Në datën 18 prill 2008, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, u bëri thirrje forcave politike të zgjidhnin, me transparencë, çështjen e sistemit elektoral, ndërkohë që apelit të partive të vogla politike ai iu përgjigj se ndryshimi i sistemit ishte domosdoshmëri dhe OSBE shprehej pro një sistemi më të thjeshtë se sistemi aktual. Midis kësaj situate të tensionuar marrëdhëniesh brenda koalicioniste, në seancën plenare të pasdites së datës 21 prill 2008, Kuvendi legjitimoi paketën e ndryshimeve kushtetuese të propozuar me konsensus nga PD-PS. Me 115 vota pro, 17 kundër e 3 abstenim, Shqipëria do të kishte tashmë sistemin zgjedhor proporcional rajonal, Presidenti do të zgjidhej me 71 vota deputetësh, kurse mandati i Prokurorit të Përgjithshëm do të ishte 5-vjeçar. Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të qe më një institucion kushtetues, por garant për zbatimin e Kodit Elektoral. Ky rezultat votimi u arrit pas një seance parlamentare që zgjati rreth pesë orë debate të ashpra, ku nuk munguan akuzat e disa deputetëve dhe partive të vogla opozitare ndaj paktit Berisha-Rama, të cilin deputeti Spartak Ngjela e etiketoi “kriminal”. Për dy partitë e mëdha, PS-PD akti ishte “historik”, për të vegjlit “puç institucional”, ndërkohë që për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrin, Sali Berisha kjo ishte ngjarje historike, pasi: “tashmë vendi është më afër se kurrë Europës dhe më larg se kurrë krizave permanente politike”.
“Dje kuvendi kaloi një paketë që i dha fund një kapitulli të gjatë të zgjedhjeve të pandershme. Kjo reformë, e miratuar nga një debat i gjatë, hapi një kapitull të ri, duke i dhënë fund lojës kukamçefti për zgjedhjet mes partive”, -vlerësoi Edi Rama, duke i siguruar aleatët e PS se votimi nuk do të thoshte që PS i kishte përjashtuar ata nga gjiri i majtë. Indinjata e Ilir Metës, drejtuesit të LSI-së, sakaq arriti kulmin. “Për fatin tonë të keq, tashmë në krah të Doktor Rrumpallës është vendosur me krenari kryetari i radhës i Partisë Socialiste. Jam i tronditur, por jo dhe aq shumë i befasuar, që anti-Berisha më i egër i të gjitha kohërave ka ulur kokën butësisht në gijotinën e Kryeministrit. Ashtu sikurse jam i çuditur nga ngrefosja e paturpshme, me të cilën ai dhe lakenjtë e tij, që më parë kanë qenë gjithë lakenjtë e kryetarëve dhe kryeministrave të PS-së, e shesin këtë tradhti para popullit shqiptar dhe para vetë opozitës. Me sistemin, që duan të propozojnë, PS e PD duan të përjashtojnë vullnetin politik të 1/3 së shqiptarëve që kontribuojnë më shumë për vendin”.
Pas këtij veprimi, deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, braktisi grupin parlamentar socialist. Sikurse ai deklaroi, vendimin e ndërmori si reagim ndaj votimit në Kuvend pro ndryshimeve kushtetuese, gjë për të cilën Petro Koçi komentoi: “Votimi i djeshëm ishte një funeral i demokracisë. Rama çimentoi Sali Berishën në pushtet duke i dhënë mundësinë të fitojë zgjedhjet parlamentare në 2009-n”.
Qershori kishte hyrë dhe tonet e fushatës elektorale po nisnin të ngriheshin shqetësueshëm. Ngritja e qendrave të votimit nëpër ambiente private u kontestua ashpër nga opozita. Sipas deklarimeve zyrtare dilte se nga 4751 qendra votimi të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, 506 prej tyre do të vendoseshin në ambiente private. Opozita e kontestonte këtë, pasi pretendonte se personat që posedonin pronësinë e lokaleve, ku po vendoseshin këto qendra, ishin kontigjent anëtarësh e militantësh të PD.
