Në kuadër të Ditës Botërore të Kafshëve Endacake, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi me qytetarët për mënyrën se si duhet kujdesen dhe sillen ndaj qenve të rrugës.
Për këtë qëllim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi sot ambientet e klinikës veterinare të kafshëve në Kombinat, ku mori pjesë në aktivitetin e parë të fushatës, e cila zhvillohet paralelisht edhe me procesin e trajtimit të qenve endacakë, duke i sterilizuar, vaksinuar dhe matrikuluar ata.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe fëmijë nga shkollat 9-vjeçare të Tiranës, të cilët pasi morën informacionin e duhur rreth mënyrës se si duhen trajtuar këto kafshë, së bashku me kryetarin e Bashkisë kanë parë nga afër punën që bëhet nga veterinerët për trajtimin e tyre, si dhe kanë luajtur me to, për të përcjellë mesazhin se edhe kafshët endacake kanë nevojë për dashurinë e njeriut dhe se përdorimi i dhunës nuk është mjeti i duhur për t’i larguar nga rruga.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se, nisur edhe nga simbolika e Ditës Botërore të Kafshëve Endacake, është e nevojshme që shoqëria të kuptojë se edhe kafshët kanë vendin dhe të drejtat e tyre.
“Ne besojmë se ky është një proces i cili bëhet më i mirë kur njerëzit janë të edukuar dhe të arsimuar. Ne e dimë se kemi shumë njerëz që nuk i njohin kafshët e rrugës dhe mendojnë se janë të rrezikshme, ndërkohë që në pjesën më të madhe, ashtu siç e thanë dhe veterinerët, kafshët janë vetëm të frikësuara. Ne besojmë se në një qytet si Tirana ka vend për të gjithë; ka vend edhe për njerëzit, edhe për kafshët”, tha Veliaj. Duke marrë shkas nga situata në terren, ai bëri të ditur se punonjësit e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës prej një muaji kanë nisur punën për të trajtuar të gjitha kafshët endacake, për të bërë të mundur fillimisht eliminimin e çdo rreziku për transmetimin e sëmundjeve të rrezikshme dhe mundësimin që nëpërmjet sterilizimit të mund të shmanget shtimi natyror i tyre”.
Nga 16 shkurti, kur edhe nisi të funksionojë klinika veterinare e bashkisë në zonën e Kombinatit, është bërë e mundur kapja e 320 qenve në të gjithë Tiranën.
Zonat kryesore ku është përqendruar aksioni i kapjes së qenve janë: Qendra Spitalore “Nënë Terëza”, Parku i Liqenit, Sheshi “Avni Rustemi” dhe zona e Pazarit të Ri, Lapraka, Unaza e Re, Don Bosko, Fusha e Aviacionit, Ali Demi etj.
Prej tyre janë trajtuar dhe nxjerrë në habitat 290 qen, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në klinikë dhe po i nënshtrohet ditëve të qëndrimit të detyrueshëm.
Pasi kapen, qentë dërgohen në Klinikën Veterinare, ku regjistrohen në një regjistër të veçantë. Më pas kafsha i nënshtrohet ndërhyrjes që ka të bëjë me sterilizimin, vaksinimin dhe matrikulimin (kapësja e verdhë e vendosur në vesh).
Pasi kalon këtë proces, kafsha qëndron në klinikë mesatarisht 3 deri në 5 ditë. Pas kësaj, grupi i kapjes e rikthehen kafshën në zonën ku e mori në fillim. Procesi i trajtimit bëhet nga 5 kirurgë veterinerë, të cilët janë vullnetarë dhe asistohen nga veterinerët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit.
