Duhani mbetet një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik në vendin tonë. Pavarësisht përpjekjeve të bëra me ashpërsimin e ligjit, si dhe fushatave monitoruese, duhanpirja në vendin tonë rezulton të jetë ende në nivele problematike, çka reflektohet edhe në shtimin e sëmundshmërisë, veçanërisht ndërlikimeve në mushkëri. Në prag të “Ditës Botërore pa Duhan” (31 maj), ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë bërë thirrje për lënien e duhanit, si një nga format më të mira të mbrojtjes jo vetëm të mushkërive tuaja, por edhe të gjitha organeve të tjera. Pirja e duhanit renditet si faktor i madh risku për sëmundjet malinje, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes dhe problemeve të tjera shëndetësore. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, duhani është shkaku kryesor i shume vdekjeve që mund të shmangen. “Është i vetmi produkt që konsumohet legalisht që vret një të tretën deri ne një të dytën e atyre që e përdorin. Duhanpirja aktive dhe pasive rrisin rrezikun për shumë sëmundje dhe ndikojnë në shëndetin e mushkërive në mënyra të ndryshme, ku ndër më shqetësueset janë kanceri i mushkërive, dhe problemet në rrugët e frymëmarrjes. Fushata e këtij viti zhvillohet nën moton:”Mos lejoni duhanin t’ju marrë frymën”. Masa më efektive për të përmirësuar shëndetin e mushkërive është ulja e përdorimit të duhanit dhe shmangia e ekspozimit ndaj tymit të tij, bëjnë me dije specialistët e shëndetit publik. Të dhënat e raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit tregojnë se në disa vende, informacioni lidhur me pasojat që sjell pirja e duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij në shëndetin e mushkërive është i ulët në masën më të madhe të publikut të gjerë, dhe veçanërisht në mesin e duhanpirësve, duke u bërë shkak kështu për shfaqjen e ndërlikimeve të stadeve më të rënduara.
Fakte që nuk duhen neglizhuar!
Të lini duhanin është gjëja më e rëndësishme që ju mund të bëni për shëndetin tuaj,cilado qoftë mosha juaj dhe numri i viteve gjatë të cilave keni pirë duhan. Ko pasi trupi juaj kur pini duhan nuk merr vetëm nikotinë, por shumë më tepër. Janë rreth 4000 kimikate në një cigare. Duke pirë duhan ju thithni: nikotinë e cila krijon varësi, monoksid karboni i cili pengon veprimin e muskujve dhe trurit, arsenik, cianide (të përbëra nga cianuri dhe hidrogjeni), adiktivë kimikë, produkte të zbardhjes së hirit, katran i cili vendoset në bronke dhe mushkëri dhe mund të shkaktojë kancer, amoniak që prodhuesit e cigares i shtojnë duhanit për të lehtësuar thithjen e nikotinës në mënyrë që t’i mbajë duhanpirësit të varur prej saj. Disa nga këto kimikate janë të njëjta me ato që ndodhen në varakun e drurit,helmet e insekteve dhe helmin e minjve.
Kanceri i mushkërive
Pirja e duhanit është përgjegjëse për më shumë se dy të tretat e vdekjeve nga kanceri i mushkërive në nivel global, ndërsa duhanpirja pasive rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të mushkërive për joduhanpirësit. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes nga kanceri në shumicën e vendeve të rajonit europian të OBSH-së. Përafërsisht 430 mijë njerëz vdiqën nga kanceri i mushkërive në këtë rajon në vitin 2018, dhe gjatë kësaj periudhe u diagnostikuan më shumë se gjysmë milioni raste të reja. Ndalimi i pirjes së duhanit zvogëlon rrezikun e kancerit të mushkërive. Rreth 10 vjet pas lënies së duhanit rreziku ulet në rreth gjysmën e asaj të një duhanpirësi. Krahas kancerit të mushkërive duhet të dimë pirja e duhanit është një faktor rrezikues edhe për disa lloje të tjera kanceri, si” kanceri i gojës,i laringut, i fytit, i ezofagut, i veshkës, i pankreasit, i stomakut.
Problemet në rrugët e frymëmarrjes
Sëmundjet kronike të frymëmarrjes, si sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK) dhe astma janë mjaft të shpeshta tek duhanpirësit. Pirja e duhanit është shkaku kryesor i SPOK-ut, një gjendje që rezulton me kollë të dhimbshme dhe vështirësi në frymëmarrje. Kjo gjendje përkeqëson astmën, e cila kufizon aktivitetin dhe ndikon në aftësinë e kufizuar. Sipas të dhënave të fundit të OBSH-së, 3.6 për qind e totalit të vdekjeve në rajonin evropian ishin për shkak SPOK-ut në vitin 2017. Ndërprerja e hershme e pirjes së duhanit është mënyra më efektive e ngadalësimit të progresit të SPOK-ut dhe përmirësimit të simptomave të astmës.
Ndërlikimet kardiovaskulare
Ataku i zemrës, goditjet dhe sëmundjet e enëve të gjakut po ashtu janë mjaft të shpeshta. Duhanpirësit janë dy herë më të prirur të vdesin nga ataku i zemrës sesa joduhanpirësit. Gjithashtu duhanpirja ndikon në muret e enëve të gjakut që transportojnë gjak në tru,të cilat mund të shkaktojnë goditje. Monooksidi i duhanit, një nga përbërësit e tymit, pakëson oksigjenin në gjak, ndërkohë që nikotina një nga përbërësit e duhanit shton punën e zemrës dhe të dyja shkaktojnë formimin e trombit (mpiksje gjaku) që ngushton dhe bllokon anët e gjoksit. Burrat që pinë duhan janë më të prirur të preken nga impotenca për shkak të sëmundjeve të enëve të gjakut. Po ashtu, pirja e duhanit shkakton rrudhje të parakohshme të lëkurës, vështirësi në frymëmarrje,erë të keqe në flokë dhe rroba,thonj të verdhë.
Dëmtimet tek fëmijët
Fëmijët e ekspozuar ndaj tymit të duhanit kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar infeksione të shpeshta të frymëmarrjes, si dhe për t’u prekur nga astma, pneumonia dhe bronkiti. Përbërësit kimikë të tymit të duhanit mund të shkaktojnë infeksione latente të tuberkulozit (TB). Pirja e duhanit mund të rrisë gjithashtu rrezikun e paaftësisë dhe vdekjes nga bllokimi i frymëmarrjes te njerëzit me TB aktiv.
Fushata parandaluese
Fushata për “Ditën Botërore pa Duhan” synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet që shkakton tymi i duhanit në mushkëri, dhe rolin themelor që ato luajnë në shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë njerëzve. Veprimet dhe masat e mundshme që audiencat kyçe, duke përfshirë publikun dhe qeveritë, mund të marrin për të zvogëluar rreziqet që sjell duhani në shëndetin e mushkërive. Këto veprime përfshijnë masat e kontrollit të duhanit të përshkruara në Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit të tilla, si: rritja e taksave të duhanit, zbatimi i politikave “pa tym duhani”, mbështetja e njerëzve për të lënë duhanin, ngritja e vetëdijes përmes mjeteve masive të komunikimit dhe zbatimi i ndalimeve në të gjitha format e promovimit. Zbatimi i plotë i Konventës Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit dhe i masave të tjera të kontrollit të duhanit do të përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë, si dhe do të shpëtojnë jetë.
Fushata e “Ditës Botërore pa Duhan” synon të rrisë ndërgjegjësimin për:
- Rreziqet që sjell në shëndet pirja e duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij.
- Pasojat që sjell pirja e duhanit në shëndetin e mushkërive.
- Rritjen e numrit të vdekjeve dhe sëmundjeve në nivel global nga sëmundjet e mushkërive të shkaktuara nga duhani, duke përfshirë sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe kancerin e mushkërive.
- Lidhjen midis pirjes së duhanit dhe vdekjeve nga tuberkulozi.
- Ndikimin që ka ekspozimi ndaj tymit të duhanit për shëndetin e mushkërive të njerëzve në të gjithë grup-moshat.
- Rëndësinë e shëndetit të mushkërive në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien.
- Veprimet dhe masat e mundshme që audiencat kyçe, duke përfshirë publikun dhe qeveritë, mund të marrin për të zvogëluar rreziqet që sjell duhani në shëndetin e mushkërive.
- Arritjen e objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm “Reduktimi i një të tretës së vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme deri në vitin 2030”, ku kontrolli i duhanit duhet të jetë një prioritet për qeveritë dhe komunitetet në mbarë botën. Aktualisht, bota nuk është në rrugën e duhur për të përmbushur këtë objektiv.
- Vendet duhet t’i përgjigjen epidemisë së duhanit nëpërmjet zbatimit të plotë të Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit, si dhe duke miratuar masat e MPOËER, që përfshijnë zhvillimin dhe zbatimin e politikave më efektive të kontrollit të duhanit me qëllim uljen e kërkesës për duhan.
Konkretisht, përfitimet nga lënia e duhanit janë:
- 20 minuta pas lënies, rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut normalizohen.
- 12 orë pas lënies, niveli i monoksidit të karbonit në gjak ulet dhe shkon në nivel normal.
- 2 javë deri në 3 muaj pas lënies, qarkullimi i gjakut përmirësohet dhe përmirësohet funksionimi i mushkërive.
- 1-9 muaj pas lënies, largohet kolla dhe pastrohen mushkëritë, si dhe reduktohet rreziku për infeksione.
- 1 vit pas lënies,rreziku i lartë i sëmundjeve koronare të zemrës përgjysmohet në krahasim me ata që vazhdojnë të pinë duhan.
- 5 vjet pas lënies, krahasuar me një duhanpirës, përgjysmohen gjasat për infarkt.
- 10 vjet pas lënies, përgjysmohet rreziku për t’u prekur nga kanceri i mushkërive, ulet rreziku për t’u prekur nga kanceri i gjirit,i ezofagut dhe i pankreasit.
- 15 vjet pas lënies, rreziku për sëmundje zemre është i njëjtë me atë të një joduhanpirësi.
