka të përfshirë një kamera dhe kompanitë janë në garë për rezolucionin që do të kenë.

Sa më i lartë rezolucioni, aq më i lartë edhe çmimi apo cilësia. Sot këta telefona ngjajnë më shumë si aparate fotografikë se sa si aparatura për të komunikuar. Shpërndarja virale e fotografisë ka bërë që ajo të jetë kudo, në prodhimin e lajmeve, në fushën e modës, në shkencë etj.

2
Demir Picalli

Sot nuk gjen më fotograf si dikur që të kërkojnë të bësh një foto pranë monumentit të Skënderbeut, qendër të Tiranës. Por kjo nuk do të thotë se ata janë zhdukur. Disa prej tyre i gjen vetëm pranë Parkut Rinia. Sa herë që kalon aty, në çdo orë të ditës, ata të thërrasin një zëri, dhe të kërkojnë të bësh foto të çastit ose foto që mund t’i marrësh për një orë.

Dikur specialist ujërash…

U nisëm në kërkim të personazhit që bën ende foto në pikat ku ka më shumë qarkullim në Tiranë dhe me atë nxjerr bukën e gojës. Njeriu që takuam nuk e kishte menduar asnjëherë që do të bëhej fotograf. Por ja që për të, sot është kthyer në profesion.

Demir Picalli, 60 vjeç, na thotë se shtëpinë e ka pranë Porcelanit, por çdo mëngjes merr autobusin dhe vjen në këtë zonë të gjelbër të Tiranës ku kalojnë më shumë njerëz dhe mundësia për të bërë foto është më e madhe. Deri në orën 5 pasdite qëndron aty në kërkim të ndonjë personi që do të fotografohet.

Dikur një njeri i cili ka punuar në ndërmarrjen e ujërave, specialist për sistemin e vaditjeve dhe ujitjeve, sot, e gjen vetën duke thirrur: hajde foto, foto të çastit… hajde foto.

“Përpara ’90 -ës isha kuadër, punoja dhe isha shumë mirë. Me rënien e sistemit u prishën edhe kanalet, u shkrinë edhe institucionet, kështu unë mbeta pa punë. Diçka duhet të bëja për të nxjerrë bukën e gojës. Në atë kohë të tre djemtë i kisha të vegjël.

Mora një aparat dhe dola të Sheshi Skënderbej, për të bërë foto. Kështu vazhdova, tashmë u bënë 24 vite që bëj punën e fotografit dhe kameramanit, pasi punoj edhe nëpër dasma”- tregon Demiri duke vënë dorën mbi ballë, si për të thënë se sa shpejt ikën koha.

“Kur e nisa këtë punë isha me flokë, sot që më shihni ju më kanë rënë, jo për shkak të lodhjes që të jep kjo punë, por për shkak të stresit se çfarë do të çoj në shtëpi darkave”– rrëfen 60-vjeçari i cili mban varur në qafë dy aparate të ndryshëm.

Demiri ngulmon të theksojë se as në ëndrrat e tija më të largëta nuk e kishte parashkruar veten si fotograf. Kujton se aparatin e parë e ka marrë pikërisht në 1992, kuptohet nga ata që punonin me film. Më pas, me kalimin e viteve dhe makina fotografike u modernizua.

“Për 20 vite kam qëndruar te Skënderbeu. Aty jam vendosur për herë të parë pasi kishte më shumë punë dhe më shumë njerëz që donin të dilnin në fotografi. Por sheshi u mbyll dhe u detyrova të vendosesha këtu, jo vetëm unë, por edhe disa kolegë të tjerë që merremi me këtë punë”.

Futja e aparateve dixhitale, telefonave që bëjnë fotografi ka ndikuar edhe në rënien e madhe të punës së fotografit të “rrugës”.

Pas viteve 2000 e deri më tani, çdo vit e më tepër ka rënie të punës. Ka ndikuar shumë edhe fakti që njerëzit kanë telefona dhe aparate vetë. Të rrallë janë ata që kërkojnë të bëjnë foto. Dhe si unë, ashtu edhe shokët e mi, kemi çdo ditë e më pak punë”.

Rinia nuk i afrohet fare xhaxhove me aparate në qafë. Me përjashtime të veçanta të atyre që vijnë nga rrethet.

“Kategoria që kërkojnë më shumë janë ata që vijnë nga rrethet dhe kërkojnë të bëjnë një foto të printuar, apo edhe nga zonat e veriut. Ndonjë jabanxhi… Mund të kërkojë edhe ndonjë gjyshe apo gjysh që nxjerr nipin apo mbesën për të luajtur në park dhe kaq. Ka edhe pak të huaj që dëshirojnë të bëjnë një foto të çastit për qejf”.

3Ka ditë që shkojnë me ndonjë lek në xhep, por ka edhe ditë që kthehen vetëm me aparatet e varur në qaf, ashtu siç edhe kanë ardhur në mëngjes.

Një foto e çastit kushton 3 mijë lekë të vjetra, ndërsa një foto që personi e merr për një orë, kushton 1 mijë lekë. Nuk është shumë, por njerëzit nuk kanë më lekë, edhe kjo ka ndikuar”.

Kujton se vitet më të arta ku janë bërë më shumë foto dhe rrjedhimisht ka fituar më shumë lekë kanë qenë vitet ‘94-‘95-’96. “Në këto vite kishte lekë, ishte koha e firmave piramidale. Sot, sa më i fort bëhet shteti, aq më shumë shtrëngohet rripi”.

Mesatarisht i gjithë fitimi i tij në një muaj, duke bërë punën e fotografit shkon 100 mijë lekë të vjetra. Është shumë pak për një familjar si puna e Demirit, i cili edhe gruan e ka pa punë, por ajo që e ka ndihmuar janë dasmat.

Unë punoj dhe me dasma. Por edhe ato kanë rënë. Nëse më parë bëja 50 dasma në vit, tani bëjë 25. Kryesisht shkoj te katundarët e Tiranës, pasi ata më marrin. Qytetarët nuk na preferojnë, as mua as shokët e mi, pasi kanë kërkesa të tjera, duan ndriçim, edhe llojin e fotografisë e duan tjetër. Klientët më të shumët i kam nga fshatrat” – tregon Demiri, i cili sheh me vëmendje njerëzit që kalojnë aty pranë, pasi, ai tashmë është bërë specialist, i di ku ta kërkojë klientin. Ky është një njeri, i cili ka zgjedhur ta fitoi në këtë formë jetesën dhe pavarësisht vështirësive… ia ka dalë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *