Sëmundjet e veshkave janë vrasës të heshtur, që në një masë të madhe po ndikojnë në shkurtimin e jetëgjatësisë tek popullata shqiptare. Mbi 400 është numri i rasteve të reja që zbulohen çdo vit me patologji të veshkave, pjesa dërrmuese e të cilëve në rastet më të rënduara kur edhe trajtimi nuk mund të kthejë pas funksionin e veshkës. Shefja e sektorit të stilit të jetesës në Institutin e Shëndetit publik, Jeta Lakrori na tregon se cilat janë ndërlikimet që prekin veshkat dhe këshillat për t’i trajtuar. Puna kryesore e veshkave është për të eliminuar toksinat dhe ujin e tepërt nga gjaku jonë, si ndihmojnë për të kontrolluar tensionin e gjakut, për të prodhuar qelizat e kuqe të gjakut dhe për të mbajtur kockat tuaja të shëndetshme. Veshkat kontrollojnë nivelet e qarkullimit në gjak të shumë mineraleve dhe molekulave përfshirë natriumin dhe kaliumin, dhe ndihmojnë për të kontrolluar aciditetin e gjakut.
Ç’janë sëmundjet kronike të veshkave ?
Sëmundja kronike e veshkave është një humbje progresive e funksionit të veshkave gjatë një periudhe kohore, që zgjat muaj apo vite. Secila nga veshkat ka rreth një milion filtra të imët, të vegjël të quajtur nefrone. Nëse nefronet janë të dëmtuara, ato ndalojnë së punuari. Për një farë kohe, nefronet e shëndetshme mund të kryejnë një punë shtesë,por në se dëmtimi vazhdon gjithnjë e më shumë nefronet dalin nga funksioni dhe nefronet e mbetura nuk mund të filtrojnë mjaftueshëm gjakun tuaj për t’u mbajtur të shëndetshëm. Kur funksioni i veshkave bie nën një nivel të caktuar, bëhet fjalë për pamjaftueshmëri apo insuficiencë e veshkave dhe nëse është e patrajtuar ajo mund të jetë e rrezikshme për jetën.
Kush njihen si shkaqet e kësaj sëmundje ?
Tensioni i lartë i gjakut dhe diabeti janë shkaqet më të zakonshme apo më të shpeshta të sëmundjes së veshkave. Presioni i lartë i gjakut shkakton më shumë se 1 të 4 e të gjitha rasteve të pamjaftueshmërisë (insuficiencës) së veshkave. Diabeti shkakton rreth një të tretën e të gjitha rasteve dhe është shkaku më i zakonshëm i sëmundjes renale të stadit të fundit (ESRD), në shumicën e vendeve të zhvilluara. Gjendje të tjera më pak të zakonshme përfshijnë inflamacionin (Glomerulonefritin) ose infeksionin (pyelonefritin). Ndonjëherë këto sëmundje janë të trashëguara (të tilla si sëmundja polikistike) ose mund të jetë si rezultat i bllokimit për një kohë të gjatë të sistemit urinar (të tilla si zmadhimi i prostatës ose gurët në veshka). Disa ilaçe mund të shkaktojnë këtë sëmundje, sidomos ilaçet kundër dhimbjes (analgjezikët) nëse marren për një kohë të gjatë.
Konkretisht cilat janë avantazhet e zbulimit të hershëm, si dhe çfarë analizash duhen kryer?
Shumica e individëve me faza të hershme të sëmundjeve kronike të veshkave kalojnë pa u diagnostikuar. Sëmundja e veshkave zakonisht avancon në heshtje, shpesh shkatërron shumicën e funksionit të veshkave para se të shkaktojnë ndonjë simptomë. Zbulimi i hershëm i pamjaftueshmërisë së funksionit të veshkave është shumë i rëndësishëm sepse mundëson trajtim të përshtatshëm para se dëmtimi i veshkave ose përkeqësimi të manifestohet përmes komplikacioneve të tjera. Për zbulimin e sëmundjeves së veshkave janë të efektshme analiza të thjeshta laboratorike, si matja e Kreatininës në gjak, si dhe matja e albuminës në urinë. Kreatinina në gjak është një produkt (toksik) i mbeturinave në gjak që vjen nga aktiviteti i muskujve. Ajo normalisht largohet nga gjaku nëpërmjet veshkave, por kur funksioni i veshkave ngadalësohet, niveli i kreatininës rritet. Mjeku mund të përdorë rezultatet e kreatininës në gjak për të llogaritur funksionin e veshkave. Një tjetër test është edhe albumina në urinë. Prania e proteinave të tepërta në urinë është edhe një tregues më i mirë i rrezikut për avancimin dhe për krizat e parakohshme të zemrës dhe goditjes në tru.
Ku konsiston trajtimi i sëmundjeve kronike të veshkave?
Nuk ka shërim për sëmundjen kronike të veshkave, edhe pse trajtimi mund të ngadalësojë ose të ndalojë përparimin e sëmundjes dhe mund të parandalojë zhvillimin e kushteve të tjera të rënda. Trajtimet kryesore janë: një dietë e përshtatshme, e duhur dhe medikamente. Ndërsa për personat që arrijnë në Sëmundjen Renale të Stadit të Fundit (duhet edhe trajtimi afat – gjatë me dializë apo transplantim të veshkave. Dializa dhe transplantimi i veshkave njihen si Terapia Zëvendësuese e Veshkave sepse ato përpiqen për të “zëvendësuar” funksionimin normal të veshkave.
Simptomat
Duhet të dini se një person mund të humbasë deri në 90 për qind të funksionit të veshkave të tyre para se të ketë ndonjë shenjë. Shumica e njerëzve nuk kanë simptoma deri sëmundjet kronike të veshkave kanë avancuar. Shenjat e avancimit përfshijnë fryrjen e këmbëve, lodhjen, vështirësi për t’u përqendruar, ulje e oreksit, gjak në urinë dhe urinë shkumoze.
Problemet tek të moshuarit
Rreth 1 në 10 njerëz kanë një formë të kësaj sëmundje. Ajo mund të zhvillohet në çdo moshë dhe gjendje të ndryshme mund të çojnë në sëmundjen kronike të veshkës. Por, megjithatë ajo bëhet më e zakonshme, më e shpeshtë me rritjen e moshës. Pas moshës 40 vjeç, funksioni i filtrimit të veshkave fillon të bjerë me rreth 1 për qind në vit. Në kulmin e plakjes natyrore të veshkave, shumë gjendje apo kushte që dëmtojnë veshkat janë më të zakonshmet në të moshuarit, duke përfshirë diabetin, tensionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës.
Ja cilat janë mënyrat për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së veshkave.
- 1. Qëndroni aktivë e në formë.
Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave. Marrja me aktivitet fizik të moderuar, të paktën 30 minuta në ditë në pesë ditë të javës, si ecja me ritëm mesatar, vrapim, lëvizje me biçikletë, etj.
2. Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak.
Rreth gjysma e njerëzve që kanë diabet zhvillojnë dëmtime në veshka, ndaj është e rëndësishme për njerëzit me diabet të kryejnë analiza të rregullta për të kontrolluar funksionet e veshkave të tyre.
3. Masni rregullisht tensionin e gjakut.
Tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Pacientët me tension të lartë të gjakut, duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë avancimin drejt sëmundjes renale kronike.
4. Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll
Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione me fruta e zarzavate, 5 porcione me drithra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë, rreth një lugë çaji dhe të shmanget konsumi i ushqimeve të kriposura/përmbajnë shumë kripë.
Përpiquni të kufizoni konsumimin e ushqimeve të përpunuara, restorantet dhe mos i shtoni kripë ushqimeve.
5. Merrni sasinë e duhur të lëngjeve
Për të ruajtur shëndetin e mirë, duhet të konsumohen 1.5 deri 2 litra. Konsumimi i shumtë i lëngjeve ndihmon veshkat të pastrohen nga natriumi, ureja dhe toksina e tjera. Gjithashtu zvogëlon rrezikun e rënies së funksionit të veshkave dhe tek njerëzit që kanë pasur gur në veshka këshillohet të pinë 2-3 litra ujë në ditë për të pakësuar rrezikun e formimit të gurëve të rinj.
6. Mos pini duhan.
Duhanpirja ngadalëson rrjedhjen e gjakut në veshka dhe dëmton funksionimin e tyre.
7. Mos përdorni ilaçe pa konsultën e mjekut
Shumë njerëz për të qetësuar dhimbjet e ndryshme përdorin pa kriter apo me shumicë ilaçe kundër saj, për shembull ibuprofeni, etj. Duhet të flisni me mjekun tuaj për të gjetur një mënyrë për të kontrolluar dhimbjen tuaj pa vënë në rrezik veshkat tuaja.
8. Kontrolloni funksionin e veshkave nëse keni një ose më shumë faktorë të rrezikut
Jeni 50 vjeç e lart, vuani nga diabeti, vuani nga tensioni i lartë i gjakut, jeni mbi peshë apo i dhjamosur, jeni duhanpirës, keni histori familjare për sëmundje të veshkave
