Rrëfenja e parë:
Tre të çmendur vendosën të bëjnë një miting; njëri mori dy tulla dhe hipi në podium. Dy të tjerët i rrinin me të djathtë e në të majtë. I majti, në kohën që po fliste i podiumit, i këputi një shqelm në të ndenjura. Folësi u rrëzua përtokë dhe tërë inat pyeti: “Kush më goditi se do i bëj nënë e babë? I djathti iu përgjigj: “E ku e dimë neve, këtu miting është!”. Kështu u mbyll mitingu me një aksident të vogël.
Rrëfenja e dytë:
Çelua, pasi mori ato tri dekoratat e luftës, ku nuk ish shpuar me asnjë gjemb, iu dha grada e nëntogerit dhe vajti në repartin kufitar, ku komandant ish-bashkëfshatari i tij, kolonel, hero lufte. Një mbrëmje tek ecte i vetmuar nëpër rrugët e qytetit, Çelua dëgjoi që secili i thoshte tjetrit: je i degjeneruar. Jo je ti, jo s’jam unë dhe u ndanë paqësisht me njëri-tjetrin. Këtë fjalë Çelua nuk e kish dëgjuar sepse në fshatin e tij rrëzë malit, këto fjalë qyteti nuk ishin ngjitur. I mbante në mendje si një fjalë të mirë. Kur vete pas ca kohësh në vendlindje, e ëma e komandantit e pyeti: “Çelo, po si e kam djalin o ju bëfsha kurban”. Ai me gëzim ushtarakisht e informoi se komandant Rakipi është burrë i mirë, burrë i degjeneruar. Është kaq i degjeneruar sa të gjithë e duan, si ushtarët dhe oficerët, pale ata të “fshatit”. Më rruash a të keqen se më dhe haber të mirë për djalin. E ftoi për një tigan petulla. Kur u largua Çelua mësuesi i fshatit, si më i kënduar që ishte, i shpjegon fjalën “i degjeneruar” duke i thënë se ajo fjalë është si fjalët tona kur na bie më qafë ndonjë soj, është si fjalët tona, rrufjan, edepsëz, kurvar, vagabond e të tjera.
Nëna e shkretë, kur dëgjoi se ç’lëmishte kish hedhur Çelua mbi të birin drejtoi dy pëllëmbët e duarve andej nga ish larguar ai. “Më marrsh të keqen e djalit, i marrosuri”, e mallkoi.
Rrëfenja e tretë:
Zeqineja dhe Zeqiri u vonuan ca, sa e njohën njëri-tjetrin me gjithë vonesën pas nëntë muajsh bashkëjetesë kurdisën djalin. Ia vunë emrin Guri, që të ish i fort si guri, sepse nuk kishin shpresë për një të dytë. Si të gjithë fëmijët që kur dalin në dritë, të habitur ku kanë e ku janë qajnë gjatë tre muajve për t’u ambientuar. Qajnë me natë e me ditë. Nënat u rrinë tek koka herë duke i përkëdhelur e herë duke i tundur aq fort sa fëmija paloset nën djep. Guri edhe kur i kaloi tremujorin nuk pushonte gjer në mesnatë, çka i nevrikoste burrë e grua. Zeqineja si më e ditur iu drejtua Zeqirit: Ti burrë dil përjashta, merr një haliç, bëja ou, ou, ou, ou, unë do e tund, do trembet dhe do e zërë gjumi. Zeqiri doli në rrugë dhe gjeti një gur gërvishtës dhe fillo nga ou, ou. Zeqineja nga brenda i bërtiste “kakën Kabul, kakën se do flejë Guriu”. Kjo zgjati deri në mesnatë. E shoqja e konte me bisht të lugës, ai duke u dredhur nga të ftohtit bënte ou, ou me një zë të ngjirur.
Rrëfenja e katërt.
Ne ishim të dy malësorë, unë nga Jugu me shtëpi lindur rrëzë një mali gjashtëqind e pesëdhjetë metra lartësi, ai nga Veriu po nga një rreze mali por më e ulët. Shtëpitë i kishim karshi njëri-tjetrit buzë lumit. Ai kish një poligon për blloqe betoni, unë dikur kalemxhi, siç më thoshte. Kishim vajtje-ardhje me njëri-tjetrin. Viti 1997, viti i zi, siç mbeti në histori e shoh komshiun tim veshur ushtarakisht me dy thika në brez, dy revolverë, një automatik kallashnikov. E pyeta: “Çfarë të ka ndodhur, he burrë? Tërë seriozitet mu përgjigj: “Kemi me shkuar në Vlorë (harroi që unë isha nga Vlora) dhe burra, gra, pleq, plaka të tëra kemi me i rrafshuar”. I buzëqesha hidhur për helmin që kish pirë nga politika dhe i sajova: “Ishin dy shokë të ngushtë, komshi me njëri-tjetrin, çdo mëngjes kafen e pinin bashkë, një ditë edhe pse shoku i zgjati dorën e ngjatë ai nuk ia dha “Lëre, lëre se mbrëmë kam parë një ëndërr të keqe”. “Si?” e pyet tjetri. “Më mirë të mos të ta them, se pothuajse po të fus në lojë. Pashë ëndërr sikur të rrihja. Po unë çfarë bëra? Ti nuk u ndjeve fare. I rrahuri: “Po pse s’më vrave fare të më kishe bërë namin, se ne prapë kafen bashkë do e pimë”. Komshiu u tregua i zgjuar, pa më thënë asgjë u kthye në shtëpi. Të nesërmen mësova se kish lënë gjithë ç’kish pasur, armatim, plaçkën e shtëpisë dhe kish ikur në Gjermani, ku jeton dhe sot.
