Dita kur Putin qau

Ornela

Vladimir Putin nuk është parë shpeshherë të qajë. Madje, nëse ka diçka që e karakterizon presidentin e Rusisë është serioziteti, kthjelltësia dhe forca, tipare që i japin portretin e një lideri të fortë tek i cili elektorati beson tashmë prej 18 vjetësh. Por në fillimet e karrierës së tij, Putin ka qarë.

Momentin e kujton gazetari Gabriel Gatehouse, i cili ka udhëtuar drejt Rusisë për të intervistuar disa personazhe kyç të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale ruse, raporton BBC, – shkruan Dita. 

Ngjarja ndodhi më 24 shkurt të vitit 2000 gjatë funeralit të Anatoly Sobchak.

Sobchak ishte një nga njerëzit, që së bashku me Gorbachov dhe Yeltsin, projektuan fundin e Bashkimit Sovjetik.

Gjithashtu ka qenë një reformist që nxorri nga errësira një zyrtar të rangut të mesëm të KGB-së dhe i ofroi punën e parë në politikë. E kush mund të ishte tjetër veçse Vladimir Putin.

Askush nuk i di në të vërtetë arsyet e vendimit të tij, por sot, garda e vjetër e inteligjencës sovjetike ka fituar aq shumë pushtet në Rusi saqë vështirë se mund të thuhet me siguri të plotë se vendi është në demokraci.

Anatoly Sobchak

Më 18 mars, Rusia do të zgjedhë presidentin e saj. Janë tetë kandidatë, por mendohet se presidenti aktual do të fitojë sërish. Për herë të katërt.

Një prej kandidateve i cilëson këto zgjidhje si “të rreme“.

Ashtu si në një kazino, ku shtëpia gjithmonë fiton, në demokracinë ruse fitorja është gjithmonë në anën e Putinit“, thotë ajo.

Kjo kandidate është Ksenia Sobchak, vajza e mikut të vjetër të Putinit dhe mentorit që e solli atë në pushtet.

Ksenia, siç njihet më së shumti, është 36 vjeç. Ka qenë prezantuese televizioni, kaloi shumë shpejt në gazetarinë opozitare dhe tani në politikë.

Mbështetësit e Alexei Navalny, kandidatit që opozita e cilëson “si të vërtetin”, thonë se është një kukull e Kremlinit, një mike e vjetër e familjes, e rekrutuar nga Putini për t’i dhënë zgjedhjeve pak besueshmëri.

E sigurt është se Sobchak nuk mund të paraqitej në garën presidenciale pa lejen e heshtur të autoriteteve. Kështu funksionon demokracia ruse.

Megjithatë, ata që drejtojnë Kremlinin, mund të jenë penduar për vendimin e tyre.

Ksenia vërtitet sa në një studio televizive në tjetrën për të denoncuar njerëz të korruptuar të rrethit të Putinit dhe se aneksimi i Krimesë është i paligjshëm.

Ajo pohon se po kandidon për t’u dëgjuar, jo për të fituar. E sigurt është se kur shkon në studiot e ndryshme televizive, ajo thyen disa tabu që ekzistojnë në mënyrën e të bërit politik në Rusi.

Megjithatë ka diçka që nuk përputhet: Si shpjegohet që vajza e vogël e mentorit të Putinit e kritikon në këtë moment? Për ta kuptuar (ose të paktën të përpiqemi të kuptojmë) duhet të bëjmë një udhëtim në të kaluarën.

Anatoly Sobchak ishte kryetari i bashkisë së Shën Petersburg. Ai dhe Putin ishin aq miq saqë kur Sobchak u akuzua për korrupsion, Putin e ndihmoi që të dilte nga vendi. Kjo ka ndodhur në vitet ’90.

Ishin vitet e kaosit në Rusi. Presidenti i saj, Boris Yeltsin, qëndronte gjatë gjithë kohës i dehur duke lënë mënjanë funksionet e tij.

Boris Yeltsin

Ata që zotëronin Kremlinin në atë kohë gjetën zgjidhjen: një i ngjashëm, një fletë bosh që ishte antiteza e Yeltsinit.

Kështu nisi përgatitja e pasuesit të tij.

Kur Putin garoi për president për herë të parë, shoku i tij i ngushtë Anatoly Sobchak, 62 vjeç, vdiq në një dhomë hoteli në Kalingrad.

Autopsia përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte arresti kardiak, por asnjë shenjë në zemër nuk  e konfirmonte.

E veja e Sobchak dyshonte se po luhej një lojë e pistë dhe urdhëroi një autopsi të dytë, private.

Emri i saj është Lyudmila Narusova. U takova me të dhe e pyeta nëse mendonte se burri i saj ishte vrarë.

“Po”, më tha deri në dhjetë herë. Pastaj përfundoi me një “nuk e di”.

Disa besojnë se Putini mund të ketë lidhje me vdekjen e mentorit të tij.

A kishte Sobchak diçka kundër Putinit? Narusova e përjashton plotësisht këtë ide në bisedën tonë.

Shoh sërish fotot e varrimit. Putini është me të vërtetë i mërzitur. Sytë e tij janë të kuq dhe duket se mezi gëlltitet, ndërkohë që përqafon Lyudmila Narusovan.

Putini nuk është aktor dhe nuk është i prirur për shfaqje të tilla të emocioneve në publik. Pra, a mund të thuhet se po përjeton një duel? Apo është diçka tjetër? Faj?

“Kishte njerëz që po manovronin ta ngrinin lart Putinin”, thotë Narusova.

Ka të drejtë. Në atë kohë, Putini ishte një mjet pushteti i disa fraksioneve të ndryshme brenda Kremlinit. Dhe, deri diku, është ende sot.

Por nëse Sobchak u vra, atëherë kjo ndodhi, sepse disa njerëz në Kremlin kishin frikë se ndikonte shumë tek nxënësi i tij? Ndoshta.

Vladimir Putin dhe Lyudmila Narusova

Nëse po, e dinte ish-zyrtari i KGB-së që miku i tij i vjetër vdiq në mënyrë që “projekti Putin” të mund të kishte sukses?

Është vetëm një dyshim, por kam filluar të besoj se është e mundur.

E pyeta Narusovën për atë autopsi që kishte bërë dhe se kurrë nuk kishte dalë në dritë.

E veja i mban dokumentet në një vend të sigurt, jashtë Rusisë.

E pyeta pse, por ajo nuk donte të fliste për këtë. I bëra presion pak më shumë dhe i thashë: “Duket se e ke një lloj sigurimi jete”.

“Mund ta shihni si të tillë”, u përgjigj ajo.

“A keni frikë për sigurinë tuaj, apo atë të vajzës”, e pyeta.

U ndal për një moment.

“E  di? Të jetosh në këtë vend është e frikshme, veçanërisht për ata që kanë pikëpamje të kundërta, kështu që po, jam e frikësuar. Jam e frikësuar …”

o.j/dita

Share This Article
1 Comment
  • “….sot, garda e vjetër e inteligjencës sovjetike ka fituar aq shumë pushtet në Rusi saqë vështirë se mund të thuhet me siguri të plotë se vendi është në demokraci….”

    =

    “sot, garda e vjetër e inteligjencës komuniste ka fituar aq shumë pushtet në Shqiperi saqë vështirë se mund të thuhet me siguri të plotë se vendi është në demokraci.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *