Entela Resuli – DITA
Për të, të vrapuarit nuk është thjesht një profesion, është mënyra e saj e të jetuarit. E kush nuk e njeh Luiza Gegën, atleten që në 2016 fitoi titullin nënkampione Europe. Vajza më trupin e vogël, e cila njihet ndryshe si sportistja e medaljeve të arit, kërkon vetëm të thyejë rekorde, siç ka bërë deri më tani më rekordet kombëtare.
E pranon me çiltërsi, se 2017 nuk ka qenë viti i saj. Ka patur probleme me dëmtimet në tendinë të cilat nuk e lejuan të merrte pjesë në gara të rëndësishme jashtë vendit. Por momentalisht është duke u stërvitur për dy aktivitete me peshë që do të jenë në 2018-n: Lojërat Mesdhetare dhe Kampionati Europian.
Sot kemi vendosur të njohim më shumë Luizën, vajzën që tashmë është futur në histori dhe sa herë na sjell medalje na bën krenar, por pak dimë për të dhe jetën e saj.
Luiza Gega ka lindur në Dibër dhe kur ishte 3 vjeç, familja e saj u zhvendos në Durrës. Është fëmija i dytë i një familjeje me pesë fëmijë dhe e vetmja që merret me sport. Kujton të rriturit që i thoshin kur ishte e vogël, “po rri moj, rri pak, në një vend”. Por ajo e kishte të vështirë të ndalej. Ndërsa sot, e ka të pamundur. Gega mban rekordet e 800, 1500, 3000 dhe 3000 metrave me pengesa, dhe nënkampione e Evropës në garën 3000 metra me pengesa. Me gjithë këto rezultate, Luiza jeton në një shtëpi më qira, ka një pagesë modeste, dhe kushte të vështira stërvitore… Në këtë intervistë, 29-vjeçarja tregon më shumë për veten dhe vrapin e saj të përditshëm.

-Luiza, tashmë të gjithë të njohin si kampione atletike, po na trego pak për fëmijërinë, çfarë mban mend nga ajo periudhë?
Vendlindja ime është Dibra, në moshën 3-vjeçara familja u shpërngul në Durrës ku jeton dhe sot. Kam qenë fëmijë i lëvizshëm, mami më tregon që asnjëherë nuk qëndroja në një vend pa lëvizur ose pa bërë diçka dhe kur isha shumë e vogël. Gjithmonë tërhiqesha nga lojërat që bënin fëmijët dhe dëshira ime ishte të rrija gjithë kohës të luaja jashtë, ku mbaj mend që mamin shpesh herë e acaronte kjo gjë.
-Ke kujtime nga ajo kohë?
Sigurisht që kam, pasi kur kam qenë fëmijë për fat të mirë akoma nuk ishte zhvilluar interneti dhe deri në moshën 14-vjeçare unë s’kam pasur as telefon. E vetmja gjë që mendonim gjithë ditën ishte të luanim me peta apo topa djegësi, shpesh herë luaja dhe futboll me çunat e lagjes dhe pse mamit nuk i pëlqente kjo (qesh). Dëshira ime ishte vetëm të luaja, isha natyrë, që nuk më pëlqente të rrija në një vend.

