Në zonat malore të vendit kanë rënë dëborë me intensitet gjatë natës, ndërsa reshje priten deri në mesditë.
Autoriteti i Rrugëve bën me dije se në shumë akse është i domosdoshëm qarkullimi me zinxhirë.
Në qarkun e Kukësit, janë të detyrueshëm zinxhirët në akset Tuneli i Thirrës-Kalimash-Morinë dhe sigurisht edhe në drejtim të fshatrave.
ARRSH ka dhënë të njëjtën direktivë edhe për akset: Librazhd-Pogradec, në Qafë Thanë; Milot-Mirditë dhe Mat-Bulqizë.
Në Qarkun e Korçës situata më problematike paraqitet në aksin Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë; Pogradec-Qafë Plloçë, Podgorie-Liqenas, deri në Doganën e Goricës në juglindje të vendit. Reshje bore po bien edhe në Qafën e Llogarasë, ku është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve.
Gjithashtu, autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët në timon të ruajnë normat e shpejtësisë, të respektojnë sinjalistikën dhe të shmangin konsumimin e pijeve alkoolike.
Pas reshjeve të dëborës, pritet rënie e ndjeshme e temperaturave deri në minus 15 gradë në zonat malore, ndërsa në zonat fushore deri në minus 5 gradë. Shkak është masa e të ftohtit nga Siberia. /Dita/
