Ditari i Sabie Alliut: Si më propozoi vëllai i Teftës për fejesë dhe dasma e këngëtares në shtëpinë tonë

anazapta

Rrëfimi i Abdyl Bakiut: Njohja e nënës time Sabies, me Tefta Tashkon, propozimi i Koço Tashkos për fejesë dhe detajet e dasmës së Tefta Tashkos në shtëpinë e Alliajve tek ‘Shallvaret’, ku mori pjesë dhe Enver Hoxha

 

Abdyl Bakiu: Nëna ime Sabia, bashkë me këngëtaren e madhe, qëndisën flamujt e demonstratave antifashiste të rinisë në Tiranë. Ndërsa pas luftës, Tefta dhe i vëllai i saj, tashmë funksionar i lartë, e ndihmuan familjen e Alliajve në problemet që kishin me financat e shtetit.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Shtëpia e Sabie Alliut tek ‘Shallvaret’ në Tiranë ku qëndroi 5 vjet këngëtarja Tefta Tashko Koço, ka shërbyer njëkohësisht dhe si bazë ku mblidheshin e punonin drejtues të lëvizjes dhe ilegalë të ndryshëm. Sipas ditarit të Sabies e rrëfimit të djalit të saj, në këtë banesë vinte dhe Enver Hoxha që bisedonte gjatë me Teftën dhe vëllanë e saj. Po në këtë banesë, u bë dhe dasma e Tefta Tashko Koços, ku mes të ftuarve, ishte dhe Enver Hoxha… Këto e të tjera detaje, jepen në vazhdim të intervistës me Abdyl Bakiun…

 

Në banesën e Sabie Alliut, vinte shpesh Enver Hoxha dhe qëndronte gjatë me Tefta Tashko Koçon dhe vëllanë e saj?

Po. Nëna ime, Sabie Alliu, sapo kishte kaluar të 17-tat. Për shkak të mentalitetit të kohës, ashtu si gjithë vajzat e moshës së saj, ishte e detyruar që të rrinte brenda dhe të bënte punët e shtëpisë. Por ardhja e Tefta Tashko Koços si qiraxheshë në vitin 1937 së bashku me familjarët e saj, ishte një fat për Sabien. Ajo magjepsej teksa dëgjonte tingujt e pianos dhe zërin magjepsës të Teftës kur këndonte. Tek Tashkot, hynin e dilnin gjithashtu, njerëz të ndryshëm. Mes tyre ishte dhe një djalë i gjatë dhe i bukur, për të cilin, pas luftës, Sabia do të mësonte se ishte Enver Hoxha. Ai bisedonte me orë të tëra me Teftën dhe Koçon, ndërsa Sabia u përgatiste dhe u dërgonte kafenë… Por përballja e Sabies me Koço Tashkon, mëngjesin e një dite pranvere tek çezma e shtëpisë sjell një të papritur.

Cila ishte kjo e papritur?

Koço Tashko i afrohet Sabies dhe i propozon për fejesë. Por argumenti i saj ‘jam ende e vogël’, e step disi propozuesin, i cili i thotë: “Mendohu dhe më kthe përgjigje!”

 

Këto dhe detaje të tjera interesante, jepen në ditarin e lënë nga 90-vjeçarja Sabie Bakiu, në shtëpinë e së cilës familja Tashko u strehua për 5 vjet…

 

Cilat ishin marrëdhëniet shoqërore mes nënës suaj dhe Tefta Tashko Koços?

Miqësia e Tefta Tashko Koços me Sabien 17-vjeçe, ndonëse me një diferencë moshe, vjen duke u forcuar nga dita në ditë. Sabia, vajza e mbyllur tiranase tek muzika dhe këngët e Teftës, përballet me një botë tjetër, të bukur, të lumtur, që i jepte kënaqësi… Ndërsa Tefta shikon tek Sabia një vajzë inteligjente, të dashur e me dëshirë për të mësuar. Por traditat, zakoni, nuk ja mundësonte një gjë të tillë. Në bisedë e sipër, Tefta i sugjeron që të ndihmojë lëvizjen nacional-çlirimtare… Dhe Sabia qëndisi flamurët e demonstratave që bënin vajzat dhe djemtë e Tiranës kundër pushtuesve… Po marrëdhëniet e nënës me Teftën, janë fiksuar dhe në ditarin e saj.