-Luiza, ka qenë dikush që e ka zbuluar talentin tënd, kur ka ndodhur kjo?
Në shkollën 8-vjeçare shpesh herë organizoheshin gara vrapimesh në shkollë pastaj midis shkollave të tjera, dilja gjithmonë e para. Një i afërmi im që jetonte afër shtëpisë sime, në atë kohë ishte trajner te shkolla e mesme, “Mjeshtëria Sportive Durrës”, i cili një ditë më pyeti: A kë dëshirë të vish të stërvitesh!? Unë pa menduar gjatë i thash Që kur ishte e vogël “Po”. Foli me prindërit e mi dhe ata ishin dakord, ndaj qysh të nesërmen fillova të stërvitesha. Isha në klasën e 8, pra 14 vjeç kur fillova të ushtrohesha për herë të parë, që nga ajo kohë nuk jam ndalur.
-Viti 2016 ka qenë më shumë lajme për ty, po 2017 si ka qenë deri më tani dhe çfarë pret në të ardhmen?
Viti 2016 ishte viti më i suksesshëm i karrierës sime dhe pse unë kisha kohë që përgatitesha fort për një medalje të tillë dhe pse kam marr Që kur ishte e vogël dhe shumë medalje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, por sigurisht marrja e titullit si nënkampione Europe për mua ishte arritja më e madhe. Për sa i përket vitit 2017, mund të them që nuk ishte viti që unë prisja të ishte dhe pse këtë vit kam thyer shumë rekorde kombëtare, por për shkak të një dëmtimi që pata në tendin m’u desh të shkëpusja aktivitetet me të rëndësishme, edhe pse isha stërvitur shumë për to.
2018, pra viti qe vjen është përsëri një vit i rëndësishëm ku do përgatitem për dy aktivitete qe unë i cilësoj si më të rëndësishme. Lojërat Mesdhetare dhe Kampionati Europian që do të jenë në sezonin e verës ku dhe kam objektiva te mëdha.
-Luiza, thonë që është më e thjeshtë të arrish një rezultat se sa ta mbash atë, si ka qenë për ty?
Në fakt unë çdo vit thyej rekord kombëtar, që do të thotë që çdo vit bëj më mirë se viti që lë pas. Rezultatet e mia janë akoma në rritje dhe pse sigurisht ngushtohet diferenca në sekonda sepse dalëngadalë trupi fillon arrin limitet, sigurisht që çdo vit duhet të mundohesh të jesh më e detajuar në gjithçka, stërvitje, regjim fizioterapi etj., për të qenë akoma në rritje.
-Shpesh, dhe me të drejtë, ke shprehur pakënaqësitë e tua në raport me institucionet e sportit për mënyrën se si të kanë trajtuar. Po tani, ka ndryshuar diçka në këtë drejtim?
Më vjen keq që unë duhet të shqetësohem për trajtimin tim që është fare i pamjaftueshëm për të hequr shpenzimet e stërvitjes pasi të qenurit elitë, kërkon shpenzime, kërkon grumbullime të herëpashershme, kërkon një ushqim të detajuar e cilësor etj. dhe që unë duhet të bëj gjithë kohës llogari se, a do mundëm të shkoj në grumbullim etj. Ndërkohë që detyra e një sportisti elitë është thjesht të mendojë për stërvitjen, përkushtimin e të mos shpërqendrohet për asnjë hall e problem, se ndryshe nuk i merr dot rezultatet që mendon.

-A ndihesh e mirë paguar dhe a ka ndryshuar diçka në kushtet e stërvitjes?
Aspak nuk ndihem e mirëpaguar. Kam marrë në vit vetëm 200 mijë lekë të reja nga federata, kam 3 vite që jam të Ministria e Mbrojtjes ku të them të drejtën më ka ndihmuar dhe pse në mënyrë modeste, për harxhimet që unë kam në sport, por përsëri ishte një ndihmë. Këto vite jam trajtuar si e veçantë pasi unë mund të shkoja në punë sepse duhet të stërvitesha paradite, pasdite, dhe shkoja rrallë, por kam pasur mbështetje. Ndërkohë që sot më kërkohet të shkoj me orar të plotë, ndryshe unë largohem sepse kështu e ka rregullorja dhe pse e dinë shumë mirë që unë nuk shkoj për këtë arsye që ju thashë më sipër.
Por nuk ka asnjë ligj që mund t’i mbrojë sportistët elitar apo t’i trajtojë si të veçantë, siç e ka e gjithë bota. Por këtë vit për fat të mirë kam pasur mbështetje nga Western Union dhe nga Bashkia e Tiranës që më kanë ndihmuar të mbuloj shpenzimet e stërvitjes, ku gjej rastin t’i falënderoj.
-Ti besoj ke parë edhe kolegët e tu jashtë, si është diferenca mes tyre. Si i trajton shteti ata dhe si ty?
Çdo shtet në lidhje me sportin ka disa rregulla, vendos disa kritere dhe në bazë të këtyre kritereve i trajton sportistët. Po jap një shembull, nëse një sportiste kap normën e Kampionatit Botëror, ajo ka një trajtim shumë specifik, vendos ku dëshiron që të shkojë të stërvitet dhe vendi i mbulon çdo shpenzim.
-Habiten kur i tregon se ku dhe si stërvitesh?
Sigurisht sepse ata e dinë se çfarë do të thotë të jesh sportiste e nivelit të lartë e sa sakrificë e lodhje kërkon.
-Ke një kërkesë që do t’i bësh institucioneve?
Kërkesa ime do ishte të kishte një ligj për sportistët elitarë që i kanë sjell medalje të rëndësishme vendit, të ketë një ligj që t’i trajtojë ata si të veçantë gjatë kohës që stërviten e në momentin që lejon sportistët të mos ia nisin jetës nga e para.
-Je mërzitur ndonjëherë që ke zgjedhur ushtrimin e këtij sporti?
Sigurisht që ka momente që dhe kam dashur të tërhiqem, por dashuria që kam për këtë sport është më e madhe se mërzitjet që mund të kem. Unë jetoj shumë emocione që jo gjithë mund t’i jetojnë dhe kjo më pëlqen.

-Nëse nuk do ishe atlete, çfarë do ishe sot?
I jam futur këtij sporti që në moshë të vogël pa patur mundësi të mendoj se çfarë mund të zgjidhja tjetër në qoftë se s’do bëhesha atlete.
-Luiza, çfarë mendon kur vrapon, kur je në një pistë gare?
Sigurisht e gjitha gara është një fokus i madh që në momentin e nisjes, ti mendon të pozicionohesh mirë, të mos lejosh njeri të të pengojë, të llogarisësh fuqitë e tua, dhe atëherë kur ndjen që po lodhesh, mundohesh mos e lëshosh veten, por të arrish sa më shpejt në vijën e finishit.
-Tani le të prekim një temë që shumë mund të jenë të interesuar. Sa ndikon vrapi në dobësimin e njeriut apo në mbajtjen e trupit në formë?
Sigurisht që vrapi ndikon e sidomos kur ai bëhet në mënyrën e duhur i merr shumë gjëra pozitive.
-Sa duhet të vrapojë një person, sa minuta në ditë?
Kjo nuk është e njëjtë për çdo individ. Varet a është marrë me sport më përpara individi, varet si reagon trupi i tij në lidhje me vrapin, varet çfarë do që të arrijë, prandaj është e rëndësishme konsultimi me ndonjë trajner profesionist përpara se të nisësh të vraposh.
-Shpesh zbulojmë se vrapojmë gabim. Ka një sekret mënyra se si vrapohet?
Nëse kërkon të dobësohesh, duhet të vraposh ngadalë dhe gjatë me një puls jo të lartë. Vrapimi duhet të bëhet në zonat aerobike sepse në atë mënyrë ne djegim yndyrna. Pastaj nëse dikush kërkon të rrisë performancën fizike, bëhet një program specifik ku do ketë ditë që do vrapojë ne zonat aerobe, do ketë ditë që do vrapojë në zona anaerobe etj.
-Luiza edhe sa kohë mendon të vraposh, pasi ky është një sport që ka një kufij moshe apo jo?
Ndoshta mbas olimpiadës së Tokios 2020 do ta mendoj se çfarë do bëj. Tani për momentin nuk e mendoj diçka të tillë.
-Kur nuk arrin një rezultat, si e nxjerr mërzinë, inatin?
Sporti nuk bëhet me inat, sepse sado inat të kesh, këmbët e tua do të vrapojnë aq sa munden. Sporti kërkon fokus, përkushtim regjim që ti të bësh më të mirën. Sigurisht që ka mërzitje sepse gjërat në garë jo gjithmonë shkojnë siç duhet, por kjo s’do të thotë që ti duhet të dorëzohesh.

Ku ka ambasadore me te mire per Shqiperine dhe emrin e saj, sesa keta sportiste qe i numerojme me gishtat e dores..Pse duhet kaq shume burokraci per te mundesuar suportimin e tyre te plote?? Gjate gjithe jetes time me cdo interviste rekordmeni kam lexuar vetem pakenaqesi ne trajtimin e tyre (peshengrites, atlete etj.). Pastaj ankohemi perse u larguan Pirro Dhima etj etj. Dikush nga qeveria duhet ta marri persiper kete pune e ta coje deri ne fund!!! Suksese Luizes e sportisteve tane elitare!
Ik mi katunare.Sa here qe ke gara te rendesishme ose je e demtume dhe nuk merr pjese ose del e fundit.Megjithate,suksese.