Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Avokati i Popullit, ka bërë publike rekomandimet e drejtuara ministrive të ndryshme, si dhe Kryeminsitrit të vendit lidhur me kushtet në të cilat jeton komuniteti rom. Në rekomandimin dërguar Ministrisë së Arsimit, Avokati i Popullit Igli Totozani, shprehjet se duhet përmirësuar ligji në mënyrë që fëmijët e këtij komuniteti të frekuentojnë kopshtet dhe shkollat.
“Veçanërisht në rastin e komunitetit rom, ushtrimi dhe respektimi i të drejtës për t’u shkolluar merr një rëndësi të veçantë, sidomos përsa i përket aksesit që fëmijët e këtij minoriteti duhet të kenë në sistemin arsimor. Duhet theksuar në këtë moment se barazia formale e sanksionuar në dispozitat e Kushtetutës në realitet prezantohet si pabarazi, për shkak të një sërë rrethanash objektive e subjektive, të cilat kushtëzojnë realizimin efektiv të barazisë formale, rrethana këto që mund të çojnë edhe në diskriminim të tërthortë ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti”, thotë Avokati i Popullit.
“Përfshirja veçanërisht e të gjithë fëmijëve romë në arsimin parashkollor, i cili duhet të jetë i detyrueshëm për të gjitha familjet rome, duhet të jetë një nga prioritetet e politikëbërësve të arsimit. Pikërisht ky këndvështrim real i çështjes kërkon si masë fillestare efektive një legjislacion që sanksionon dhe garanton këtë përfshirje. Vlerësuar ndër të tjera edhe nga pikëpamja ekonomike, në një të ardhme jo të largët, kjo gjë do të jetë fitimprurëse edhe për sektorin publik, meqë kostoja e sotme e arsimimit të fëmijëve romë do të jetë dukshëm më e ulët se kostoja e ndihmës ekonomike në të ardhmen”, thuhet në rekomandimet e Avokatit të Popullit.
Aktualisht, romët janë grupet etnike më të varfëra dhe të margjinalizuara në Shqipëri. Kjo gjë ka krijuar një rreth vicioz që prodhon analfabetizëm dhe arsimim të ulët mes romëve, i cili thellon edhe më shumë margjinalizimin e tyre në shoqëri. Edhe pse krahasuar me disa vende të tjera në Evropën Qendrore dhe atë Lindore romët në Shqipëri përfaqësojnë një përqindje më të ulët të popullsisë, varfëria e tyre ekstreme në rritje ndikon negativisht kohezionin dhe stabilitetin social.
Në gjykimin e Avokatit të Popullit, arsimimi i pjesëtarëve të këtij minoriteti, duhet parë jo vetëm si një detyrim kushtetues, por si një nga mënyrat me efikase për integrimin e tyre të plotë në shoqëri. Niveli i ulët arsimor është problem serioz, që pengon integrimin e këtij komuniteti me shoqërinë. Shumica e fëmijëve rom janë analfabetë dhe kjo për shkak të vështirësive gjuhësore që, kanë fëmijët në klasë të parë, të gjendjes tejet të vështirë ekonomike të familjeve të tyre, të largësisë që kanë me vendbanimet e tyre nga institucionet shkollore, si dhe të mentalitetit të gabuar të prindërve.
Ndërkohë, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punës disa përmirësime në ligjin “Për mbrojtjen e diskriminimit”.
“Komisioni Evropian në Opinionin e vitit 2010 për Shqipërinë ka theksuar se ka filluar procesi i përafrimit te legjislacionit shqiptar me “acquis communitaire” të BE-së në fushën e legjislacionit të punës, trajtimit të barabartë të grave dhe burrave dhe antidiskriminimit, por janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme, për një përputhshmëri të plotë lidhur me këto çështje.
Sa më sipër, institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se në Ligjin “Për mbrojtjen kundër diskriminimit”, duhet të shtohen në shkaqet për të cilat ndalohet diskriminimi edhe kombësia; qëllimi i shpallur për të diskriminuar; nxitja për diskriminim dhe ndihmesa dhe inkurajimi i diskriminimit”, thuhet në rekomandim.
Së fundmi, Avokati i Popullit i është drejtuar edhe kryeministrit shqiptar për faktin se aktualisht mungon përkufizimi i minoritetit kombëtar. “Aktualisht procesi i njohjes së këtyre minoriteteve në vend, bazohet në kriteret e përcaktuara nga konventat ndërkombëtare, siç janë kriteret objektive që kanë të bëjnë me ekzistencën e karakteristikave etnike, kulturore, fetare, linguistike të veçanta dhe të qëndrueshme, nga pjesa tjetër e popullsisë të këtij grupi, si dhe me shfaqjen e vullnetit për të ruajtur kulturën, traditat, fenë, gjuhën e tyre, si dhe kriterin që nënkupton zgjedhjen personale për të qenë pjesë e minoritetit.
“Aktualisht, siç edhe rezulton, vendi ynë nuk ka marrë “masën e nevojshme legjislative”, nxjerrë ende asnjë akt normativ të brendshëm ku të përcaktohet definicioni apo kriteret e njohjes së minoriteteve, të cilat “de jure”, janë pranuar si të tilla indirekt nga shteti shqiptar, po t’i referohemi kritereve të përzgjedhjes së anëtarësisë së Komitetit Shtetëror të Minoriteteve.
Në këto kushte është i nevojshëm rregullimi me një ligj specifik, i cili do të parashikojë shprehimisht këtë moment. Vlerësojmë se miratimi i këtij ligji do të ketë efektet e tij dhe do të kërkojë edhe reflektim në dispozitat ligjore të një sërë ligjesh të tjera në fuqi, që do të sigurojnë pjesëmarrje dhe përfaqësim sa më real dhe aktiv të minoriteteve në Shqipëri.
“Sa më sipër, me qëllim garantimin sa më të mirë të të drejtave të minoriteteve në vend, si një element i rëndësishëm i shtetit të së drejtës, sugjerojmë që, në përputhje me pikën 1, të nenit 81, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, është e nevojshme të realizohet inisiativa legjislative për miratimin e një ligji ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, të ratifikuar me ligjin nr.8496 datë 3.06.1999.
OSBE/ODIHR, projekt për integrimin e romëve
Me mbështetjen e Projektit të OSBE/ODIHR-it “Praktikat më të Mira për Integrimin e Romëve” (PMIR), financuar nga Bashkimi Evropian, u zhvilluan veprimtari ndërgjegjësimi për kulturën, traditat dhe të drejtat e romëve, në shenjë festimi të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Veprimtari të tilla si ekspozita fotografie, konkurse artistike, festival ushqimi, koreografi dhe një marshim në përkujtim të viktimave të gjenocidit rom gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishin për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me kulturën rome dhe njëkohësisht promovimin e integrimit të mëtejshëm social dhe ekonomik të komuniteteve rome në rajon.
“Ndërgjegjësimi në lidhje me rëndësinë e integrimit të romëve është thelbësor dhe Dita Ndërkombëtare e Romëve është një mundësi e shkëlqyer për promovimin e kulturës dhe traditës rome në mënyra të ndryshme”, u shpreh Judit Kiers, menaxhere e projektit PMIR.
“Kjo ditë është kremtimi i identitetit rom dhe i së drejtës për të qenë ndryshe, por njëkohësisht pjesë e një shoqërie si e tërë. Është një mënyrë se si romët mund të ndajnë, në mënyrë pozitive, kulturën dhe traditat e tyre me grupet që përbëjnë shumicën e popullsisë”.
Në mbarë rajonin janë zhvilluar gjithsej 15 veprimtari nga 28 organizata të ndryshme, për të shënuar këtë ditë. Fondi për veprimtaritë u dyfishua në 33 000 euro pas një reagimi pozitiv ndaj thirrjes fillestare për propozime. Veprimtaritë e zhvilluara u përzgjodhën nga 81 propozimet e paraqitura nga organizata joqeveritare të cilat veprojnë në Ballkanin Perëndimor.
PMIR është një projekt rajonal i financuar nga Bashkimi Evropian, mbështetur nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe i zbatuar nga ODIHR-i. Projekti mbështet programet inovative për promovimin e pjesëmarrjes më të gjerë të romëve në jetën politike e publike dhe në vendimmarrje, për luftimin e diskriminimit dhe për të kontribuar në kushte më të mira jetese.