1 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e SIDA-s. Në botë gjatë vitit 2012 ishin mbi 35.3 milionë njerëz të prekur nga kjo sëmundje, ndërsa 36 milionë të tjerë llogaritet se kanë humbur jetën si pasojë e saj që nga viti 1980.
Zona më e prekur është kontinenti afrikan, i cili përbën 69 për qind të të prekurve në shkallë globale.
Sëmundja e shekullit u zbulua për herë të parë rreth 33 vjet më parë dhe ende shkenca nuk ka gjetur një ilaç për shërimin e saj. Megjithatë, gjatë këtyre viteve janë bërë hapa para në njohjen e saj dhe sensibilizimin e njerëzve, nëpërmjet informacionit që ka për qëllim mbrojtjen paraprake.
Në vendin tonë, deri tani numërohet 625 të infektuar me HIV-AIDS. Megjithatë, pavarësisht shifrave zyrtare që ofron Instituti i shëndetit Publik, mendohet se numri i të prekurve është më i madh, kjo për shkak të periudhës së fjetur të sëmundjes, e cila në fazën e saj të parë nuk shfaq simptoma.