Rama shmang destabilizimin e fushatës elektorale. Ndryshe nga Sali Berisha, i cili 11 vjet më parë, vrasjen e Azem Hajdarit e përdori për të ndërsyer masat e militantëve kundër qeverisë socialiste, lidershipi i ri i PS-së, Edi Rama, e përcolli humbjen e jetës së deputetit Fatmir Xhindi me maturi. Duke ia lënë gjithçka në dorë organeve zyrtare të hetimit të cilave u bëri thirrje të angazhoheshin seriozisht në gjetjen e autorëve. Një sjellje e tillë lidershipi riktheu në rrugë shqetësimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, ku padyshim paisja me karta e gjithë votuesve përbën thelbin e çështjes.
Debati i ashpër pozitë-opozitë, rreth paisjes me karta identiteti falas të gjithë votuesve që nuk posedojnë pasaporta, u ndërpre nga një ngjarje kriminale. Vrasja e deputetit të opozitës socialiste, të ndjerit Fatmir Xhindi vetëm dymbëdhjetë ditë para se të niste zyrtarisht fushata elektorale u duk se do të rikthente në skenën shqiptare destabilizimin e situatës parazgjedhore. Aq më tepër bëhej shqetësuese kjo ndjesi po të kihej parasysh se një e tillë ngjarje kriminale e ndodhur rreth njëmbëdhjetë vjet më parë kishte sjellë jo tensionim, por destabilizim të rendit e qetësisë publike. I ndodhur në krye të opozitës demokratikase, kryeministri i qeverisë së vitit 2009, Sali Berisha, e kishte shfrytëzuar vrasjen e deputetit të ndjerë, Azem Hajdari, në shtator 1998, për të përfituar kapital politik, duke ndërsyer masat e militantëve të revoltuar kundër qeverisë socialiste të kryesuar nga Fatos Nano. Kështu që votimet për projektkushtetutën, të zyrtarizuara për t’u zhvilluar në 20 nëntor 2008, nuk mundën t’i shpëtonin agresivitetit që solli beteja e egër politike e ndezur pas ngjarjes kriminale.
Mirëpo, krejt e kundërta ndodhi në ditët e ardhura pas mbrëmjes tragjike në të cilën humbi jetën i ndjeri Xhindi. Lidershipi i ri i Partisë Socialiste, Edi Rama, e përcolli humbjen e jetës së deputetit me maturi, duke ia lënë gjithçka në dorë organeve zyrtare të hetimit të cilave u bëri thirrje të angazhoheshin seriozisht në gjetjen e autorëve. Një sjellje e tillë lidershipi riktheu në rrugë shqetësimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, ku padyshim paisja me karta e gjithë votuesve përbënte thelbin e çështjes. Kjo, pasi, pas këtij procesi i mbyllej porta jo pak shtigjeve manipulative të dëshiruara prej jo pak personazheve të rikthyer në jetën qeverisëse pas një të shkuare fajësuese. Mirëpo, vallë, a e garantonte lirinë e procesit të votimit, vetëm pajisja me karta identiteti e shtetasve, ndërkohë që shumë zona periferike të vendit ndodheshin jashtë administrimit, duke përbërë oaze të begata për manipulim? Ndërsa ishte fakt se, pas pranimit në NATO dhe paraqitjes së kërkesës për në BE, vendi ndodhej në një situatë krejtësisht të kundërt nga proceset e mëparshme zgjedhore, krejtësisht të favorshme për të prodhuar vota të lira, pyetja që mbetej ende pezull ishte: vallë vërtetë do të ndodhte kjo? Vërtetë Kryeministri i vendit, i edukuar me manipulimin e votave, do ta respektonte lojën demokratike të votës së lirë, apo sjellja e tij ishte vetëm një fasadë demagogjike, pjesë përbërëse e metodologjisë që Berisha kishte manifestuar gjatë gjithë këtyre 18 viteve të ikura? Nga përvoja e hidhur e të cilave elektorati shqiptar kishte shijuar lirinë e votës në 22 marsin e vitit 1992, kishte dhënë zgjidhje në procesin e 29 qershorit 1997, ndërsa kishte vënë zgjedhën politike në të gjitha proceset e tjera zgjedhore.
