Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve

redaktor

Problemet e padiagnostikuara të shëndetit mendor kanë çuar drejt pasojave fatale edhe shumë shqiptarë. Stresi i përditshëm i akumuluar nga jetesa e vështirë, ku dikush ndihet i lodhur nga intensiteti i ditës, dikush tjetër i vetmuar si pasojë e një kulture moderne gjithnjë e më individuale, konsiderohen si shkaqet më të shpeshta që po ndikojnë në shtimin e problemeve depresive, të cilat më pas mbajnë në shifra alarmuese edhe nivelin e vetëvrasjeve. Por, ajo që konsiderohet si më shumë shqetësuese nga strukturat e shëndetit publik, shfaqet ulja e kufirit “moshë” në manifestimin e komplikacioneve të shkaktuara nga depresioni, si një ndër format më të shpeshta të çrregullimeve mendore. Komplikacione të cilat në shumë raste mbeten edhe të patrajtuara, për shkak të mentalitetit të gabuar të moskonceptimit të tyre, si probleme të shëndetit mendor, por si probleme dhe strese të përditshme që kalojnë vetvetiu. Mentalitet ky që e rëndon edhe më shumë gjendjen shëndetësore, pasi format depresive nga stadet e lehta dhe të trajtueshme kalojë në forma më të rënduara që çojnë më pas në marrjen e masave ekstreme të vetëvrasjes. Ndonëse mungojnë studimet e mirëfillta në këtë drejtim specialistët e shëndetit publik vënë në dukje se gjatë viteve të fundit numri i personave që për shkak të problemeve mendore kanë gjetur strehim tek vetëvrasja ka ardhur në rritje. Problem për të cilin shoqëria dhe strukturat përgjegjëse shtetërore kanë bërë shumë pak. Dje në Ditën Botërore për parandalimin e vetëvrasjeve, specialistja për problemet e shëndetit mendor në ISHP, Oriola Pampuri ka deklaruar se faktorët më të shpeshtë që shtyjnë drejt këtyre veprimeve ekstreme janë stresi, përdorimi i drogave dhe alkooli në nivele të tepruara. Grupmoshat nga 15 deri në 50 vjeç rezultojnë të jenë edhe kategoritë më të rrezikuara nga këto probleme. Pampuri vë në dukje se sikundër ndodh në shumë vende të botës, edhe në Shqipëri  90 për qind e personave i ndërmarrin këto veprime në kushtet e gjendjeve të vështira depresive , trajtimi i të cilave është neglizhuar për kohë të tëra. “Faktori kryesor është stresi i vazhdueshëm, i cili e çon individin drejt një depresioni mbipolar dhe skizofrenia. Në fakt ne citojmë faktorë të jashtëm si droga apo alkooli, të cilat çojnë drejt vetëvrasjeve, por të gjitha këto shkaktojnë cenimin e shëndetit mendor. Shëndeti mendor, pika kyçe që shkakton vetëvrasjen tek individi. Në botë dhjetë deri në 20 milion individë kryejnë tentativa për vetëvrasje në vit, por pa një fund fatal, pasi arrijnë të marrin ndihmë. Gati një milion individë vdesin si pasojë e vetëvrasjeve, dhe si të thuash është shkaku i dhjetë në botë që shkakton vdekje”, thekson Pampuri. Rrënjët e kësaj problematike sipas saj duhen kërkuar jo kur tentohen veprime të tilla por që në moshë të hershme. Trajtimi në fazat fillestare është e vetmja formë për të mos rënduar më tej gjendjen shëndetësore, si dhe frenimin e veprimeve me pasoja fatale për jetën. Më tej Pampuri tregon se krahas simptomave të dukshme që shfaq personi i rrezikuar, vëmendja duhet tërhequr edhe në format se si këto raste pasqyrohen në popullatë nga mediat. Situatë e cila kërkon një kujdes të veçantë në mënyrë që të ndikojë në frenimin e problemit, e jo në nxitjen e tij, pasi shpesh herë raste të tilla nxiten për tu imituar. “Duhet të mbajmë afër njerëz që flasin shpesh për alkoolin, për përdorim droge apo pirjen e pilulave që shkaktojnë vdekjen dhe të kemi kujdes, t’i mbajmë afër gjithashtu edhe ato njerëz që kanë një tërheqje sociale, një indiferencë ndaj gjërave, për veten dhe të tjerët dhe një dëshirë të madhe për të folur për vdekjen dhe se si mund të arrihet ajo. Mediat gjithashtu duhet të jenë më të kujdesshme për mënyrën e lajmit dhe nuk duhet t’i idealizojnë ato dhe mos t’i japë në lajmet kryesore kronikat e vetëvrasjeve, apo mënyrat e vetëvrasjeve dhe shkaqet pse”, shprehet Pampuri.

Shërbimi i psikologut në shkolla jo-funksional     

Të rinjtë e shkollave të mesme konsiderohen si një ndër grupet e rrezikuara për të manifestuar këto probleme në shëndetin mendor. Ndërkohë që heshtja ndaj këtyre rasteve i ekspozon ata drejt situatave të rënduara që shkojnë me kalimin e moshës deri në vetëvrasje. Për të frenuar këtë fenomen strukturat e shëndetit publik kërkojnë që të forcohet shërbimi i psikologut në shkolla, shërbim i cili nuk duhet të qëndrojë më në stade jofunksionale sikundër është edhe në ditët e sotme. Prej vitesh shkollat shqiptare kanë edhe shërbimin e psikologut, i cili gjatë gjithë vitit pothuajse nuk funksionon. Për këtë kërkohet që në këtë drejtim të punohet edhe më shumë. Psikologu duhet të jetë edhe më i kujdesshëm në krijimin e marrëdhënieve bashkëpunuese me nxënësit dhe mësuesit, pasi vetëm në këtë formë mund të evidentohen në kohë problemet që kanë adoleshentët, pa kaluar në përmasa shqetësuese. Identifikimi në kohë i rasteve në të cilat adoleshentët vuajnë  nga problemet me personalitetin e tyre ndihmon në trajtimin e tyre dhe parandalimin e kalimit drejt formave të rënduara depresive që mund të çojnë në humbjen e jetës.

Ndërhyrja në parandalimin e vetëvrasjeve

Krahasuar me vendet e tjera në botë, sipas Organizatës Botërore të shëndetësisë, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me një përqindje të ulët vetëvrasjesh, më pak se 6,5 vetëvrasje për 100 mijë banorë. Por, pavarësisht kësaj, numri i vetëvrasjeve në vend ka ardhur duke u rritur. Për të frenuar këtë situatë, Pampuri tregon se është e nevojshme një rritje e ndërgjegjësimit se vetëvrasja përbën një ndër shkaktarët kryesorë, por njëkohësisht edhe të parandalueshëm, të vdekjes së parakohshme. Vetëvrasja është fenomen kompleks që rezulton si pasojë e një ndërthurjeje të një sërë faktorësh, qofshin ata psikologjikë, social, biologjikë, kulturorë dhe mjedisor. Në Evropë, çrregullimet mendore (veçanërisht depresioni dhe çrregullimi i përdorimit të alkoolit) përbëjnë një faktor rriskues madhor për vetëvrasjen.  E për këtë arsye, identifikimi dhe trajtimi në kohë i problemeve të shëndetit mendor ka një ndikim tepër pozitiv edhe në parandalimin e vetëvrasjeve. “Kontaktoni mjekun e familjes, apo specialistë të tjerë si psikologun ose psikiatrin nëse dyshoni se ju ose miqtë apo të afërmit tuaj kanë probleme të shëndetit mendor ose mendime për vetëvrasje! Të gjithë mund të japin ndihmesën e tyre për të parandaluar vetëvrasjen si: profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve sociale, mësuesit, policia, gazetarët, të afërmit dhe miqtë e personave që shfaqin sjellje vetëvrasëse. Parandalimi i vetëvrasjes është një çështje ku mund dhe duhet të kontribuojë gjithsecili”, është mesazhi i dhënë kundrejt Ditës Botërore të parandalimit të vetëvrasjeve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *