Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Avokati i Popullit ka zhvilluar sot një aktivitet, pjesë e të cilit ishin edhe 12 fëmijë të qarkut të Shkodrës, të cilët prej vitesh vuajnë pasojat e fenomenit të gjakmarrjes. Gjithashtu, në aktivitet merrnin pjesë edhe ambasadorja e Francës, Moro; zv/ministri i brendshëm, Nard Ndoka; zv.ministri i Drejtësisë, Dobi; zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj; përfaqësues të komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile. Në fjalën e tij para ta pranishmëve, Avokati i Popullit, Igli Totozani, u shpreh se institucioni që ai drejton gjatë gjithë kësaj kohe është munduar të reflektojë mbi këtë dukuri negative dhe për të gjetur se cilat janë rrugët që çojnë në zbutjen dhe zhdukjen e këtij fenomeni. Avokati i Popullit e ka cilësuar si një shenjë mjaft të mirë pjesëmarrjen e fëmijëve në këtë aktivitet dhe si një hap të parë për të çarë rrethimin në të cilin ata jetojnë. “Më vjen në mendje një shprehje e një filozofi italian, i cili thoshte: Njeriu duhet të ketë pesimizmin e arsyes dhe optimizmin e aksionit, ndaj mendoj që të gjithë ne, sidomos institucioni i Avokatit të Popullit, ka detyrimin për të qenë në krye të aksionit për shërimin e kësaj plage”, tha Totozani.