Përplasja
Kodi i ri Zgjedhor 2009, i miratuar pas një marrëveshje të ngushtë midis vetëm dy forcave politike më të mëdha të vendit, PS-PD, prodhoi nje sistem të ri që solli qetësinë dhe kulturën e votimit, ngaqë i preu rrugën hedhjes së parave nga kandidatët milionerë të maxhoritarit, por ai nuk ua ndali dorën partive të shpenzonin pa hesap të ardhura, që nuk u deklaruan kurrë se nga kishin ardhur. Aq më tepër, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura, ndërkohë që Shqipëria ishte pranuar anëtare e NATO-s dhe kishte aplikuar për të qenë vend kandidat për hyrjen në Bashkimin Europian, nuk rezultuan të ishin fundi i maskaradave të deriatëhershme zgjedhore. Madje, nuk mund të konsiderohet teprim krahasimi i atmosferës së përgjithshme në të cilën u mbajtën zgjedhjet e 28 qershorit 2009 me gropën e madhe në të cilën vazhduan të derdhin ujrat e tyre ulluqet e vegjël të së shkuarës… Lidërshipi i ri i të majtës, Edi Rama, vazhdonte të këmbëngulte në ambicien e tij, të shpallur dy vite më parë: kundër politikës së vjetër, për një politikë të re, përtej të majtës e të djathtës, duke lënë të nënkuptuar se pas Fatos Nanos duhej nxjerrë jashtë skenës politike edhe Sali Berisha. Për të humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e pritshme ishte mjeti më i mirë për të hequr Berishën dhe për t’ja arritur kësaj ishte e domosdoshme zhvillimi i zgjedhjeve sa më korrekte e ligjore. Por, për t’ja arritur kësaj, ishte e domosdoshme të korrigjoheshin edhe shumë gjëra të nisura e të lëna pezull nga procesi zgjedhor 2007. Duhej një tjetër Reformë Zgjedhore, që të pillte një Kod të ri Zgjedhor, por, për ta arritur këtë, duhej një dorëfutje tjetër në nenet përkatëse të Kushtetutës, gjë që nuk mund të arrihej pa një kompromis gjithëpolitik. Më së paku, midis dy më të mëdhenjve të politikës, ecja inatçore e të cilëve nëpër rrugën nëntëmbëdhjetë vjeçare të proceseve zgjedhore kishte ngritur re pluhuri dhe prodhuar baltovinë…
Beteja për Kodin
Diskutimi rreth ndryshimeve që i duheshin bërë Kushtetutës për të arritur një reformë të re zgjedhore kishin nisur prej kohësh. Madje domosdoshmëria e ndërmarrjes së një reforme të tillë ishte lënë si detyrë prioritare nga ndërkombëtarët, që pas përfundimit të zgjedhjeve të mëparshme. Por duhej një Kod zgjedhor që të mbyllte shtigjet abuzive, duhej një Kod brenda të cilit të përblidhej një ligj antidushk, një ligj antipara, një ligj që të garatonte qetësinë, që të shmangte manipulimin me çertifikatat, me listat, një ligj që, me pak fjalë, me një të goditur të shfaroste shumicën e prapësive të trashëguara nga e shkuara. Por edhe një Kod që të shfaroste mizërinë e partive që bubrronin në skenën e jetës politike të vendit më të varfër të Europës. Publikoheshin rreth 75 parti të regjistruara, gjysma e të cilave rezultonte si pjesëmarrëse nëpër proceset e votimit. Gjeje midis tyre parti familjare, parti klanesh, parti interesash, parti religjonale, parti trafikantësh, parti parash, parti shushunja etj., disa nga të cilat prej vitesh i qenë ngjitur të mëdhave dhe mbijetonin prej lëmoshave apo prej gjakut që i thithnin atyre.
Nga kush financoheshin? Si mbaheshin? Qenë enigma të mbetura të tilla pasi edhe vetë partitë e mëdha e shmangnin transparencën. Viti elektoral 2009 kishte hyrë dhe në pikën e ndryshimit të sistemit të vjetër e përzgjedhjen e të riut, debati ishte nxehur, duke rrezikuar të pillte armiqësi edhe brenda koalicioneve. Si të majtë, të grupuar rreth Partisë Socialiste, fillimisht, rezultonin Partia Social Demokrate (PSD), Partia Aleanca Demokratike (PAD), Partia Demokracia Sociale (PDS), Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), grupimi “G-99”. Në krahun e të djathtës, të prirë nga Partia Demokratike, ishin rreshtuar Partia Republikane(PR), Partia Demokristiane (PDK), Partia Bashkimi Liberal (PBL), Partia Demokratike e Re (PDR) dhe Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (PBDNJ).
Pas muaj debatesh, çështja e ndryshimit të sistemit arriti pikën kulmore kur, pas një konsensusi, të mëdhenjtë e dy grupimeve, PS-PD, hodhën poshtë sistemet e mëparshme propocional-mazhoritar, duke preferuar një të ri. Të paaplikuar më parë. Që u tha se ishte marrë nga sistemi spanjoll dhe kishte në bazë sistemin propocional, veçse jo atë kombëtar të aplikuar më parë, por proporcional rajonal. Gjetja e konsensusit midis PS-PD solli rebelimin e partive të vogla, madje edhe përçarjen e koalicioneve tradicionale.
Pas një takimi të mbajtur në fundshkurtin e vitit 2008, të vegjlit e majtë e të djathtë, të mbledhur së bashku, pas diskutimesh dolën me një deklaratë të përbashkët, ku paraqisnin kërkesat e tyre për reformën zgjedhore. Ajo çfarë binte në sy në këtë deklaratë, përveç kërkesave teknike që kishin të bënin me sistemin zgjedhor dhe pragun, ishte zotimi i dhjetë partive të vogla parlamentare për të bllokuar në Komisionin parlamentar për reformën zgjedhore dhe në Kuvend amendamentin kushtetues për sistemin zgjedhor, që nuk kënaqte interesat e tyre, e që sipas këtyre partive: “nuk përputhej me realitetin politik shqiptar”. Në këtë deklaratë, përfaqësuesit e majtë dhe të djathtë kërkonin që amendamenti kushtetues i miratuar t’i nënshtrohet referendumit. Kërkonin një sistem zgjedhor të tipit “Proporcional i personalizuar”, një Kuvend me 140 vende, me tavan të hapur, votim me një raund, prag elektoral prej 2.5 për qind. Po ashtu kërkonin që konkurrimi proporcional të bëhej mbi bazë listash të hapura, të kishte balancë 70-70 të mandateve mazhoritare dhe mandateve proporcionale, që konkurrimi në zonat njëemërore mazhoritare të bëhej midis kandidatëve me votim në mazhoritar, etj. Pasi parashtronin kërkesat e tyre dhe deklaronin se do të kundërshtonin çdo sistem tjetër zgjedhor-të ngjashëm me proporcionalin rajonal që mbështesnin dy partitë e mëdha, – të vegjëlit i apelonin Presidentit të Republikës që të ndërmerrte një nismë të moderuar, me qëllim zgjidhjen e drejtë të problemit të Reformës Zgjedhore, si një problem mjaft i rëndësishëm. Po ashtu, partitë e vogla deklaronin se do t’i drejtoheshin për informim e ndihmë edhe institucioneve ndërkombëtare, si Bashkimit Evropian, NATO-s, OSBE/ODHIR-it…
Por, në vend që të sillte reflektim pozitiv, deklarata e të vegjëlve solli përkeqësim të marrëdhënieve të tyre me dy të mëdhenjtë, madje thellim të konfliktit.
“PS ka depozituar në Kuvend kërkesën që synon ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke kaluar në një sistem të ri, ku do të garantohet vota dhe secili zgjedhës do të votojë në mënyrë të thjeshtë, duke u nisur nga një program dhe duke pasur përpara një ekip konkret. Partia Socialiste do të ketë ekipet e saj në të gjithë Shqipërinë, në rang qarku, dhe shqiptarët do të votojnë duke u nisur nga programi dhe nga ekipi. Dua të theksoj se kjo është një reformë e domosdoshme pasi ju vetë jeni dëshmitarë të atyre fenomeneve që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit, ku në funksion të së majtës dhe të PS kanë marrë votat tona, parti që sot gjenden në koalicion me Berishën. Reforma e re zgjedhore do t’ju garantojë votën tuaj dhe ne kërkojmë që të kalohet tek ky sistem që garanton një demokratizim të procesit zgjedhor duke u nisur nga programi, nga idetë, në mënyrë që zgjedhja të bëhet jo mbi bazën e një deputeti që sjell ca makina me çakull apo jep ca lekë, apo siguron ca viza për matanë kufirit. Këto nuk janë punë deputetësh, zgjedhjet nuk mund të kthehen në gara që kush ka lekë, kush bën një rrugë, kush bën një kanal bëhet deputet. Ju jeni dëshmitarë, se ky kandidat, që më pas bëhet deputet, harron ta mbylli atë kanal që e ka hapur gjatë fushatës, apo të mos kalojmë tek premtimet e pafundme. Pra, vetëm me sistemin e ri, ne i themi çdo zgjedhësi që të vendosi për më të mirën me votën e tij”, ishte deklarimi i Edi Ramës, i bërë në qytetin e Pogradecit, në 09 prill 2008, gjatë vijimit të turit të tij “Dialog me Shqipërinë”.
Në një mbledhje të Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa diskutohej rreth Reformës Zgjedhore dhe qëndrimit të aleates së madhe PS, prishja e marrëdhënieve me Partinë Socialiste zuri qendrën e diskutimeve. Kryetari i kësaj force politike, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij deklaroi: “Përdorimi i sistemit proporcional rajonal në zgjedhjet e ardhshme elektorale është shprehje e planit të dy partive të mëdha, PD e PS, për t’i manipuluar ato. Kjo pasi, dy kryetarët e këtyre partive, Rama e Berisha, kanë bërë një marrëveshje të fshehtë, në kurriz të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Propozimi i Partisë Socialiste është tërësisht i gabuar. Me insistimin e saj për proporcionalin rajonal, PS nuk bën gjë tjetër veçse do t’i dhurojë Berishës, fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Edi Rama e ka shkelur disa herë bashkëpunimin brenda opozitës, duke bërë të njëjtat gabime si paraardhësi i tij Fatos Nano. Ne shprehim keqardhjen sot që lidershipi i PS-së nuk ka mësuar asnjë gjë nga dështimet e lidershipit të mëparshëm të PS-së. Na vjen keq që koalicioni i vjetër opozitar nuk e kreu misionin e tij dhe as objektivat politike që ai caktoi. Ai pushoi së ekzistuari realisht pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007”, u shpreh Meta. Madje duke mos ngurruar të deklarojë se: “E majta për integrim” do të hyjë vetëm në zgjedhjet e vitit 2009, për t’i fituar ato falë forcës së LSI-së dhe kontributit të progresistëve dhe të të majtëve të vërtetë. Ky koalicion i madh i yni, i socialistëve e progresistëve, ka përgjegjësinë, gjithashtu, të përfaqësojë të gjithë ata të majtë që kurrë nuk e kanë menduar se lidershipi i tyre do të preferonte një marrëveshje me Sali Berishën duke injoruar tërësisht ata që i dhanë votën”.
Në datën 21 shkurt, në vijimësi të Deklaratës së Metës, si edhe vendimit të Kryesisë së kësaj force politike, pranë Gjykatës së rrethit Tiranë u depozitua kërkesa për të rregjistruar ligjërisht subjektin politik “Koalicioni e Majta për Integrim”. Në këtë grupim politik, sikurse do të publikohej, do të bënin pjesë jo vetëm përfaqësues të partive dhe të sferave politike, por dhe personalitete të fushave të ndryshme, deputetë, të zgjedhur vendorë të çdo hierarkie, si dhe çdo shqiptar ose shqiptare që do të gjente aspiratat e veta në platformën, statutin dhe programin e këtij formacioni politik, i cili, siç deklaroi kreu i tij, Meta: “pa ekuivok i përket të majtës shqiptare në tërësi”.
Por ajo që i vuri kazmën koalicioneve ishte mbledhja e Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe rënia dakord e dy të mëdhenjve për ligjërimin e ndryshimeve kushtetuese, ku përcaktohej sistemi zgjedhor. Kjo ndodhi mesditën e datës 14 prill 2008, vetëm pesë ditë pas dështimit të një përpjekjeje për miratim në seancën e datës 2009.
Ky veprim i humbi, përfundimisht, shpresat e partive të vogla, duke sjellë një rigrupim të ri të koalicioneve. Çarjen më të madhe nga ky konflikt e pësoi e majta dhe kjo ndoshta sepse, ndërsa Partia Demokratike kishte qenë, pothuajse korrekte, në bashkëveprimin e saj me të vegjëlit, ishte hera e dytë që Partia Socialiste i hante në besë satelitët e vet. Herën e parë në zgjedhjet parlamentare të 03 korrikut 2005, kur kishte në krye Fatos Nanon dhe tani, kur vendin e Nanos e kishte zënë Edi Rama. Qejfmbetja e aleatëve, këtë herë, u kthye në tërbim, pasi veprimi i “pabesisë së Ramës”, siç u cilësua prej tyre, vinte ndërkohë që zotimi i tij për të krijuar një të majtë solide e të pathyeshme, një të majtë ndryshe nga ajo e politikës së vjetër nanoiste, ishte premtuar si një prioritet i politikës së tij të re.
Por, sapo dy partitë e mëdha dhanë konsesusin e tyre për të ndryshuar Kushtetutën në ato pika që kishin të bënin me zgjedhjet parlamentare, qejfmbetja përfshiu edhe partitë aleate të demokratikasve në koalicionin qeveritar. Ata i dërguan një letër kreut të qeverisë, njëkohësisht kryetar i PD-së, Sali Berisha, përmes të cilës i kërkonin takim urgjent, lidhur me mënyrën si po zhvillohej reforma zgjedhore…
Ndërkohë që Sali Berisha pranoi të takohej me të vegjlit e tij, mbasditen e datës 14 prill 2008, Edi Rama e anashkaloi me mospërfillje kërcënimin.
Me duket nder shkrimet me gte dobeta. Duket sikur merr persiper te thote dicka dhe kalon ne hallakatje. Me se fundi a e mori vesh elektgoratyi se kush e vrau Fatmir Xhindin. C’pergjigje mori Rama nga organet e drejtesise te cilave ja u la ne dore? Pordhe me rigon. Shkrim kot.
Gzetar Shyti: Ju sikur flisni per ndonje planet tjeter o burre i dheut.Per vrasjen e liderit te dhjetorit more pjes rreth 80 persona .Kurse per vrasjen e Xhindit i vrar ne fshat nuk dihet nr i pjesmarrsve.Familjart e te afermit ne se done e gjejn,duke shikuar levizjet e tij ne vend banimin e tij.Si i del ne mbrojte Rames ku per karriken e tij ,per pak sa nuk u be nami.Ne shkrimet tjera banu pak ma i besueshim se ateher quhesh gazetaruc politik pa as nje vlere.Megjithse ne ate stan ku jeni te till bulmet gjindet.