Procesi i pajisjes së shtetasve votues me karta identiteti ishte mbyllur dhe sikurse u deklarua, më shumë se dyqind e pesëdhjetë mijë prej tyre mbetën jashtë votëhedhjes. Shfrytëzimi i pushtetit për qëllime përfitimi elektoral, po ashtu ngriti zemërimin e forcave opozitare, veçanërisht në pikën e turit që kishin ndërmarrë nëpër qarqe të ndryshme të vendit titullarët e dikastereve, madje dhe vetë kreu i qeverisë Berisha. Pas prerjes së shiritave, që inauguronin segmente rrugore të ndërtuara me kontributet e taksapaguesve, kryeministri dhe kryetari i partisë së maxhorancës qeverisëse, Sali Berisha, nuk hezitoi të inauguronte një vit para datës së marrëveshjes kontraktuale, rrugën Durrës-Morinë, të cilën e bëri pjesërisht të kalueshme gjatë gjithë kohës parazgjedhore. Në përmasat e rrezikshmërisë konfliktuale po hynte edhe shtypi e media, të cilit politika i kishte hequr gradat dhe po e shfrytëzonte primitivisht. Falë parave të derdhura lumë, prej forcave politike, e që nuk ju ishte deklaruar burimi, kanalet televizive i kishin fshirë skrupujt editorialë dhe prodhonin lajme kasetash të parapërgatitura nëpër selitë e partive. Publikimi i një “liste të zezë”, sikurse u etiketua, nga OJF-ja “Koalicioni për Parlament të Pastër”, solli reagimin e më shumë se njëzet e pesë kandidatëve të konsideruar “të padenjë për t’u bërë deputetë”, duke e tensionuar akoma më shumë atmosferën e barutizuar, e që mund të eksplodonte sapo dikush të ndizte shkrepsen. Akuzat dhe kundërakuzat nëpër mitingje e kishin kaluar etikën duke u bërë armë që, nga çasti në çast, mund të ndiznin konflikte e beteja, midis palëve garuese etj. Ndërkohë, për t’ia prerë disi hovin kësaj gjaknxehjeje, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, një javë para mbajtjes së votimeve u tërhoqi vëmendje aktorëve politikë në fushatë, duke u bërë thirrje të zhvillonin një proces të qetë e të rregullt…
Po të njëjtin apel lëshoi edhe KQZ, që kritikoi drejtuesit e pushtetit vendor për krijimin e problemeve me vendosjen e qendrave të votimit. Sipas tij: duke ndryshuar vendndodhjen e qendrave të votimit, autoritetet vendore rrezikojnë mbajtjen e zgjedhjeve ngaqë krijojnë ndryshime në raport me parashikimet e kryera nga drejtoritë respektive të KQZ-së.
Mbërrin NATO
Delegacioni i vëzhguesve të përbashkët, në të cilin gjendeshin edhe ekspertë të NATO-s, që do mbikëqyrin zgjedhjet, zbriti në Tiranë në datën 25 qershor 2007, pra tre ditë para se të ngrihej perdja e arenës ku do të luhej spektakli që kishte në qendër hedhjen e votave nëpër kutitë e tejdukshme, prej materiali peçikllas. Ishte hera e parë që ky proces zgjedhor do të mbikëqyrej edhe nga ekspertë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO, pjesë e të cilës Shqipëria ishte bërë tre muaj më parë. Vendimi i pjesëmarrjes së ekspertëve të NATO-s ishte marrë nga Asambleja Parlamentare e këtij organizmi. Ekspertët do t’i bashkëngjiteshin vëzhguesve të Këshillit të Evropës dhe atyre të OSBE/ODIHR-it, duke formësuar kështu një grup kompakt monitoruesish, të cilët do të ndiqnin nga afër procesin zgjedhor të 28 qershorit. Duke qenë më tepër e interesuar për aspektin e sigurisë së ditës së votimeve, NATO i kishte ngarkuar vëzhguesit e saj të ndiqnin, më së pari, përmbushjen e kushteve në të cilat do të mbaheshin votimet. Përkundër ekspertëve të Këshillit të Evropës, të drejtuar nga Corien Jonker (Holandë), mes tyre edhe një ekspert i Komisionit të Venecias, – që kishin objektiv vëzhgimi anën institucionale dhe realizimin teknik të zgjedhjeve, – vëzhguesit e OSBE-ODIHR, kishin për detyrë monitorimin e përmbushjes apo të standardeve zgjedhore. Midis 5500 vëzhguesve që do të ndiqnin zhvillimin e procesit në të gjithë vendin, 500 qenë të huaj dhe përkrah tyre do të vepronin edhe grupet e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë të kryesuar nga eksperti shqiptar, Kristaq Kume, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2005. Sipas të dhënave zyrtare, Koalicioni mobilizoi 2500 raportues për të monitoruar zgjedhjet në qendrat e votimit dhe 400 për në qendrat e numërimit të votave. Gjashtë shoqatat joqeveritare do të vepronin të pavarura nga vëzhguesit e huaj në monitorimin e procesit të votimit, të numërimit, të punës së KQZ-së e të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor. Vëzhguesit e koalicionit do të ishin të pranishëm në qendrat e votimit të 12 qarqeve të vendit, si dhe në 66 KZAZ, duke mbuluar 100% të zonave urbane dhe rreth 20% të zonave rurale, rreth 50% të qendrave të votimit dhe 100% të vendeve të numërimit të votave. Koalicioni do të shërbente gjatë ditës së votimit edhe për të informuar opinionin publik në kohë reale për ecurinë e procesit të votimit, nëpërmjet një sërë konferencash shtypi. Bazuar në teknologjinë e dërgimit të mesazheve përmes SMS-ve, koalicioni i vëzhguesve vendorë 2009 do të raportonte informacione të ndryshme rreth procesit, si niveli i pjesëmarrjes së qytetarëve, në ditën e votimit, gjatë orëve të ndryshme, parregullsitë dhe ecurinë e procesit të votimit, parregullsitë dhe ecurinë e procesit të numërimit…
Garuesit, përfituesit dhe survejuesit
Sikurse njoftonin burimet zyrtare, në Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare që pritej të mbaheshin ditën e diel, subjektet pjesëmarrëse garonin të ndarë në katër koalicione. Koalicioni i majtë përbëhej nga “Bashkimi për ndryshim” dhe “Aleanca për ndryshim”, kurse koalicioni i djathtë nga “Aleanca e ndryshimit” dhe “Poli i lirisë”. Brenda këtyre koalicioneve gjendeshin 34 parti, kurse një parti e vetme, “Ligj dhe drejtësi” garonte e pavarur nga koalicionet.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 3.1 milion persona kanë të drejtën e votës, 1.444.000 persona paraqitën kërkesë për pajisje me karta identiteti. Në përmbyllje të fazës së pajisjes së shtetasve pa pasaportë me karta identiteti rezultoi se 250 mijë nuk arritën t’i merrnin ato duke u vetëpërjashtuar nga e drejta e votës.
Në të gjithë vendin do funksiononin 4750 qendra votimi (QV) dhe 66 qendra të numërimit të votave (QNV) të pajisura me kamera. Ndërkohë në mbrojtje të rendit dhe qetësisë publike qenë vënë 5500 policë gjithsej, që janë efektiva të Policisë Rrugore, asaj Kufitare dhe Policisë Rendit. 458 prej tyre janë të trajnuar. Për mbarëvajtjen e rendit dhe qetësisë publike në Tiranë ishin vënë në dispozicion 1200 policë.
Nga dymbëdhjetë zonat elektorale numrin më të madh të mandateve do ta kishte Tirana me 32 deputetë, Fieri me 16, Elbasani me 14, Durrësi me 13 deputetë, Berati me 7 deputetë, etj. Numrin më të pakët të mandateve do ta ketë Qarku i Kukësit, me 4 deputetë.
Kostoja e shpenzimeve të zgjedhjeve 2009 është më e larta e të gjitha zgjedhjeve parlamentare paskomuniste. Ajo llogaritet në 765.000.000 lekë (rreth 8 milion dollarë), duke e tejkaluar me 25 000 000 lekë më shumë buxhetin e zgjedhjeve 2005. Fondi që partitë parlamentare përfitonin nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore vërtitej tek 60 milionë lekë, por në këtë shifër nuk qenë llogaritur të ardhurat e padeklaruara të partive, që ende nuk dihet nga dhe prej kujt vinin. Lidhur me transparencën e këtyre të ardhurave, Kodi i ri zgjedhor parashikonte detyrimin e partive për të bërë deklarimet 45 ditë pas mbylljes së procesit.
Krahas strukturave shtetërore procesi i votimit do të monitorohet edhe nga dy OJF të financuara nga USAID-i për projektin “ECA-s & KRIIK”. Monitorimi prej këtyre dy OJF-ve do të ishte on-line dhe do të sjellë informacion të shumëplanshëm.
Thirrja e ndërkombëtarëve
“Mos kini frikë të votoni”!
Ishte mesazhi që dhanë drejtuesit e misioneve ndërkombëtare të akredituar në Tiranë, të cilët duke dashur t’i motivonin votuesit e zhgënjyer i artikuluan thirrjet e tyre jo vetëm të shtunën, por edhe ditën e votimit.
“Njerëzit nuk duhet të shqetësohen apo të kenë frikë për votën. Nuk duhet të votojnë kolektivisht e familjarisht, por ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të fshehtë dhe individuale”, -kërkoi ambasadori i SHBA-së, John Withers II.
“Ne shpresojmë dhe besojmë që gjërat të vazhdojnë kështu, në mënyrë që të gjithë tashmë të kenë guximin dhe vendosmërinë për të votuar. Unë u kërkoj njerëzve që nuk kanë votuar, të dalin dhe të votojnë, ndërsa njerëzve që kanë aplikuar për karta, do t‘ju kujtoja se mund t‘i tërheqin kartat deri në 19:00 të mbrëmjes”, -deklaroi Robert Bosch.
“Unë besoj se këto zgjedhje do të jenë të lira, korrekte dhe administrimi i rezultatit do të jetë po ashtu korrekt. Njerëzit duhet të votojnë për atë që dëshirojnë, të jenë të qetë, të lirë dhe të marrin pjesë në votim me qetësi”, -u shpreh presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili kërkoi që zgjedhjet e 28 Qershorit të bënin histori, duke rezultuar si të lira, të pakontestueshme dhe të drejta.
Nesër: E DIEL, 28 QERSHOR 2009
Shoqëruesi i Bujar Nishanit, godet kandidatin e PS