Dita e sotme ka shënuar një bum martesash në Kinë. Sipas të përditshmes “Shanghai Daily”, shumë çifte kanë vendosur të lidhin kurorë pikërisht më 4 janar, datë që konsiderohet nga kinezët si ditë me fat. Në fakt, në gjuhën kineze, data 4 janar 2013 ngjan në shqiptim me shprehjen “do të të dua për gjithë jetën”.
Të gjitha çiftet kineze që martohen sot janë ftuar që të mblidhen në Tian’ai Road në Shanghai, e cila konsiderohet si “rruga e dashurisë”.
Në këtë festë, është menduar t’u lihet hapësirë edhe beqarëve, të cilët mund të njihen me njëri-tjetrin dhe mbase të gjejnë edhe shpirtin binjak. Nuset dhe dhëndrat do të angazhohen në lojëra dhe gara të ndryshme, ndërsa më pas do të bëjnë një xhiro nëpër qytet me një autobus turistësh me dy kate.