Zhurmat që vinin nga brenda e bënë të ndalonte për një çast para derës së rëndë. Mënjanoi pak kokën aty poshtë ku qëndronte qeni i tij. Me një shikim të frikësuar dhe lutës ai sikur kërkonte që ajo derë të mos hapej.
Gjithmonë në një kërkim të vazhdueshëm, zhgënjyes e të dhimbshëm, rruga e kish detyruar të qëndronte përpara asaj dere të rëndë, ku pas së cilës, thuhej se njerëz shumë të ditur dhe të mirë, vendosnin ligje të drejta. “Ligjvënësit”, se kështu quheshin këta njerëz, punonin pa kursim që populli, i cili i kishte zgjedhur, të jetonte i paqtë dhe i begatë.
Me një drithërimë të lehtë padurimi, ai shtyu derën e drunjtë. Bëri pak hapa përpara duke tërhequr me vështirësi shoqëruesin e tij që gjithnjë e më shumë ngulte këmbë mbas dyshemesë për të mos shkuar më tej. Dritat e shumta në tavan, në mure e kudo, si dhe zhurmat që dëgjonte në korridor, tani të kthyera në klithje, e bënë që të ndalojë. Ai vërtetë që jetonte në rrugë, brenda në një vozë druri, dhe për këtë kish parë e dëgjuar shumë, por ajo që pa dhe dëgjoi në mes të këtyre njerëzve të mirë, e mpiu. Qëndronte aty i palëvizur, thuajse i zhveshur, pasi tunika e vjetër dhe e grisur nuk arrinte të mbulonte të gjithë lakuriqësinë e atij trupi të plakur.
Në dorën e djathtë mbante një fener të ndezur më një gjuhëz flake që dukej sikur regëtinte në atë ndriçim verbues të sallës. Në dorën e majtë shtrëngonte një bastun për t’u mbështetur dhe një rrip që mbante të lidhur qenin e tij. I shkreti qen! Me kurrizin e ulur dhe bishtin e futur mes shalëve, kish kthyer kokën nga i zoti me shikim tmerri e lutjeje. Shikonte se qe i rrethuar me qenie që ngjanin me padronin, por nuk kuptonte pse i kallnin aq frikë, ndërsa ai, si i mëdyshur, ndonëse i larë nga dritat e sallës, rrotullonte fenerin e ndezur për të parë më mirë, a thua se një perde terri nuk e linte të gjente rrugën. Kjo lëvizje e fenerit ngritur mbi kokën e tij, që rrotullohej majtas dhe djathtas në kërkim të diçkaje, së pari krijoi habi, e më pas heshtje. Ai i keqardhur deri në lot vazhdonte të rrotullonte fenerin me një shpresë drithëruese. Po kërkonte një njeri të mirë… Ndoshta dhe e shprehu me zë këtë dëshirë, se sakaq, si një koshere grerëzash të zhurmshme e të helmëta, ata, “ligjvënësit”, u sulën mbi viktimën.
– Oh! Ky është kulmi! Po pse, ne ç’jemi? Ky zhelan! Si guxon? Ky i pafytyrë që vjen në një tempull me një qen…
Nuk dihet si do vazhdonte e gjitha kjo sikur një hungërimë shpelle që dora-dorës shpërtheu si një piskamë:- Armatosuni! Vriteni qenin! Vriteni…!
I ngrati qen. Sapo dëgjoi këto klithma djajsh, i trembur gjer në vdekje, kërceu në krahët e të zotit. Ky burrë i plakur e i dobët, çuditërisht tani i mbuluar nga një brerore drite, i ri, plot nur e mëshirëplotë, fërkonte lehtë-lehtë kokën e qenit dhe ëmbëlsisht i pëshpëriste: “Miku im, miku im!” N. M.
