Në shumë kultura, flokët e gjatë dhe me volum konsiderohen simbol i bukurisë femërore. Flokët e bukur dhe të shëndetshëm janë ëndrra e çdo gruaje.
Por, shumë gra pas të 40-ave përballen me dobësimin dhe rënien e flokëve. shkaqet mund të jenë të ndryshme, por ndër më kryesoret renditen ndotja mjedisore, stresi, mosha, sëmundjet e tiroides, përdorimi i tharëses apo shampot sintetike.
Mesatarisht, çdo individ ka 100 000 mijë fije floku. Flokët e femrave rriten më ngadalë në krahasim me ato të meshkujve. Nëse kanë kujdesin e duhur, flokët rriten mesatarisht 12 cm në vit.
Disa këshilla për flokë të shëndetshëm
Për të pasur flokë të shëndetshëm dhe me volum, duhet të kini parasysh disa gjëra:
Përdorni gjithmonë një furçë me qime natyrale
Mos i lidhni gërshet flokët kur janë ende të lagur
Shmangi stilimin me nxehtësi
Minimizoni përdorimin e kimikateve si bojërat, locionet e permanentit, dekolorantët etj
Bëni kujdes me dietën
Një dietë e shëndetshme do të thotë flokë të shëndetshëm. Përpiquni që dieta juaj ushqimore të përmbajë ushqyesit kryesorë që u nevojiten flokëve, në mënyrë të veçantë proteinat. Një nga arsye kryesore të hollimit të flokëve është dieta e varfër në proteina. Këto të fundit gjenden në sasi të mëdha te peshku, vezët, qumështi dhe bathët. Soja është gjithashtu një ushqim efektiv në shëndetin e flokëve.
Majat e dyfishta mund të zvogëlojnë rritjen e flokëve. Nëse i prisni rregullisht flokët e dëmtuar, folikulat e qimeve do të kryejnë funksionin e tyre më shumë në rrënjë sesa në majat e dëmtuara dhe si pasojë flokët do të rriten më shpejt. Heqja e majave të djegura këshillohet të bëhet çdo 6-10 javë.
Masazhoni skalpin
Masazhi i lëkurës së kokës nxit qarkullimin e gjakut, i cili furnizon me oksigjen dhe elementë ushqyes rrënjët e flokëve, duke forcuar rrënjët e ndihmuar rritjen. Masazhi i skalpit rekomandohet të bëhet me vaj ulliri jo më shumë se tri herë në javë.
Shmangni larjet e shpeshta
Na pëlqen apo jo, larjet e shpeshta mund të dëmtojnë flokun dhe sklapin, duke e privuar rrënjën nga vaji natyral, i cili ndikon në rritjen dhe trashësinë e fijes së flokut. Flokët nuk duhen larë më shpesh se tri herë në javë.
Mos i krihni menjëherë pas larjes
Mos përdorni krehër apo furçë mbi flokët e lagur. Pas daljes nga dushi mund të përdorni thjesht një krehër me dhëmbëza të rrallë dhe t’i lini flokët të thahen, mundësisht në mënyrë natyrale. Shmangni mbledhjen apo lidhjen gërshet gjatë kohës që ato janë të njoma.
Bëni kujdes me tharësen
Përpiquni të rralloni përdorimin e tharëseve, piastrave dhe mashave. Nëse ju duhet t;i përdorni këto pajisje, rekomandohet patjetër aplikimi i sprajit që mbron flokun nga nxehtësia.
Përdorni balsamin
Nëse dëshironi flokë të shëndetshëm dhe të fortë, hidratimi është shumë i rëndësishëm. Trajtimet në shtëpi apo te profesionistët ndihmojnë në riparimin e dëmeve. Për këtë rekomandohen maskat, balsami dhe kremrat.
Një trajtim në kushte shtëpie do të ishte ai me vezë. Dy lugë kos dhe një vezë përzihen mirë dhe aplikohen në rrënjët e flokëve. Lihen aty për 30 minuta dhe më pas floku lahet me shampo.
Kujdes nga stresi
E dinit se stresi ngadalëson rritjen e flokut? Kjo nuk është e gjitha, pasi nivelet e larta të stresit e bëjnë flokun më të dobët dhe të ndjeshëm. Nëse ekspozoheni shpesh në situata stresuese, mbani parasysh edhe ndikimin te flokët. Ushtrimet fizike, meditimi dhe joga janë disa prej teknikave efektive antistres. / Gazmira Sokoli

Po por si mund te kemi flok me ndriqim