Formimi i zbokthit, apo siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësore “Seborrhea”, është një ndër shqetësimet më të shpeshta, prej të cilës rrezikojmë të gjithë. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se cilët janë faktorët që ndikojnë, shenjat dalluese, rastet kur seborrhea përbën një problem mjekësor, kategoritë më të rrezikuara, si dhe këshillat që duhet të ndjekim për parandalimin dhe trajtimin e tij.
Çfarë është zbokthi?
Kjo është një fjalë shumë e njohur për të gjithë ne dhe pothuaj të gjithë e dimë se çfarë është rënia e vazhdueshme e petëzave të lëkurës së kokës. Zbokthi është një shenjë që tregon se lëkura e kokës po dëmtohet. Në fakt është krejtësisht normale që qelizat e lëkurës së kokës, si edhe gjithë qelizat e organizmit, pas një periudhe të përcaktuar kohore të vdesin dhe të zëvendësohen nga qeliza të tjera te reja. Por problem është kur sasia e dëmtuar është me shumicë dhe në këtë rast, zbokthi paraqitet si një fenomen i shëmtuar dhe aspak i dëshiruar.
Pse ndodh formimi i zbokthit?
Në fakt ka dy arsye që zbokthi të ndodhë. Së pari mund të jetë prodhimi i shtuar siç e sqaruam më lart dhe së dyti mund të jetë higjiena e papërshtatshme e kokës. Është e rëndësishme të theksohet që, edhe pse zbokthi është një fenomen që shfaqet shpesh duke prekur rreth 5 për qind të popullsisë (shumica janë meshkuj), shumica dërrmuese e atyre që janë të prekur janë krejtësisht të shëndetshëm dhe nuk vuajnë nga probleme shëndetësore.
Zbokthi në vetvete nuk është shpesh rrjedhojë e dermatitit seborroik që shfaqet me skuqje dhe kruarje të
lëkurës. Ai mund të shfaqet jo vetëm në lëkurën e kokës, por tenton të prekë edhe veshët, fytyrën, gjoksin dhe zonën e belit.
Shkaku i këtij lloji dermatiti (inflamacion i lëkurës) mbetet i panjohur edhe pse një lloj myku që jeton shpesh në lëkurë (malassezia furfur) mund të luajë një rol në zhvillimin e dermatitit seborroik. Lëkura e kokës, dhe më tej skuqet, kruhet dhe luspëzohet dhe bie në formën e petëzave që ne e quajmë zbokth. Megjithëse lëkura e prekur nga ky fenomen mund të duket e thatë, në fakt nuk është ashtu.
Si ndikon kjo gjendje në rritjen e flokëve?
Seborrhea e kokës mund të ngadalësojë rritjen e flokëve, por nuk shkakton humbje të përhershme të flokëve. Mund të shfaqet në çdo moshë, por është gjithashtu është një fenomen i shpeshtë gjatë foshnjërisë, duke filluar pak pas lindjes dhe duke zgjatur disa muaj.
Cilat janë kategoritë më të rrezikuara?
Seborrhea është një fenomen mjaft i shpeshtë tek njerëzit që kanë dëmtime të sistemit imunitar si për shembull tek ata që janë duke marrë kimioterapi (për sëmundjet malinje), ata që vuajnë nga HIV (Sida), ose ata që vuajnë nga çrregullime të caktuara nervore, kategori të cilat mund të kenë seborrhea shumë të rënda.
Vlen të theksohet se ka gjithashtu shumë lloje të sëmundjeve inflamatore (infeksioze) që mund të prodhojnë luspëzim të tepruar të lëkurës, si për shembull psoriasis, mykoza të lëkurës së kokës (tinea capitis), apo dermatiti alergjik i kontaktit.
Si diagnostikohet seborrhea?
Pas një ekzaminimi të lëkurës në përgjithësi, mund të lindë nevoja edhe e ekzaminimeve të ndryshme të organizmit për të bërë diagnozën diferenciale. Shpesh bëhet edhe biopsia, ku merret një pjesë e vogël e lëkurës së kokës për t’u ekzaminuar më tej. Kjo procedurë kryhet nën anestezi lokale.
Si mund të parandalohet?
Lidhur me trajtimin, duhet të theksoj se mënyra me efikase ka të bëjë me marrjen e ndihmës së specializuar mjekësore për përcaktimin e shkaqeve se pse ka ndodhur krijimi i zbokthit. Më pas mjeku mund të përcaktojë edhe format konkrete të trajtimit që duhet të ndiqni, si në përdorimin e shampove dhe locioneve qetësuese, e deri në përdorimet specifike medikamentoze. Këshillat se si duhet të veproni i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Këshillat si duhet trajtuar
- Edhe pse e thjeshtë në dukje, trajtimi i zbokthit kërkon durim dhe trajtim të kujdesshëm. Shpeshherë abuzohet me këto trajtime nëpërmjet shampove të ndryshme që blihen kudo, por edhe në farmaci.
- Së pari trajtimi i zbokthit është i drejtuar në luftën kundër inflamacionit të lëkurës dhe kryesore është të gjenden shkaqet e inflamacionit.
- Trajtimi i seborrhesë duhet të kryhet nga mjekët specialistë të lëkurës, të cilët bëjnë përzgjedhjen e duhur të pomadave, locioneve, si edhe të shampove, bazuar në veçoritë individuale të lëkurës së individit.
- Kujdes duhet treguar me bojërat e flokëve sepse kanë në përbërje të tyre kimikate që mund ta rëndojnë situatën.
- Shumë njerëz, sidomos të moshuar besojnë se është e dëmshme larja e shpeshtë e kokës dhe përdorimi i shampove. Madje disa e shmangin larjen e kokës për më shumë se një javë.
- Duhet të dini se shampot në vetvete nuk shkaktojnë zbokth ndërsa shampot medikale mund të ndihmojnë në qetësimin e situatës (për shembull ato që kanë në përbërjen e tyre acid salicilik, zink, antimykotikë, përqindje të ulët të preparateve kortizonike, apo përzierje të tyre). Përzgjedhja e shampove të medikuara është në varësi të situatës individuale. Në përgjithësi seborrhea përgjigjet mirë ndaj shampove të përzgjedhura.
- Shpesh janë të domosdoshme edhe përdorimi i locioneve apo pomadave medikale që përshkruan mjeku specialist për të qetësuar ndjeshmërinë e lëkurës së kokës. Pra në përgjithësi ato e qetësojnë situatën, por nuk mund ta ndalojnë atë përgjithmonë.
- Shumica e njerëzve duhet ta trajtojnë situatën e tyre herë pas here. Lëkura e kokës është më e thjeshtë për t’u trajtuar se sa zona e qerpikëve kur duhet të përdorim pomade, ose locione lokale. Në këtë zonë duhet shumë kujdes gjatë aplikimit të kremit sepse ekspozimi vazhdueshëm i syve ndaj këtyre produkteve mund të çojë në probleme serioze. Pranvera Kola/Dita
p.k/dita

Ngaqe ç’do gje sot behet per pare dhe me pare, nuk me habit fakti qe gazeta jep keshilla te tilla.
Zbokthi eshte alergji dhe tharje e lekures se kokes. Shampot dhe kremerat e ndryshem vetem sa te qetesojne perkohesisht, nuk te sherojne. Nqs i drejtohemi nenes natyre do gjejme njemije e nje menyra si te trajtojme zbokthin.
Le te flasim pak per hithesin(hithrin) apo per dafinen. Qe te dyja keto bime jane ilaçi me i mire per parandalimin dhe kurimin e zbokthit. Bile nqs vereni me kujdes, kremerat apo shampot natyrale, e perseris, natyrale, kunder zbokthit kane ne perberje te tyre ose njeren bime ose tjetren.
Merrni 10-12 gjethe dafine te thara ne hije(ose nje dore me gjethe hithesi te fresket ose te thare ne hije), futini ne uje dhe i valoni per 5 min. Me pas kulloni lengun, mund ti hidhni nje luge argjile te bardhe ose te blerte nqs se deshironi, nqs nuk deshironi apo nuk keni mundesi mos i hidhni asgje. Pasi te jete ftohur merni lengun dhe me ndihmen e nje nape te paster ose nje sfungjeri higjienik lyeni koken duke i bere pak masazh (per nje lyereje uniforme) ne rrenje te flokeve. Lereni 10-20 minuta per te bere efekt dhe lajeni koken me uje te vaket. Uji nuk duhet te jete i ngrohte, nqs eshte i ftohte ska problem.
As doktor, as farmacist as prishje leku kot me kot.