Disa rreshta për Berishën dhe minjtë në folenë e tij

anazapta

E dashur redaksi e DITA. Ka shumë zhgënjim rreth e rrotull dhe unë që ju ndjek përditë e kuptoj përpjekjen tuaj për ti thënë popullit disa të vërteta që “ata lart” i dinë, por kanë bërë çmos t’i mbajnë në sënduqet ku mbajnë paratë e vjedhura. Disa thonë që fajine kanë ndërkombëtarët, sepse dihet që në një vend të vogël ende pa integritet politik, ata kanë aq fuqi sa ta detyrojnë një popull të tërë të heshtë përkohësisht. Por përkohësisht ama. Për këtë jam shumë i bindur.

Jam i bindur edhe për një gjë tjetër. Berisha dhe gjithë ata që lëpijnë këmbët e tij duke e shndërruar erën e keqe në para dhe prona, kanë një besim të verbër: mendojnë që meqë ndërkombëtarët janë këta që janë dhe meqë opozita e Ramës është opozitë e moderuar, mund të qëndrojnë në pushtet me dhunë nëse është nevoja,për aq kohë sa duan.

Kanë bërë hesape, por i kanë bërë duke mos përfshirë një element të rëndësishëm të formulës: urrejtjen popullore që ka arritur aty ku nuk mban më. Do marr një shembull: Regjimin e Mubarakut. Regjimi i hekurt i Hosni Moubarak u shkërmoq pas 18 ditësh protesta popullore duke ndryshuar fatin e qytetarëve egjiptianë, fatin e  Egjiptit dhe mëdyshjet e Perëndimit. Përmbysja erdhi në një vend ku opozita mungonte për shkak të mungesës së demokracisë, dhe ishte shpërndarë në ndërgjegjen e qytetarëve të atij vendi. Dhe Mubaraku iku jo si një lider që i ka bërë dëm botës, por si një lider që u ka bërë dëm qytetarëve të vet. Ai ishte një lider i dëshiruar për Perëndimin, pasi ishte një interlokutor i shkëlqyer për problemin e Izrealit dhe një dorë e hekurt ndaj ringjalljes së frikshme të fondamentalizmit islamik në atë vend dhe rajon. Ai ishte lideri që ëndërron Perëndimi të ketë në Lindjen e  Mesme, por jo në shtëpinë e tyre. Kjo ishte dhe beteja më e madhe që fituan qytetarët e Egjiptit.

Dilema e madhe e Perëndimit për fatin e demokracisë në Egjipt, e mbajti atë vend për gati 30 vjet nën një diktaturë, bëmat e së cilës kemi për t’i mësuar në ditët e lirisë së tij, pasi deri më sot shumë pak vetë kanë guxuar të flasin për të. Qytetarët e Egjiptit e zgjidhën vetë këtë dilemë. Mesazhi i madh i egjiptianëve në mbarë botën sot është se një popull që merr vendim të mposhtë një regjim nuk ndalet. Regjimet nuk përmbysen me leje dhe as me kushte. Ato thjesht përmbysen.  Zemërimi popullor i tejkalon formulat diplomatike dhe retorikën e lodhshme të stabilitetit që shpesh për vende të botës së tretë ka prioritet mbi demokracinë, ashtu siç tejkalon dhe mungesën e opozitës. Këtu do jemi dhe do shohim çfarë do ndodhë. Jam i sigurt për fatin e Berishës, por jam i sigurtë edhe për fatin e minjve që po majmen në këmbët e tij. Sidomos ata më të zjarrtët dhe më të ekspozuarit, se ndonjë i fshehur edhe mund të shpëtojë.

 

Letër e nënshkruar: Alket Kasemaj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *