Dita kur britanikët dogjën Shtëpinë e Bardhë…

redaktor

Capitol Hill dhe Shtëpia e Bardhë janë nën flakë. Uashingtoni është i shkatërruar. Presidenti amerikan dhe gruaja e tij janë në arrati dhe armiku është jashtë kontrollit.

Ky është një skenar i pamendueshëm për Uashingtonin sot, por pikërisht kështu dukej kryeqyteti i ri i Shteteve të Bashkuara 200 vjet më parë, kur një grup ushtarësh britanikë vendosën t’i jepnin një mësim Amerikës që do të shënonte historinë.

Ishte mbrëmja e 24 gushtit kur qindra ushtarë marshuan në qytet dhe një nga një i lanë ndërtesat më emblematike të “mbështjella me një shtresë gjarpërushe zjarri”, siç e përshkruan autori Stephen Vogel në librin e tij mbi këtë temë. Djegia e Uashingtonit ishte një goditje poshtëruese për një vend që sapo ishte bërë i pavarur nga britanikët.

“Djegia e Capitol Hill dhe Shtëpisë së Presidentit, siç quhej atëherë Shtëpia e Bardhë, realisht tronditi amerikanët njësoj si me ngjarjet në Pearl Harbor, kur u sulmua vendi dhe pas 11 shtatorit”, shprehet Vogel për BBC.

Por nga kjo ngjarje Shtetet e Bashkuara u rikuperuan shumë shpejt: Vetëm tre javë më vonë, ushtarët amerikanë mbrojtën McHenry-in në afërsi të Baltimorës, një betejë që shërbeu si frymëzim për Francis Scott Key i cili shkroi një poemë, në të cilën u bazua himni aktual i SHBA-së.

Liri, por jo pavarësi

Djegia e Shtëpisë së Bardhë dhe Capitol Hill ishte një nga episodet më domethënëse dhe dramatike të një konflikti 32 mujor midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar që filloi më 1812 me deklarimin e luftës të nënshkruar nga Presidenti James Madison.

Shtetet e Bashkuara kishin ndjesinë, shpjegon Vogel, se britanikët kishin shkelur sovranitetin e vendit të ri, duke kufizuar, për shembull, tregtinë me Evropën, apo duke detyruar marinarët amerikanë që të punonin për anijet e flotës mbretërore.

“Kishte një ndjenjë mes Madisonit dhe ndjekësve të tij se vendi kishte fituar lirinë, por në të vërtetë nuk kishte fituar pavarësinë”, thotë ai. Në ato vite, Britania ishte zhytur në një luftë intensive me Perandorinë Franceze të Napoleonit dhe, edhe pse nuk kishte interes për një luftë të mëtejshme me Shtetet e Bashkuara, as nuk ishte e gatshme të mundej nga ish kolonia e saj. Megjithatë, Anglia do të merrte një rol më shumë sundues në vitin 1814, pasi Napoleoni u internua në ishullin mesdhetar të Elbës dhe goditja kryesore ndaj Shteteve të Bashkuara ndodhi pikërisht në kryeqytet.

“Britanikët pushtuan Uashingtonin me një objektiv”, tregon për BBC Bill Bushong, historian i Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë (WHHA). “Ky qëllim ishte të moralizonte amerikanët, duke i ulur simbolikisht në gjunjë duke djegur ndërtesat e tyre publike”.

Kur ushtarët mbërritën në Shtëpinë e Bardhë në orët e fundit të atij 24 gushti, ata nuk gjetën luftëtarë sfidues, por një banket të shtruar. Dolley Madison, bashkëshortja e Presidentit, e kishte lënë atë gati në pasdite, ashtu siç bënte çdo ditë për burrin e saj.

Por, me afrimin e ushtarëve ishte e detyruar të arratisej, ashtu siç kishte bërë edhe Presidenti. Dolley la rezidencën presidenciale, por si fillim vendosi të marrë me vete një portret të George Washington-it, Presidenti i parë i vendit, për ta shpëtuar atë nga flakët.

Ishte një veprim që ende mbart shumë simbolikë: piktura është vepra më e vjetër e artit e ekspozuar në Shtëpinë e Bardhë, sipas Bushong. Menjëherë pas ikjes së Dolley Madisonit, britanikët e gjetën shtëpinë bosh, hëngrën, pinë Madeira (verë portugeze) , vizituan dhomat dhe në fund i vunë zjarrin.

“Kurrë nuk do ta harroj madhështinë shkatërruese të flakëve që kishin marrë me vete, shtretër, perde, etj.”, Shkroi major Harry Smith, një prej ushtarëve, siç është shënuar në librin e Vogel-it, me titull “Përmes luftës së rrezikshme” (Through the Perilous Fight). “Megjithëse Uashingtoni kishte më pak se një dekadë si kryeqytet, simbolika e humbjes së këtyre strukturave e goditi rëndë vendin”, thotë Vogel.

“Ata donin hakmarrje”

Por Amerika nuk do të hiqte dorë. Në fakt, goditja në kryeqytet bëri që të mobilizoheshin forca të reja për të luftuar britanikët. “Amerikanët ishin të zemëruar dhe kërkonin hakmarrje”, tha për BBC Anthony Pitch, autor i një libri mbi pushtimin e 1814-ës.

Si rezultat, ata jo vetëm që mbrojtën Baltimorën, por edhe parandaluan që britanikët të merrnin New Orleans. Konflikti përfundoi politikisht me nënshkrimin e Traktatit të Gentit në dhjetor 1814, që rivendosi marrëdhëniet mes dy vendeve siç ishin para luftës. Uashingtoni u rikuperua gradualisht dhe mbeti si kryeqytet edhe pse disa mendonin se ishte shumë i ekspozuar.

Shtëpia e Bardhë u rindërtua, edhe pse në vend të gurit, në disa pjesë u përdor dru, gjë që dobësoi strukturën me kalimin e kohës dhe u detyruan rikonstruktime të reja në mesin e shekullit të njëzetë.

Dhe zjarri, me simbolikën e tij të dukshme, përfundoi si një kujtim i kohës kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk ishin të përzemërta si tani.

Në një vizitë të kryeministrit britanik, David Cameron në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2012, Presidenti Barack Obama bëri shaka duke thënë se si ushtarët “lanë shumë përshtypje” dhe “realisht e ndezën vendin” më 1814-të.

Cameron u përgjigj duke thënë se ndjehej i turpëruar nga ajo që bënë paraardhësit e tij, por menjëherë shtoi: “Po shoh se tani e keni mbrojtur vendin pak më mirë”.

Share This Article
2 Comments
  • Eshte e vertete qe eshte djegur por nga Kanadezet pasi amerikanet u dogjen parliamentin ne Otawa, moren hakun si te thuash

  • ………….populli amerikan nese ka deshiren dhe aftesine per ta shpetuar nga nje djegie e re e mundeshme, tashme jo vetem nga agresioni i jashtem, por nga vete amerikanet, do te jete ne nderin e ketij populli qe Shtepine e ”Bardhe” ta shendrronte ne muze , si fund i nje epoke.
    Mijevjeçari i III-te duhet projektuar e konstruktuar diversamente,koshient populli amerikan dhe oligarket e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *