Disa teknika për të mbajtur mend më mirë janë shumë të nevojshme sidomos në kohë provimesh. Në procesin e magazinimit të të dhënave, ne mund ta ndihmojmë mendjen të memorizojë më shpejt. Truri ka tendecën të kujtojë më lehtë përmes referimit të imazheve, që kanë të bëjnë me vende apo njerëz, duke i shoqëruar konceptet me paraqitje konkrete. Pikërisht teknika asociative qëndron në bazë të disa teknikave për të mbajtur mend më mirë dhe na lejojnë të sjellim ndërmend atë ide që na duhet në një moment të caktuar.
Numrat
Nëse duam të mbajmë mend sekuenca komplekse shifrash, mund të përdorim teknikën e asocimit të numrit me një figurë ose objekt të caktuar. Për shembull: numri një mund të imagjinohet si bastun, numri dy si mjellmë, treshi si një gjethe tërfili, katra si tavolinë, pesa si një yll me pesë cepa etj. Kështu çdo herë që përpiqemi të kujtojmë diçka i referohemi formës.
Këto imazhe përbëjnë një tërësi absurde që regjistrohet në kujtesë. Por në momentin që përpiqemi të sjellim ndërmend numrat, na mjafton të përzgjedhim imazhin dhe të nisim procesin e dekodifikimit.
Emrat
Është provuar se mendja jonë memorizon më mirë kur përdor si referim objekte që kanë karakteristika të caktuara, p.sh. dimensione të mëdha, ngjyra që bien në sy, objekte në lëvizje, ireale etj. Rezultati duhet të jetë diçka që ka të bëjë me absurden. Kjo vlen edhe për emrat, të cilët gjithashtu sillen ndërmend si pjesë e një sekuence. Mjafton përdorimi i shkronjës nistore të çdo emri për të formuar një frazë jo të zakonshme, që mbahet mend lehtë.
Muzika
Në rastin e muzikës kemi të bëjmë me një proces më kompleks. Por edhe në këtë rast ka taktika që na vijnë në ndihmë. Është mirë që të kalohet nga vargu i parë në vargun e dytë vetëm atëherë kur jemi të sigurt se e mbajmë mirë mend. Mund të përdoret edhe shkrimi i tekstit, pasi e kemi dëgjuar këngën dy apo tri herë.
Një tjetër teknikë është të këndosh pa pasur muzikë në sfond. Është thelbësore të fokusohemi te emocionet që teksti na përcjell, pasi në këtë mënyrë, kujtesa bëhet më aktive. Një tjetër teknikë është edhe dëgjimi i pjesës ndërsa flemë, pasi është provuar se truri është i aftë të memorizojë edhe kur nuk është i vetëdijshëm.