Çfarë thuhet në këtë ditar?

Ja çfarë shkruan nëna: “Ndonëse kishim një diferencë moshe, me Teftën unë shkoja shumë mirë, si shoqe, dhe e admiroja. Edhe ajo më mbante pranë, e unë ndjehesha e lumtur… Kishe çfarë të mësoje prej saj. Një buzëmbrëmje, Tefta më thirri veças dhe më tha: ‘Ti je vajze e re dhe duhet të angazhohesh në punët e luftës. E gjithë rinia po lëviz’. Unë e kapluar nga ndjenja e mosveprimit, mohoja me lëvizje të kokës duke i kujtuar pamundësinë. Jo se nuk doja, por në familjen tonë, atë kohë ligjin e bënte kreu i shtëpisë, babai. ‘Mirë, do na qëndisësh shqiponjën në një copë të kuqe të mëndafshtë që të bëhet flamur prej vërteti se na duhet për një demonstratë’, më tha Tefta. Ia pranova me kënaqësi këtë kërkesë dhe kam ndenjur gjithë natën derisa e mbusha me moline të zezë shqiponjën e vizatuar. Këtë gjë ma kërkoi edhe dy herë të tjera. Këto flamurë ato ia jepnin grupeve të rinisë ose çetave partizane”. Në shtëpinë e nënës, Tefta ka bërë dhe dasmën e saj.

 

Diçka për dasmën e Tefta Tashko Koços? 

Në banesën e Alliajve, aty ku ishin qiraxhinj familjarët Tashko, ndodh një ngjarje me rëndësi. Tefta Tashko Koço fejohet, e shtëpisë së qiraxhinjve i shtohet dhe një njeri tjetër. Po në këtë shtëpi, në vitin 1942, bëhet dhe dasma e Teftës. Në këtë dasmë, ishin dhe Alliajt, të zotët e shtëpisë… “Ishte gëzim i madh kur u fejua Tefta. Ai ishte një djalosh i lustruar, shumë i edukuar, pak më i madh se Tefta dhe që i mbante flokët gjysmë biond me brilantinë. Teftës i kishte hipur një nur i bukur. Mbylleshin në dhomë dhe Tefta i binte pianos, kurse ai këndonte. Më duket se ishte tenor. Kjo zgjaste me orë të tëra. Qëllonte që im atë ishte ulur në tavolinë dhe nëna ime i përgatiste meze që ai e shoqëronte me raki. Disa herë e kisha parë me vëmendje që ai me gotë rakie në dorë, ndalonte dhe çonte kryet përpjetë në drejtim të katit të dytë dhe rrudhte buzët. Lart binte pianoja dhe këndohej, kurse im atë thoshte: ‘Amon për cin knojnë ato, kush i nigjon’. Edukata dhe kultura e fortë ‘alla turke’ e tij binte në kundërshti të plotë me atë që përfaqësonte Tefta dhe i fejuari i saj. Unë qeshja”, shkruhet në ditarin e të moshuarës. Por nëna ime, ka një kujtim tjetër të veçantë, që lidhet me fustanet e dasmës së Tefta Tashko Koços…

 

Cili është kujtimi i veçantë që ruante nga dasma e Tefta Tashkos?

Lidhur me këtë, nëna ime, Sabia, më ka treguar: “Në vitin 1944, martohet im vëlla Qamili. Nusja e vëllait Hajrija përveç se një pajë madhështore solli ide të reja në mënyrën e veshjes. Ajo ishte profesioniste si rrobaqepëse dhe punonte me katalogë orientues pa përjashtuar krijimin e modeleve te reja. Si nuse e re që ishte sa herë që dilte me bashkëshortin nëpër evenimente artistike ndërronte dhe fustanet. Teftës, që priste të martohej, i ra në sy kjo gjë dhe filloi të ulej me ne të dyja për stilimin dhe qepjen e shumë fustaneve. Uleshim poshtë pemëve frutore të kopshtit duke pirë shurup trëndafili ose në dhomën tonë ku dëgjonim me endje nga gramafoni ynë këngët e Teftës të incizuara në Francë dhe Itali. Dhe punonim. Im atë që shkonte shpesh në Itali për tregti manifakture merrte porosi nga Tefta për llojet e copave dhe cilësinë e tyre.

