Dispanceria e Tiranës me aparat të ri Radiografie

Saimir Lleshi

Qendra e vetme shëndetësore me shërbim të specializuar ambulator për të gjithë të sëmurët me probleme në mushkëri në Tiranë është pajisur tashmë me një aparat të ri të radiografisë televizive, e cila do të rrisë ndjeshëm cilësinë ë shërbimit ndaj pacientëve.

Numri i pacientëve që marrin shërbimin shëndetësor në Qendrën Shëndetësore nr. 4, ose sic njihet ndryshe, Dispanceria, është rritur shumë, duke shkuar në rreth 35 mijë ekzaminime në vit.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, zhvilloi sot në këtë qendër shëndetësore, ku u takua me mjekë, infermierë e punonjës të këtij institucioni, si dhe qytetarë që marrin shërbimin shëndetësor në këtë qendër.

“Ky është një investim i rëndësishëm për këtë Qendër Shëndetësore, me një vlerë prej 5 milion lekësh të reja për blerjen e pajisjes së aparatit të Radiografisë,” tha midis të tjera z. Beqaj, duke shtuar se në këtë institucion kemi 9 pneumologë, kur mjekët e familjes në të gjithë Tiranën referojnë pacientët për probleme të mushkërive, nuk shkojnë në spital por vijnë fillimisht këtu.

“Aparati i radiografisë ishte një pajisje e vjetër e cila bënte ekzaminimet të një cilësie shumë të dobët,” – tha më tej kreu i shëndetësisë, duke u shprehur se, “tashmë, kemi këtë pajisje shumë më të re, mjekët u shërbejnë shumë më mirë dhë shumë më shpejt pacientëve, reduktojmë flukset për në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, dhe sigurisht, angazhimet e marra për të ofruar shërbim pa pagesë”.

 “Ulja drastike e tarifave për personat e pasiguruar, nuk do të kishte kuptim nëse praktiksiht nuk do të kishim pajisjet për të bërë të mundshme këto lloj ekzaminimesh,” tha më tej ai, duke theksuar se “ne vazhdojmë të fuqizojmë shërbimin parësor, të kthejmë gjithmonë edhe më tepër vëmendjen tek ky shërbim i rëndësishëm shëndetësor duke patur në fokus qytetarin. Mbulimin universal e zgjerojmë me akses universal, dhe padyshim mjekëve u ofrojmë kushte që të ushtrojnë sa më mirë detyrën dhe profesionin e tyre”.

Drejtuesja e kësaj QSH-je, Dr. Entela Nako, u shpreh se kjo pajisje do ta rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve, ndërkohë që theksoi se “konsultat dhe vizitat tek ne, janë tashmë edhe më lirë për personat e pasiguruar. Nëse deri më dje do të paguanin 2000 lekë, me tarifat e reja këta pacientë do të paguajnë vetëm 100 lekë, sigurisht duke zbatuar sistemin e referimit. Edhe pagesa për ekzaminimin radiologjik ka pësuar ulje në 100 lekë nga 500 që ka qënë më parë”.

Qendra Shëndetësore e Dispancerisë ka kryer 35 657 vizita shëndetësore në 2015, prej të cilave 2 150 ekzaminime bakteriologjike për TBC, 1 415 ekzaminime klinike, 2 016 Rö-grafi pulmonare, rreth 30 000 Rö-skopi pulmonare dhe 6 500 ekzaminime spirometrike. /Dita/

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *