Moikom Zeqo
(Nga libri “Laborator i ëndrrës “, i Moikom Zeqos Tiranë, 2018 )
(vijon nga numri i kaluar )
Në libër janë përmbledhur edhe vargje poetikë, strofa, poezi të shkurta, të përfshira në Fjalorët e Figurave,- një praktikë improvizuese e imja,- nganjëherë e përditëshme.
Keto fragmente dhe copëza nuk kishin qëllim të botoheshin,-qenë instrumente mendore për përkorjen , sofistikimin dhe emancipimin e sistemit universal
të metaforave.
Studiuesit e epërm shprehen se laboratori krijues i shume autorëve të shquar është gati e pamundur të zberthehet dhe shpesh te kuptohet plotësisht,-madje edhe vetë autorët nuk mund të thonë të vërteta absolute se cfarë është laboratori krijues.
Stefan Malarme në shenimet e tij mëton një teori, ose sintezë teorish për metaforën, përdor në spjegimet erudite në rrafshin e ndërlidhjeve edhe ekuacione algjebrike, ose simbolet dhe semantikat e alkimisë verbale.
Aristoteli e quan metaforën si Mbretëreshën e Tropeve, madje edhe fjalët më të thjeshta janë formësime ose shtjellime metaforeke, pra edhe vetë gjuha.
Në këtë optikë paraprijëse duhet të shihen dhe të lexohen edhe dëshmitë e Ditarit tim të vitit 1970.
*Fotografitë dhe dashuria zhvillohen më mirë në errësirë!
* Ilaçi më i mirë kundër zbokthit është gijotina!
QYTETI
Dhe prap u ngrit,
Nga kaosi i shkumës qyteti,
Si një Afërditë nga deti!
Si një Afërditë prej guri
Me gjijtë e kodrave
Dhe flokët e pishave dh të kaktuseve.
Me kurorë prej tempujsh,
Me sytë
Horizonte!
* Mjegulla, që lëviz, krijon iluzionin sikur lëkundet tërë qyteti.
* Pi Drinin dhe e zbraz në brigjet e Ebros në Spanjë.
* Kush nga lopët e reve mjell shirat e bardhë të shirave?
* Pishat e mbushura me agim.
* Ave Maria! e Gynosë! E Shubertit! Tokëzim i hyjnores tek njerëzorja, sipas Shlegelit.
*Tek Homeri perënditë janë njerëz.- Familja olimpike ka përmbajtje njerëzore.- Ky është i ashtuquajturi “tokëzim”, sipas Shlegelit.
* Ah, korridoret e fakultetit të gjuhë-letërsisë si autobusë të mbushur plot.
* Ujërat plot pasqyrime pemësh pyllëzojnë detin.
* Dikur syri “si ulli”, sot syri “si ekran”, – fusha tematike të ndryshme.
* Në pyjet e mjekrës të Marksit fluturojnë pulëbardhat dhe shqiponjat.
*. Mozaikun e ve në lëvizje si një kaledoiskop të Përfytyrimit.
* Tymi i automobilit bjen mbi gurët e kalldrëmit të rrugës së vjetër si tymi i një temjanice të Kujtesës!
* U bije kangjellave si ksilofon!
* Këmishët e varura në tela të kujtojnë mbretërinë e ca ëngjëjve, të paduruar, për t’u tharë, nga larja në Diell.
* Qepallat i kishte ulur poshtë si velat e rënda të anijeve.
* Këmbët më dhëmbin dhe më janë bërë si sytë e Greta Garbos, po aq të lodhur dhe të largët.
* Sytë e saj u njomën nga lotët, – unë u ndjeva sikur isha brenda, nën këta sy, si nën xhamat e një veture, që mbulohen nga shiu i rrëmbyeshëm, ndërsa shoferi s’di nga t’ia mbajë dhe do të frenojë në çast, për të mos rrëshqitur në greminë, – pastaj ajo qeshi dhe qepallat i lëvizën si furçat e shiut në xhamat, për të qartësuar pamjet, kështu s’qe nevoja, për asnjë frenim!
* Dhe bubullima Zeusiane e mbështolli malin si një korset akustik, i frikshëm.
* Gabimet e mjekut i mbulon dheu, të arkitektit mbeten në shekuj.
* Tani qyteti ngjan se do të vetëvaret në kravatën e rrugës së tij – si në baladën e Fransua Vijonit.
* Hëna është bumerangu, që Dita e hedh në Perëndim dhe Nata e kthen në Lindje.
* Për Marksin heqja e fesë si lumturi iluzore e popullit është kërkesa e lumturisë së tij të vërtetë, – feja s’është gjë tjetër veçse Diell iluzor, që vërtitet rreth Njeriut, përderisa Njeriu, nuk fillon të vërtitet rreth vetes së tij.
* Avionët në qiell përplasen me perënditë olimpike, por ju s’i shihni, s’i shihni!
*. Kashta e Kumtrit më shpërndahet si hemoglobina në trupin tim.
* Ah, murgeshat plaka me fytyrat si manastire!
* Mbi vetullat e kaltra të gurit ulen zogjtë.
* Strehët pikojnë mbi mua stinën, si pikat e një transfuzioni të kaltër!
KORNEJA E EKRNEVE
Në sy kam transplantuar
Kornenë e ekraneve
Dhe shoh horizontet e mëdha të Kohës,
Me një këmishë të thjeshtë
Me kuadrate,
Si me paralele dhe meridianë të botës!
* Sixhadetë magjike të reve me thekët poshtë të shirave!
* Si bluza marinarësh me vija,dritaret ngrenë dhe ulin grilat!
* Në mëngën e vargmaleve Hëna është kopsa vezulluese.- Meduza elektrike e abazhurit
kërcënuese luhatet në terr.
* Trungu i Poezisë nxjerr gjithmonë degë të reja figurative, – po a duhen krasitur?
* Kush i thurr dhe i ç’thurr lumenjtë, – gërshetat e bjeshkëve?
* Akrepat e ngritura si mustaqe në fytyrën e orës!
* Lusjen Gotman në librin “Hulumtime dialektike” thotë se “vepra nuk është vetëm aksion i krijuesit, por edhe autori është vetë aksioni i veprës së tij.”
* Zemërimi rritet i shtrembër si kaktuset.
* Shqiponjat e qerpikëve rrahin krahët.
* Të ecin këpucët pa këmbët, kostumi, pa njeriun që e vesh, ja ç’është të shkëputesh formën nga përmbajtja.
* Qyteti filloi të zmadhohet, – kjo ngjan me ndryshimin nga gjysmë Hëna në një Hënë të plotë.
* Figurat duhet të kenë një harmoni universale, – poeti duhet t’i drejtojë figurat si polici trafikun në sheshin “Skënderbej”, – ndryshe figurat përplasen, ndodhin aksidente figurash, shkatërrohet vjersha.
* Jam një mulli që bluaj imazhe, peizazhe, kohëra.
* I kam veshur këto konvikte si një kostum me ekuacione algjebre.
* Vjeshta fishkëllin, -me katër horizontet si gishta ,-te goja e saj!
* Hello and Goodbay Frencis Picabia!
* Shirat më mbulojnë si mjekra e Homerit.
* Shenjtorë, mbani radhën, Berberi, -që është Zoti ka shumë punë me ju, -me flokët dhe mjekrat e shekujve.
* Plugu është kali i bardhë që vrapon në terrin e dheut!
* Kafka e qiellit-,trutë e bardha të reve,-vetëtima mendim-metafora ylberesh!
* Globi i ballit tim plot rrudha kontinentesh!
TRAMPOLINA
Kam hipur mbi Hënë,
Si mbi trampolinë,
Dhe dua të kërcej
Mbi dallgët e kozmosit.
Gjurmët në rërë
Porsi trandafilë,
Çelin papritur,-
Në një tufë i përfshij!
Kam takim me Tokën
Dhe vij i gëzuar…
Me buqetën e gjurmëve
Të mia… në duar!
*Ylli, irida e syrit!