 

Ku u vendos çifti i ri pas martesës?

Ata u martuan në shtëpinë tonë dhe më pas ata shkuan të jetonin në një shtëpi tjetër aty afër, më duket se familja e Hoxhollëve. Në këtë dasëm ishte dhe Enver Hoxha. Vetëm kaq shkruan nëna në fletët e saj të ditarit…

 

Po flirti i Koço Tashkos, vëllait të Teftës me nënën tuaj?

Teksa kryqëzoheshin në portë apo në oborrin e shtëpisë, bukuria dhe hijeshia e 17-vjeçares Sabie Alliu, finesa në ecje, e ka tërhequr Koçon, vëllanë e Teftës. Jo vetëm kaq, por intelektuali i njohur, djali i Tashkove, mendon që të fejohet me 17-vjeçaren dhe ta ketë shoqe të jetës. Dhe një ditë prej ditësh, Koço takon Sabien dhe i ofron gatishmërinë e ndjenjën e tij për fejesë… “Një herë, diku nga viti 1941 ose 1942, Koço Tashko më gjeti duke mbushur ujë në pusin e shtëpisë. Kova ndodhej poshtë në pus. Ai u afrua me një buzëqeshje të ëmbël dhe tha: ‘Zonjush Biku, ne njihemi mirë, me njëri-tjetrin. A do të pëlqente sikur të fejoheshim bashkë?’ U skuqa deri në rrëzë të veshëve nga turpi, por munda t’i them: ‘Unë jam e vogël e nuk di ç’të them’. Isha 17-vjeçe, në kulmin tim të zhvillimit fizik. Ai reagoi menjëherë: ‘Ti s’je aspak e vogël, je tamam për nuse. Mendohu një herë e unë do të të pyes prapë’. Më mbeti në mendje fjala e tij, por mua më dukej i madh në moshë. Më pas, mundohesha t’i shmangesha sa të mundja shikimit të tij, por edhe ai nuk e hapi më këtë temë, ndoshta duke parë edhe mos interesimin tim”, vazhdon rrëfimin në ditarin e saj 90-vjeçarja.

 

Si vazhdoi më pas jeta e Sabie Alliut?

Jeta e saj mori tjetër rrjedhë… “Në vitin 1946 familja më kishte fejuar me një tregtar të vogël, ndërsa Koçoja u bë ambasador në Bullgari. ‘Ah, sikur të kisha pranuar, tani do të isha gruaja e ambasadorit’, mendoja shpesh me veten time. Kurse në vitin 1961 ai u godit dhe ia hoqën të gjithë titujt. Tashmë unë mendoja: ‘Shyqyr që nuk u martova me të se do të isha goditur edhe unë, kurse im shoq ishte i thjeshtë, nuk mund të binte nga fiku sepse s’kishte hipur fare mbi fik’, shkruan në ditarin e saj Sabia.

 

Ka vazhduar më pas kjo miqësi me Tashkot?

Po. Diku nga viti 1945, pas çlirimit, gjyshit tim, si tregtar i erdhi nga financa e qeverisë së re komuniste një letër, ku ishte tatimi i jashtëzakonshëm i luftës. Im atë u tërbua, turfullonte e sillej nëpër shtëpi gjithë nervozitet. ‘Ata kërkojnë më shumë se ç’kam. Ata kërkojnë të pjell florinj’, pohonte. E shoqja(gjyshja ime), që ishte mishërim i mirësisë, por dhe zgjuarsisë, duke parë problemin që ishte tepër i mprehtë, mori veçmas nënën time dhe i tha se duhej të shkonim tek Koço Tashko.

 

Si i pritën Tashkot dhe a i ndihmuan për zgjidhjen e problemit?

U veshëm e të dyja, të mbuluara me çarçaf të zi, shkuam në shtëpinë, ku banonte Koçoja. Ai kishte një detyrë të rëndësishme shtetërore. Jetonte në një vilë të sekuestruar private tek Pazari i Ri në rrugicën e Stërmasve. Roja na priti ftohtë, por kur i thamë se jemi të njohurit e Koços, duke i thënë edhe emrat, ai ndryshoi dhe lajmëroi Koçon. Koço na priti me buzëqeshje, na futi në hollin e shtëpisë, na dëgjoi me vëmendje dhe premtoi se do të bënte sa të kishte mundësi. E vërteta ishte se tim eti ju zbut ai lloj tatimi i tmerrshëm.

 

Vazhdoi gjatë kjo miqësi?

Edhe herë të tjera, kur familjen e gjyshit tim e ngacmonte qeveria si ish-tregtar, Koço u kishte dhënë vërtetime për sjellje të mirë gjatë luftës dhe që kishte ndihmuar në mbajtjen e figurave qendrore të saj. Këto vërtetime e kishin zbutur qëndrimin ndaj tyre. Këtë e pohon në ditarin e saj dhe nëna ime…

 

Kujtimet e Eno Koços: Prindërit e mi Tefta Tashko e Kristaq Koço

 

Në librin e tij të kujtimeve, dirigjenti i njohur Eno Koço, mes të tjerave, sjell detaje interesante për prindërit e tij Tefta Tashko e Kristaq Koço. “Nga periudha 1939–1940 kam në arkivin tim një letërkëmbim midis nënës dhe babait, i cili është një nga gjërat më të çmuara që ruaj sot, sepse i referohet pikërisht moshës së dashurisë së tyre me njëri-tjetrin. Janë dyzetenjë letra të shkruara nga të dyja palët. Më vjen vërtet keq, ndoshta më tepër sot se sa më parë, se si nuk pata fatin që dhe unë t’i njihja e t’i kuptoja prindërit e mi, ashtu siç e kanë atë fat shumica e njerëzve të tjerë. Pothuajse të gjithë informacionin që kam disponuar mbi ta, atë të shkruar, të regjistruar në disqe apo dhe atë gojor, ua kam transmetuar njerëzve që kanë qenë të interesuar të dinë diçka apo të shkruajnë rreth prindërve të mi. Sa i përket letërkëmbimit, i cili bëhej tre vjet para se të lindja unë, ai është pak i njohur, në mos fare i panjohur për këdo. Kjo për arsyen se më është dukur shumë intim, shumë emotiv, i mbushur me emfaza të forta dashurore. Sigurisht, në ato letra flitet edhe për ngjarjet e zakonshme të ditës, për problemet e punës dhe të karrierës kur herë njëri e herë tjetri ankohen për ndonjë përplasje mes kolegësh ashtu siç i ndodh cilitdo nga neve sot (gjatë periudhës së karrierës artistike ndjesitë e muzikantëve bëhen edhe më të brishta). Megjithatë, ajo që dominon në masën më të madhe të kësaj korrespondence është dashuria për njëri-tjetrin, mënyra e çiltër dhe ngrohtësia e komunikimit. Duke e vëzhguar me kujdes kaligrafinë e tyre gjithmonë më kanë bërë përshtypje veçoritë individuale të secilit, ndoshta dhe identiteti i secilit, si dhe mjaft nuanca të tjera që gjithnjë më është dukur se vetëm unë mund t’i përftoja këto ndjesi. Nuk duhet harruar se të dy u lindën dhe u rritën jashtë Shqipërisë dhe shkrimi shqip, shprehjet shqip, të menduarit në shqip të tyre, janë ato që mua më kanë bërë më shumë përshtypje. Nuk mund të them që shqipja e tyre është e kulluar, por duke menduar se kishin jetuar shumë më shumë jashtë Shqipërisë se sa në Shqipëri, të shprehurit me aq sinqeritet në shqip më bën të mendoj se në të gjitha rrethanat jetësore e kanë ndier veten para së gjithash shqiptarë. Gjithnjë e më tepër vlerësoj se kam pasur prindër të dashur, të kultivuar, të edukuar e arsimuar mirë, intelektualë të qenësishëm. Me kalimin e moshës, respekti ndaj tyre më shtohet, ndihem mirë si bir i tyre dhe ende e ndiej mangësinë që nuk kam mundur t’i njoh për së gjalli”, shkruan Eno.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *