Politikat e zgjerimit të Bashkimit Europian janë përcaktuar qartë në nenin 49 të traktatit të këtij unioni. Shqipëria e Saliut nuk plotëson asnjë kriter dhe gjithçka thuhet janë fjalë propagandistike që bëhet për të hutuar miletin siç është dhe heqja e vizave amerikane. Dinjiteti njerëzor nuk respektohet as në nivelin zero nga kjo qeverisje e nëmur. Kjo u pa në grevën e urisë ku u dëgjën dy njerëz të vuajtur në burgjet e sistemit komunist. Njëri prej tyre u la të vdiste.
Por është parë me shfrytëzimin barbar të kromit të Bulqizës ku deri tani kanë vdekur në krye të detyrës plot 25 njerëz fukarenj, të pasiguruar as jetën dhe asgjë tjetër. Dinjiteti njerëzor u pa me Gërdecin. Askush nuk kuptoi se kush ishte sipërmarrësi, pse u bë pikërisht aty demontimi, sa para u futën në xhepat e dajës dhe sa te xhepat e lalës, kush qe fajtori etj. Vetëm pse u godit me gurë makina e kryeministrit nga një njeri e degjeneruan në paraburgim madje e detyruan të gjorin të thotë se do të votojë Partinë Demokratike.
Ligji nuk respektohet,nuk zbatohet dhe shpesh u jepet karakter formal. Tani në prag zgjedhjesh po ndërtohet pa leje kudo,nuk paguhen drita e ujë,bëhen shkarkime dhe emërime partizanësh në këmbim të votave dhe gjithçka tjetër është e pranishme në funksion zgjedhjeve e pushtetit politik të korruptuar. Shqipëria kriterin politik nuk e plotëson sa kohë nuk është në gjëndje të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme njerëzish të qetë.
Ndaj Shqipërisë u bë mjaft lëshim lidhur me antarësimin e saj në NATO dhe tashmë ajo ende s’ka provuar se e meriton atë po të kemi parasysh detyrat që lidhen me demontimin, shkarkimet e paligjëshme të gjeneralëve dhe strukturave të tjera dhe privatizimet e aseteve ushtarake të realizuara në konflikt interesi.
Ngjarjet e vazhdueshme politike, diplomatike, ekonomike, ushtarake e më gjërë, kanë pezmatuar aktorët kryesorë që kanë në dorë integrimin e prespektivën europiane të vëndit. Kjo detyrë e pazbatuar nga kjo qeveri unë besoj se do marrë jetë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Edi Rama ka treguar se di të mos i ndajë fjalët nga veprat.
Letër e nënshkruar: Sadedin Çeliku