* Shirat e flokëve të saj mbi kodrat e supeve!
* Liqeni alpin në pyll si syri i kukumjaçkës së Minervës në muzg!
* Shumëngjyrshmëri emocionale, si më rrethon kështu?
* Kaloj në mesditën e shekullit, njëzetvjeçar, plot dëshira për jetën!
* Njeriu albin, si një figurë në negativ fotografie.
*Vita Contempletiva,-Vita Activa,-Dhe mes tyre,-Unë!
Talenti s’është kapital, të depozitohet, si të hollat-në kohë!
*Ky muzg më futet në trup,-si infeksion hormonesh!
* Duart më zgjaten si udhë-në të Panjohurën!
* Sqepi i shkëmbit e mban një trandafil
* Tingujt e hapësirta të lokomotivave le të jehojnë-brenda fjalëve të mia!
* Në muzg, në ballkon,një zambak ndizet-si llambë e vogël neoni!
* Dielli u ndal në hapësirë si një sahat-që ju këput zemreku!
* Poeti eksploron minierat e yjeve.
* Globin s’e çan dot si një arrë kokosi!
* Aparati ekspres i kafes si një avullore,që ka ardhur në port për të na çuar tej deteve.
*Pse ky akrep sillet në fushën e orës-si kali në lëmë?
* Gryka e këtij topi rrotullohet si një gjilpërë manjetike.
* Ky kryq i kishës si shenjë matematikore midis Tokës dhe Qiellit.
NDOSHTA
Ndoshta kjo Hënë
Është molla
Për shigjetën
E Vilhelm Telit!
Fustani asaj ju fry
Nga era,
Si një parashutë,
Që hapet befas!
Si t’i radhis
Yjet në qiell
Si tipografi shkronjat
E shtypshkronjës?
Si të shkruaj
Si të shkruaj
Gjithçka
Me alfabetin e yjeve?
* Bari mbuloi pllajën si një agim i gjelbër.
*. Lulet mbushën pemën si pasagjerët autobusin në mëngjeset e punës.
* Anija ulej dhe ngrihej mbi dallgë si flamuri i kuq në duart e manifestuesve-në çdo 1 maj!
* Kali i zi i natës la pas,-la pas, patkoin e Hënës!
* Ç’është ky peizazh me vetulla të habitura urash të lashta?
* Tani nervat janë gati të më digjen-si rrjeti elektrik-nga një defekt në ndërtesë.
* Dhe shpellat janë kafka dinozaurësh.-A do të ringjallen vallë, përsëri?
*Dhe vezët e pulëbardhave janë si topa pingpongu-me të cilat s’ka luajtur-në shekuj askush!
* Dhe fryhet vela e anijes-si balli i një hyjnie ilire!
*Si t’i bëj yjet koleksion?T’i balsamos si fluturat?
*Vetëm poetët janë turistët e kozmosit!
KRYQI
Kryqi mbi varr
Është si firma,
E përfundimit,
Në një dosje hetuesie!
Hëna si presa
E gijotinës,
Pret kokat e pafundme
Të Kohës!
* Malësori i Migjenit mban Arushën e Madhe si thes me misër!
* Raketat kozmike –ashensorë të qiejve!
* Këto ashensorë ngrihen njeri pas tjetritsi vagonët e një treni vertikal.
*Dhe retë janë Akropoli i rrënuar në statuja të thyera!
*Dhe palmat varen mbi mua si oktapodë jeshilë! Ç’tmerr!
* Dhe Hëna është fokusi i një aparati kinematografik,-i jashtëtokësorëve,-të padukshëm dhe kuriozë!
*Uji përplaset në shkëmb-si një shpend i kaltër.
* Ç’janë këto hordhi, si gjarpërinjtë e Laokontit,-mbërthyer-mbas pemës?
* Unë pi-djersën e shtrëngatave-dhe gjethet si flakë jeshile-e mbushin vetminë time.
* Orari i trenave si një ushtrim i zgjidhur, algjebrik!
*Numëratori i telefonit, rrotullohet, si timoni i një anijeje, sipas koordinatave.-Si timoni i një anijeje,-që udhëton për tek Ty,-tek Eldoradoja,-e Metaforave të Arta.
* Harta e verdhë e lëkurës së tigrit-ku i ka të shënuara-Viset e Ëndërrimit?
* Fenerët përpëliten si peshq të artë-te nata prej uji.
* Thyej llambën e ndezur,pra zhduk siluetat-e hijeve në mure.
* Mbi tasjerat e grilave gishtat e shiut-janë si të Mozartit.
* Po tastat e bardha-dhe të zeza të pianos –janë shahu im muzikor!
* Pemët pa gjethe, -gardëroba bosh!
*. Pemët pa gjethe si stolat e kinemasë verore pa spektatorë!
* Shoferi i fliste, i bënte biseda timonit, si kalorësi kalit, në ecje.
* Pasqyra e rrumbullakët e murit shkëlqen si xhami i skafandrit të një polumbari të thellësirave.
* Nëna luan me këmbë mekanizmin e makinës qepëse si pedalet e një biçiklete të çuditshme, sikur udhëton, ikën larg, në viset e Imagjinatës, duke qëndruar në vend!
* Kush e shkul këtë rrënjë nga nëndheu si detari që e ngre spirancën e anijes para nisjes në detin e largët?
- Ai ecte mbi Hënë, si në një film, me lëvizje të ngadaltë!
* O, të jetosh-qindra shekuj, pa ngrënë,-si një statujë mermeri!
* Kali fantastik i Diellit tërheq karrocën baroke të Natës.
* Ka kaq shumë yje, sa dy prej tyre, mund t’u japim emrat tanë, e dashur.
*Statujat si Merlin Monroja!-S’ju vjen turp-për lakuriqësinë- e tyre!-Brenda statujave-Koha ka ngrirë!-Jashtë tyre-njerëzit lindin dhe vdesin.
* Doganierë të shekujve!S’u kërkoni dot,-pasaporta,-statujave!
* Trokas me gishta tek argjenti kumbonjës i xhamit të dritares.
*Ah, këto pllaka gramafoni – konserva muzike dhe tingujsh!
* Fjala i mbeti në fyt-si ashensori-në katin e epërm!
*Hëna ngeli në fytin e natës-si një fjalë-e thënë përgjysmë!
* Era e ftohtë fluturonte si shtriga e përrallës mbi fshesë!
*Gëlltiste hapjet
Në grykë,
Si rruazat që futen
Në një gjerdan!
* Nga galeritë e arteve,-nga muzetë-dolën të tërë Xhokondat-dhe hynë në shtëpitë publike!
* Fijen e hollë të ujit tani e thurrte si një sixhade-vetë pellgu.
* Lokomotiva me projektorin e saj- ngjante si një aparat vigan, kinematografik,- gati për të na shfaqur filmin e lëvizjeve- të krejt jetës dhe Imagjinatës.
* Drita fosforike e eshtrave si e një baterie me katodë kocke.
* Kjo mollë, kjo kokërr mollë, mbase është pëllumbi mitik i fineut, që erdhi, mespërmes shkëmbejve Simplegate, që hapen dhe mbyllen me shpejtësi!
* Hefesti i bëri Prometeut një unazë nga hallka e zinxhirit, që të mos e harronte dënimin e tmerrshëm!
* Lulet e mimozave varen si fishekzjarre të artë, bimorë!
* Rrufetë janë rrënjët e zjarrta të ujit.
* Njeriu i sotëm, thotë Xhojsi tek “Uliksi” është surrogati i njeriut të lashtë.
*Sahati i murit, si një tabut i vogël, me kapak xhami, ka brenda Gishton, apo Pinokun e njëmijë fëmijërive të mia?
* E dashur, ti je më e bukur se çdo statujë, ti ke Jetën, statujat kanë Pavdekësinë.
*Muzika, Esperantoja tingëllore.
* Vetëm me muzikën do të ndërtohej Kulla e Babilonisë, që e sabotoi Zoti, duke i ndruar gjuhët fonetike njerëzve, por me muzikën do të merreshin vesh, do të kuptoheshin.
* Mund të përkthej, pa fjalor, gjuhët e matshme të luleve, të Diellit, tokës, pyjeve, muzgut, kometës, kështu jam poliglot, pa ditur asnjë gjuhë, kur përkthej natyrën dhe kozmosin.
* Kuajt përtypen, (sikur kanë në gojë çamçakëzë.)
* Pluhuri i luftërave shkundet pa zhurmë!-Imagjinatës-i merren mentë!
*Ai ju hodh kalit si vetëtimë e gjallë,-në formë njeriu!
*Drejt kontinenteve ngrihet si Batica Blu-Revolucioni!
* Me çizmet magjike të erërave i tejkaloj viset e Askundit!
* Hëna është frymëmarrje e detit, me baticat dhe zbaticat…
* Plugu shkëlqen si shpata.
* Vajzat e vogla kërcejnë me litar,-sikur luajnë-me vetë ylberin!
* Kërcimi tuist i erërave,në Kryeqytetet e botës.
* Pranvera vjen mbi një re të bardhë si turistët në aeroplanët e shpejtë supersonikë.
* Një malësor me transistor në qafë!-Ashtu si mali,që mban Hënën.
*. Trekëmbëshat e të varurve në Mesjetë tani më ngjajnë si Fjalëkryqe të pakuptueshme të Historisë.
- Shega, – qiell sferik, i gjelbër plot yje.
*Anija – mjellmë druri,-me krahë pëlhure!
*. Pylli është një Konsil-Patriarkësh biblikë,-me mjekrat e rrënjëve-nën dhe!
* Dunat e rërës,si Hëna treçerekëshe,-ose si patkonj,-të kuajve viganë të erës!
Nga shkëmbi i paragjykimeve si ta nxjerrësh ujin e arsyetimit?
*. Klithmat e hapësirta të lokomotivave.
*. Minatorët me llamba karbiti në ballë dalin nga miniera si një Tren i çuditshëm nga tuneli.
* Pemët e lulëzuara si një rresht me Hëna.
* Djersa e shtrëngatave kthehet në vesë.
*Ky sahat, si një farkë në miniaturë, ku akrepat si dy çekiçë farkëtojnë… Kohën!
* Vapori ulërin si një dem në arenë.
* Dhe shkrepi saldatriçja si një shtrëngatë në miniaturë.
*Fizarmonikat duket sikur qeshin, sikur shqyejnë gojën nga të qeshurit, pastaj i mbledhin buzët, sikur dëgjojnë diçka me vëmendje dhe kur askush nuk e pret qeshin përsëri me të madhe!
* Hapësira shkund krisma, – çfarë zbokthi!
* Sufleri del nga “xhepi” i kangurit të teatrit.
* Ah, Ferri i Dantes i mbushur me bashkatdhetarët e tij të vrarë më 7 prill 1939.
*Tingujt e sahatit përhapen-si pushi i luleve të fushës-kur u fryja në fëmini.
* Mendimet e mia përqendrohen drejt teje, e dashur,-si autobuzat e periferive-që takohen drejt qendrës!
* Ah, flokët e Hënës,të ngecura-tek drurët!
* Ai vuri kokën me dy duar mbi supe, me atë gjest, që romakët e lashtë venin përkrenaret mbi kokë.
ANIJA- KUSI SHTRIGE
Anija mbi zjarret
E stuhive,
Si një kusi
E shtrigës!
Me parashutën e bardhë
Të Hënës,
Zbret
Nata!
*. Hapësirat e magjepsura nga yjet e pafund!
* Rekrutët kur shihnin radiografitë, shihnin si do të ishin në brendësitë e varreve.
* Mjellma! Mjellma!-Dallgë e bardhë e ajrit!
* Doli lumi nga shtrati,si një dorë e tmerrshme,nga mënga!
*Pranvera është hidrocentrali që ndez mimozat!
* Balli i shpuar,nga gjemba rrufesh!
* Duart e Vjeshtës, të kanë kapur, prej flokësh, e dashur!
* Hëna është lambiku në laboratorin,e një alkimisti,a të Magjistarit Faust!
*Me këto gishta e shfletoj, Librin e Zhurmshëm të Detit, fletët e dallgëve, një e nga një…
* Erërat janë djepe ajri.
*Të vdekurve s’u lejohet rikthimi në jetë.
*1 korrik 1970, e mërkurë: Salvator Kuazimodo ka lindur në 20 gusht 1901 në Sirakuzë, babai i tij qe punëtor hekurudhash, vetë Kuazimodo ka thënë se poetët janë “Punëtorë ëndrrash”.
* Vura brylet e mia-te ylbereve,-mbi tryezë,-me kokën-në duar!
* Dhe mbreti i liliputëve i lidh shtetasit e vet,me lidhëset e këpucëve të Guliverit!
* Mbi çarçafin e bardhë të Ditës u shtrua batanija e Natës.-Dhe unë në shtrat!Ëndërroj pinguinët e Anatoli Francës.
* Ç’është ky zjarr, si një kërcim ritual,-indianësh,-krejt lakuriq?
* Nga mitra e horizonteve-doli kometa!
* Ah, fizarmonika e hapur dhe e skalitur-e tarracave-të Jugut!
*Me alfabetin e ngjyrave-të semaforëve hekurudhorë-e shkruaj çdo mëngjes-Poezinë e Udhëtimit…
* Sazani është një Hënë guri në qiellin ujor…
* Dhe fijet e tezgjahut janë shira përralle…
KAPELJA
Nata ulet e lodhur
Në një karrige.
Te gozhda e një ylli
Vë kapelen e vet të Hënës.
* Pranvera ulet mbi tastat, e tarracave të Jonufrës, si vajza e konservatorit, për një etyd të Mozartit.
* Rrugët vërtiten në fantazi si shiritat e magnetofonit!
* Homeri është shëmbëlltyra, e një Krishti pagan, me shkop në dorë në rrëpirat e Hadit.
*Ah, bluja muzikore, e pakapshme e detit.
(Vijon në numrin e ardhshëm)

Halucinacionet e nje te semuri nuk jane Letersi.
Le te mahnitet me veten e tija.
demo ,
Moikomi ka edhe ai so te gjithe “Ato te tiat”
dhe kur e teprone sigjithkush ne kte Bote ,
ne ja veme ne dukje ,tregohemi kritik .
Sa i takon frazave poezive ne kte shkrim ktu ,
(qe un s’ja kam idene se te kujt jane , pra jane te vet Moikomit apo te sjella nga diku ,prej studimeve e kerkimeve qe ai ben me zellin e tij te pamposhtur )
por nji gje duhet theksuar – demo .
Qe te thuash se jane Halicunacione kto fraza e shperehje m
apo ato poezi ,
do te thote te mos kesh idene me te fillestare se
si tingellon ose duket Letersia ,
sepse
oer hir te vertetes ato jane shprehje metaforike
te mrekullushme te nji niveli Boteror te Letersise .
Nuk dua te kundervihem ,sepse nuk eshte pjes e karakterit tim nji gje e tille ,
por nderhyj kur me dicka Teprohet ose abuzohet
ose
pate drejte injorohet nji shkrim (si ky i prur nga Moikomi)
nga njerez qe mjerishte s’jan te profesionit ne ate qe komentojne pra s’e njohin fare Ngjyrat e Letersise .
Un do desha te thyeja kurjozitetin tim psh ,
ne kto Prurje ktu ,nese jane te marra nga diku ,
apo jane krijim i vet Moikomit ,
qe per mua si njohes i mirefillte i krijimtarise se sotme shqiptare e nivelit te sotem ne ate vend ,
kam rezervat e mia .Kush eshte X -Krijuesi ktyre frazave metaforike te mrekullushme ?!
Kte mundet te na i thote nqs ka burrerin vet Autori i ktij shkrimi .
Ah se s’do desha te largohem pa e pershendetur Moikomin per kte prurje fantastike .
Flm Moikom .