E ç’të shkruajmë-e ç’të themi,
tani në muzgun e jetës,
pa dyshim në doré s’e kemi,
formulën e së vërtetës.
Se neve jemi poetë,
zili Zoti do na kish,
s’pyetëm né të vërtetë,
në u derdh – a në u prish.
Se neve jemi poetë,
muzat me nektar i shkundëm,
s’pyetëm në këtë jetë,
sa fituam dhe sa humbëm!.
Dridhet syri ndënë vetull,
dridhet si ky muzg i murmë,
do kuptohet për një shekull,
nëse lamë ndonjë gjurmë.
Në mëngjes sa shkrepi drita,
trëndafilja lulëzojë,
kush na desh-i’u shtoftë dita,
kush s’na desh s’ka pse të mos rrojë!
Dimëroj si Zog’ i Detit,
pres e pres të vijë pranvera,
se në zemrën e poetit,
s’mbijnë kurrë gjëmba dhe ferra.
Dimëroj si Zog’ i Detit,
pres e pres për lulëzimin,
s’mban dot zemra e poetit,
as urrejtjen-as mallkimin.
Rëntë bore e më mbuloftë,
nata me qefin të artë,
dashtë Zoti më kuptoftë,
Zoti i Tokës atje lart.
Shkrova vargje të magjishme,
se magji kisha në kokë,
dhe në jetën e stuhishme,
vetëm veten pata shok.
Vetëm veten pata shok,
shoqe vesën edhe lulen,
dhe kur të jem ndënë tokë,
do ngrihem që t’u përulem.
Troku i jetës kurrë s’ndal,
trokon mbi shkëmbinj e gurë:
“Dashuria që ti fal,
dihet qé s’të kthehet kurrë!.”
Në stacionet ku u ndala,
dhimbjet-ferr-por s’ulërita,
dashuria që ju fala,
të më kthehej kurrë s’prita.
Dhimbjet ferr edhe pelin,
po nuk thashë: “Bo-bo ç’më gjeti!.”,
këto dhimbje pa dyshim,
i duron vetëm poeti.
I duron vetëm poeti,
ky vullkan krejt i pashuar,
se poetin zgjodhi Zoti,
në dhimbje për ta provuar.
Gjëmojnë në breg të detit,
dhe s’pushojnë kurrë valët,
po ndryshe fati i poetit,
një ditë i mbarojnë fjalët!
Një ditë s’do ketë më zgjim,
tek kjo Botë e flamosur,
se edhe mademi im,
është gati në të sosur.
Dhjetor 2007-Gusht 2016

Nje poete qe ke endje ta lexosh. Nje poete me krijimtari te gjere dhe pasqyruese te realiteteve shqiptare. I uroj qe krijimtaria e tij te jete e vazhdueshme. Me shume respekt nje admirues i tij