Dita Botërore e Lirisë së Medias/ Çipa: Rrezikohet integriteti i gazetarëve

Dita

Tre maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e cila është shpallur e tillë që prej vitit 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

I ftuar në edicionin informativ të orës 12:00 në Top Channel ishte Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, i cili foli për median dhe gazetarët e vendit.

I pyetur nëse media po rrezikohet gjithnjë e më tej, ai u shpreh se ekziston një frymë në të gjithë botën e cila rrezikon të sfidojë integritetin e gazetarit, e në veçanti misionin e tij në shërbim të interesit publik.

Si kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, ai tha se “ne jemi të angazhuar edhe si organizatë të kërkojmë një apel, i cili buron së pari nga lufta kundër informalitetit që dominon mediet tona, për rritjen e integritetit profesional, të kurajës profesionale, të rritjes së mëtejshme të investigimit dhe të përpjekjes për të mos u sfiduar nga versionet e ndryshme që pushtete e tjera që krijojnë duke u fshehur pas koracës të të ashtuquajturit qytetar-gazetar.

Këto janë arsyet që komunitetin e gazetarëve profesionistë në botë dhe në mënyrë të veçantë në Shqipëri po e vënë përpara një detyre dhe një momenti të ri. Duhet të bëjmë me dije se tashmë në skenën mediatike të vendit janë mbi 6200 punonjës, nga të cilët janë 2600 gazetarë, të cilët janë të shpërndarë në të gjithë spektrin e medieve në vend.”

Ai theksoi se nuk ka patur pak raste në të cilat integriteti dhe besueshmëria e gazetarit është përballur me versionet e reja të teknologjisë.

“Është çasti që besnikëria ndaj atyre që ne i quajmë principe të gazetarisë si besnikëria ndaj proceseve vetërregulluese, besnikëria ndaj solidaritetit profesional, dhe mbi të gjitha rritja e kapacitetit profesional, mund ta rrisin autoritetin e medieve dhe gazetarit edhe në ditët e sotme.”

Duke krahasuar situatën e medias sonë në vend me atë të Kosovës, ku gazetarët e kësaj të fundit kanë dalur në orën 11 për të protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti”, ai tha se organizata e Unionit po reagon në një mënyrë konstante, “dhe se është e vetmja që reagon duke dhënë detaje.”

s.a/dita

 

Share This Article
2 Comments
  • o Çipa kryetarllëkun dhe ju gazetarucët me sa duket e keni të përjetshëm.
    ik o Çipa bëj çiçin ne ndonjë cep,se me aq gazetarucë sa ka albanistani ju i kishit bllokuar të gjitha mediat po të donit.

  • O çipa ju jeni rezik kombetar kur manipuloni te vertetat dhe jeni kliente te politikes. Dhe kjo sjelle eshte me normalja ne gazetari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *