“Ditar në tre kontinente”

redaktor

Një libër me vlera të veçanta nga Ymer Minxhozi

Izet S. Çulli

 

“Ditar në tre kontinente” është libri i gazetarit të mirënjohur Ymer Minxhozi. Libra të këtij lloji ngjallin gjithmonë interes dhe prej tyre mëson shumë. Janë kujtime të tij në udhëtimet dhe ecejaket e ndryshme në disa kontinente dhe shtete të botës.

Rrugëtimet  i nis Moska në vitet e largët  për të festuar 1 Majin, ku asokohe ishim në miqësi me rusët dhe na njeh me takime me të njohur e të panjohur të asaj periudhe kohore, ku u përshëndet nga afër edhe me ushtarin sovjetik Jegorov, i cili ngriti flamurin e fitores në Raishtag…Më pas ai shkon, pikërisht më 1963, si korrespondent i “Zërit të Popullit” në Kinë. Na paraqet këtu takimin me Kryetarin Mao, i cili, siç dihet, ka qenë edhe poet, por që kishte hyrë në fondin e letërsisë botërore  dhe që vargjet e poemave të tij të ishin përdorur edhe nga Bitëllsat e përbotshëm, nga ky libër i Minxhozit e marrim vesh. Po aty shkruan për kulturën e lashtë kineze: edhe korita ku u gatua brumi i letrës  së parë të shkrimit, në vitin 105 të erës sonë, në Kinë,është bërë për herë të parë. Po për të mbërritur në Evropë, kësaj letre të bekuar, i është dashur më shumë se njëmijë vjet.

Një udhëtimi rrallë ishte ai nëTibet, në korrik 1965, të cilit i ka kushtuar librin”Tibeti dje , sot, nesër” ku do të gjesh mbresa të pazakonta. Mësojmë se kryqi i thyer atje është një simbol fatsjellës, të cilin e mori Hitleri, por natyrisht duke i shtuar diçka të re, një rreth. Aty është edhe një lumë që rrjedh nga Perëndimi në Lindje. Gjen tunel në male të lartë me ura 12 km të gjatë. Është një kafshë e veçantë vendase me emrin jaku. Një vend i çuditshëm, ku rrota dhe llamba elektrike ishin të ndaluara.

Në pranverën e 1965-ës kryen një vizitë në Vietnam, në llogoret e freskëta të Hanoit me bombardime nga avionët amerikanë. Është ky Vietnam që kishte shporrur kolonizatorët francezë mbas Luftës së Dytë Botërore, ku ata kishin lënë  më shumë se gjysmë milioni ushtarë dhe që e kishin mbajtur të pushtuar për gati një shekull(1858-1954). Takohet me gazetaren e famshme amerikane Anna Luiza Strong, si dhe me përkthyesin vietnamez me mbiemrin Shë, të cilin z. Minxhozi  e njihte qysh më parë, kur ai kishte studiuar në Universitetin e Tiranës, nga ku Shë-ni  ruante kujtime e emocione të veçanta. Një popull me mjaft vuajtje e plagë shumë. Nuk na lënë , thoshte Shë-ni të mbjellim oriz, të zëmë peshk dhe të kullosim buajt! Është ky popull i cili e do poezinë, që edhe kur shan, të shan me poezi e jo me prozë!

Vizita në Indonezinë me vullkane të shumtë, po ashtu autori na paraqet  pamje  e ndodhi interesante si dhe pritja nga Presidenti Sukarno, një intelektual i mirëfilltë me dy doktoratura dhe me katër gjuhë të huaja. Është kjo Indonezi me afro dyqind milionë banorë, me dyqind etni, të cilët flasin po kaq nëndialekte.

Kamboxhia, një shtet tjetër me sipërfaqe sa Çekosllovakia, Belgjika, Holanda të marra së bashku, i vizituar nga gazetari Ymer Minxhozi, ku të duket shkruan ai se, edhe një shkop të thatë, po ta ngulësh në tokë, nesër lëshon gjethe të njoma! Është shtet me gjuhë të vështirë e me më shumë shkronja në alfabet.

Dyzet faqe të“Ditarit…” i shkojnë Vatikanit, që gjithashtu lexohet me interes të madh dhe zgjeron së tepërmi njohuritë e tua. Vatikani është shteti sovran më i vjetër në botë dhe ka marrëdhënie diplomatike  me rreth njëqind vende, po ashtu ka flamurin, himnin, monedhën, pullat, postat, gazetat dhe radion e saj; por nuk ka kushtetutë.Sheh këmbën prej bronzi tëShën Pjetrit, e cila është gërryer , jo nga koha, por prej  të puthurave të besimtarëve. Kisha me emrin e tij është monumentale. Vetë romakët dikur e kishin kryqëzuar atë!

Papa i sotëm dallohet shumë, për nga thjeshtësia e vetë Krishtit, siç nuk ngjan një perandor me një hamall,-shkruan autori. Papa nuk merr pagë. Deri në vitin 1978 të gjithë papët kanë qenë italianë e të tërë ishin meshkuj. Atje ka shumë vizita e pelegrinazh: vetëm më 1975 atje shkuan tetë milionë e treqindmijë të tillë. Vatikani zotëron pasuri të mëdha në Itali e në shumë vende të botës.  Ai  ka shpallur ,siç dihet, mbi njëzetmijë shenjtorë dhe mbi dyqind mijë të lumturuar!

Për kishën edhe La Fonteni është i ndaluar ngase fabulat e tij e kanë bishtin mbrapa, e sidomos kur i lexojnë më të rriturit. Mbi njëzetmijë tituj librash janë ndaluar prej saj deri më 1966, por pastaj kjo listë nuk vazhdoi më tej…

Selia e Shenjtë ka 14 institute të larta në nivel universiteti, gjashtë akademi teologjike, 50  institute studimore-kërkimore, shumicën e të cilëve  i drejton vetë Vatikani. Universiteti Papnor më i vjetër në botë(1552) është ai me emrin “Gregorianum” me studentë nga 130 shtete dhe me një bibliotekë me nëntëqind mijë vëllime. Pranë këtij universiteti më 1969, u çel edhe  Qendra e studimeve marksiste! Kjo teori(marksiste) paraqitet si armiku numër një i idealizmit fetar, por për ta luftuar dikë, më parë, duhet ta njohësh atë.  Gjithashtu në Vatikan studiohet edhe ajo që  i ka hapur shumë telashe atij: arkeologjia.

Dhe ja më pas Ymer Minxhozi “fluturon” në  një kontinent tjetër, në shtetin e Algjerisë, ku paska edhe burra  me ferexhe, hurma me madhësinë  e kokrrës së gështenjës me 70-80% sheqer. Atje, në disa zona ka më tepër turistë se sa vendës. Një ditë disa gjeologë hapën aty dy puse artezianë për ujë, por doli…naftë. Ndaj e duan Saharanë edhe të huajt! Më tej, nëpër Turqi, në shtëpinë e Ataturkut (me baba shqiptar nga Dibra). Në Turqi është marrë një vendim që të mos kritikohet Ataturku dhe askush tjetër të mos mbajë emrin Ataturk.

Në vendlindjen e Nastradin Hoxhës gjenial, një humorist, satirist, filozof, një njeri i urtë dhe i madh  Ai  ngelet aktual edhe mbas kaq shekujsh duke pickuar edhe më të fortët. Më tutje shfaqet Anadolli, djepi i disa qytetërimeve, me një territor afërsisht sa Franca. Bën fjalë aty për milionat e shqiptarëve të asimiluar apo të turqizuar në Turqi, ku s’gjen një shkollë shqipe, botim shqip, asnjë klub të tillë kulturor apo ansambël folklorik!

Stambolli, qyteti mbi Bosfor(i shtrirë  mbi dy kontinente) ka një histori 2600-vjeçare. Autori “gjeti” kohë të shkojë për homazhim te varri i Sami Frashërit (i cili s’është i asaj cilësie që duhet të ishte). Sot shumë nga pushtetarët e shtetarët tanë në ecejaket e disahershme të tyre në Stamboll, s’kanë mundur të planifikojnë një vizitë  të shkurtër në varrin e filozofit, filologut  dhe shkrimtarit tonë poliedrik. Autori i këtyre radhëve, një adhurimar i Vëllezërve Frashëri, realizoi një vizitë  në shtator 2009, tek vendvarrimi i Samiut të madh.

Një vend të veçantë në librin  tërheqës”Ditar në tre kontinente”të Ymer Minxhozit  e zë  ai në vizitën dhe turneun  e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve  tona  në Gjermaninë Federale më 1983. Në përshëndetjen e drejtorit të Teatrit  Kombëtar  të Mynihut, z.Peter Vebler, u tha:”…do të shohim copa ylberi që zbresin nga malet e larta shqiptare, do dëgjojmë tinguj mitikë të jehonës së këtyre maleve, do të shijojmë poezinë e asaj gjuhe që e studiuan me aq dashuri  edhe dijetarët gjermanë…”. Sa fjali të thëna kaq poetikisht. Atje duartrokitej shumë nga fillimi gjer në fund për 70 pjesëmarrësit e ansamblit tonë dhe diku u shkrua se:”Kur të duartroket Mynihu, të ka duartrokitur Gjermania”. Ishin 17 ditë  e net mes  duartrokitjesh të zjarrta  të dhjetëra mijë spektatorëve të Mynihut, Hamburgut, Nurenbergut, Bremerit, Hanoverit, Sidenfingerit. Arti çan më shpejt e më përpara se politika, e cila i hedh hapat shpeshherë me vështirësi e me shumë pengesa.

Njëzet faqe i kushtohen në libër Franc Jozef  Shtrausit, kryeministër i Bavarisë, së pari në gusht 1984, i cili zakonisht takohej edhe me kundërshtarët  vet politikë.  Shtrausi për tre vjet, erdhi tri herë në Shqipëri, por nuk pati rezultatin e pritshëm, ky mik, simpatizant i shqiptarëve, për të cilin gazetari i karrierës së gjatë Ymer Minxhozi më 1999 botoi librin analitik dhe përgjithësues “Shansi i humbur”.

 

Takim dhe shoqërim gazetarit të mirënjohur amerikan Sajrus Sulcberger, në maj 1990, i cili  kishte qenë në Shqipëri edhe më 1938-ën, për Vitin e Ri 1939. Ai kishte marrë pjesë në festimin e atij viti e në fund jep një përshtypje jo të mirë, me të drejtë, për të ftuarit” vazhdonin të pinin e të hanin:shampanjë, mëlçi shpendësh, sallata, akullore”, “dhe e gjitha kjo në një vend që kishte pllakosur uria”.

Gazetari Ymer Minxhozi jep gjithashtu përshtypjet dhe takimet në Moskë, më 1990, mbas  30 vjetësh, ku kishte studiuar për tre vjet. Një takim interesant është ai me Valeri Modestovin, zëvendësdrejtor i një shtëpie  botuese në kryeqytet, ku janë botuar edhe Naimi, Çajupi, Migjeni, Agolli me Zylon e Demkën e tij. Ai kishte koleksionuar  botimin e parë të“Baba Tomorit”,  zërin e incizuar të aktorit Naim Frashëri si dhe ruante librin e regjisorit austriak Maks Reinhard (1873-1943) për Aleksandër Moisiun tonë. Aty ndodhej edhe përkushtimi me penë i këtij të fundit.

Minxhozi pati biseda me interes me Modestovin . Aty mësojmë për dyshimin e vdekjes aksidentale të Juri Gagarinit,  hidheshin dyshime edhe për vetëvrasjen e Majakovskit dhe të Eseninit (që tanimë nuk janë më dyshimtare). Më vonë z.Minxhozi ka botuar librin “Rruga Gorki nr.19” ku ai përshkruan jetën e shumë heronjve të lavdishëm të Bashkimit Sovjetik, gjatë Luftës së Dytë Botërore si p.sh. për snajperen e jashtëzakonshme Ludmilla Pavliçenko, e plagosur katër herë në front e që asgjësoi 309 oficerë e ushtarë nazistë. I pakrahasueshëm është aviatori Aleksej Meresejev, që ka rrëzuar 11 aeroplanë gjermanë. Edhe kur i prenë këmbët e ngrira, shkoi sërish në frontin e luftës dhe rrëzoi përsëri avionë armiq. Meresejevi  vdiq më 18 maj 2001, në moshën 85 vjeçare, disa orë para se të festohej me solemnitet përvjetori i jubileut të ditëlindjes. Gjen në libër tregim për Mihail Jegorovin, i cili ngriti flamurin e fitores mbi Parlamentin gjerman (Rajshatg). Është ai që çuditërisht i shpëtoi  luftës, sidomos atij çasti solemn  dhe vdes aksidentalisht me automjet më 1974!

Ditari i gazetarit të shquar Ymer Minxhozi pasurohet më tej: Zvicra. Principata e Lihtenshtejnit: me 160 km2territor me 35 mijë banorë, por që eksporton rreth katër miliardë dollarë në vit dhe importon më pak se një miliardë dollarë. Këtu nuk ka të papunë, as kazino, s’ka reklamë për princin. Botohen dy gazeta, nuk ka skandale e as modë ekstravagante.

Po Polonia, më 1991? Atje startonin  dyqind parti politike, ku një ish-elektricist si Les Valesa, me katapultë bëhet President i vendit. Parlamenti ka 34 parti. Por atje nuk lulëzuan kioskat, as shkatërrimet barbare të gjithçkaje të sistemit socialist si gjatë tranzicionit të tejzgjatur të pasosur shqiptar. Në Poloni ekziston edhe Partia e Birrës, po shteti nuk paguan asgjë për partitë dhe as për gazetat. Secili duhet të qëndrojë vetë më këmbë.

Gazetari ynë i mirënjohur e mbyll këtë syth libror të shkurtër , kur kthehej në Atdhe:”Ah, Ballkan,Ballkan! Në Ballkan akoma s’kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore!” Sa pa shpirt paskan qenë politikanët tanë!

Aty nga fundi i librit” Ditar në tre kontinente” Ymer Minxhozi flet përsëri për Kinën, tanimë ndryshe, kur po e viziton për herë të dytë në maj 2002, për të cilën ka botuar punimin monografik ”Kina-sfida e shekullit”(2003), duke tejkaluar çdo parashikim të tij për zhvillimin e madh ekonomiko-shoqëror dhe duke zgjuar kështu admirim në kabinetet qeveritare të Lindjes e të Perëndimit. Në Kinë ishin mënjanuar kaosi, rrugaçëria dhe trysnia politike. Deviza e reformës kineze:”Të mos  injorojmë të kaluarën dhe të mos humbasim orientimin. Të mos mbetemi mbrapa kohës dhe të mos djegim etapat”. Kina ka patur administratën më të shkolluar e më të kualifikuar në botë që në mesjetën e hershme nëpërmjet  konkurseve. Kinezët nuk e vënë parmendën para qeve dhe s’e hedhin foshnjën, bashkë me ujin e govatës. Aty  binin në sy portrete e monumente të Maos. Ai përmendet me respekt, por  nuk e ngrenë lart e mbi re.

Ymer Minxhozi shkoi përsëri  në Murin e Madh Kinez, mbas 37 vjetësh. Pa këtë vizitë  këtu,shkruan ai,zëre se s’ke qenë në Kinë, në një nga shtatë mrekullitë e botës, murin më të gjatë në planet.

Dhe më në fund përsëri në Europë, pikërisht në Paris e saktësisht në Kullën e metaltë Ejfel, ku para  të del  kjo  pamja e përgjithshme e kryeqytetit, simboli i ri i Francës, me 300 m. lartësi dhe me 1710 shkallë, ku janë ngjitur me miliona vizitorë nga e gjithë bota. Dhe të mendosh asokohe se në ngritjen e saj e  kundërshtuan 300 intelektualë të shquar të Francës!

Strasburg, 28 shtator 2008, në qendër të Europës së bashkuar, ku të duket vetja ndoshta vërtet europian.

Nga libra të tillë mëson shumë. Kujtime e përshkrime të këshillojshme nëpërmjet ditarësh paraqesin interes, kur janë shkruar nga gazetarë dhe veçanërisht nga gazetarë me përmasa, siç është Ymer Minxhozi.

Share This Article
3 Comments
  • Urime per librin dhe do ishte mire, Ai lber te na sillet ketu ne Toronto te Kanadase(Kontinti “gjashte”).

    Urime, se pari shendet i mirenjohur yne Izet S. Culli qe na sjell kete informacion mjaft te rendesishem, per Librin e Gazetarit te nderuar Ymer Minxozi.
    Ne se do te kesh mundesi na dergo ca kopie ne Toronto,shoqates “Shqiptaro Kanadeze”. besoj se do merni falenderimet e rastit.
    Me shume konsiderat per Autorin sa ju qe i beni kete jehone z Izet S Culli.
    Gjithe te mirat e na pasqyroni keto festat e
    “VJESHTES”(NENDORIT te Pavaresies e CLIRIMIT.)

    Torono22-09-2016 Guri Naimit D.(Dh.Xh.)

  • Urime per librin dhe do ishte mire, Ai liber te na sillet ketu ne Toronto te Kanadase(Kontinti “gjashte”).

    Urime, se pari shendet i mirenjohur yne Izet S. Culli qe na sjell kete informacion mjaft te rendesishem, per Librin e Gazetarit te nderuar Ymer Minxozi.
    Ne se do te kesh mundesi na dergo ca kopie ne Toronto,shoqates “Shqiptaro Kanadeze”. besoj se do merni falenderimet e rastit.
    Me shume konsiderat per Autorin sa ju qe i beni kete jehone z Izet S Culli.
    Gjithe te mirat e na pasqyroni keto festat e
    “VJESHTES”(NENDORIT te Pavaresies e CLIRIMIT.)

    Torono22-09-2016 Guri Naimit D.(Dh.Xh.)

  • Sipas meje, gjithnje e me shume shkrime te tille, i nderuar zoti Izet, i duhen lexuesit te Dites e jo vetem te saj , sepse keshtu i mbyllet avash avash dera edhe sherrrnajes plot mediokritet qe ka pushtuar prej vitesh median e shkruar dhe ate elektronike.
    I mirenjohuri Ymer Minxhozi, me kete liber te fundit qe akoma nuk e kam marre ne dore, tregon edhe nje here se si pasioni e talenti sfidojne vitet e moshes se trete, duke qene e mbetur keshtu nje mesues i vertete per gazetaret e sotem e lexuesit e brezave qe vijne pas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *