Ditë të vështira për dëshmitarët e hetimit mbi Trump

Edona Llukacaj
President Trump, joined by Gordon Sondland, the U.S. ambassador to the European Union, in Brussels, Belgium.

Administrata e Presidentit Donald Trump urdhëroi të martën ambasadorin amerikan në Bashkimin Evropian Gordon Sondland, që të mos paraqitet përpara Kongresit për t’u marrë në pyetje lidhur me komunikimet mes zotit Trump dhe zyrtarëve ukrainas që janë bërë shkak për hetimin zyrtar për shkarkimin e presidentit.

Tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kishin planifikuar të merrnin në pyetje të martën në mëngjes Sondland në seanca me dyer të mbylluara. Por avokati i zotit Sondland tha se një urdhër i Departamentit të Shtetit e detyroi klientin e tij të mos paraqitej.

“Ai është ambasador në detyrë dhe punonjës i Departamentit të Shtetit dhe duhet të zbatojë urdhrin e tyre”, tha avokati i tij Robert Luskin.

Në lidhje me këtë vendim, kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Adam Schiff tha: “Kongresi jo vetëm që po privohet nga dëshmia e tij, por ne jemi gjithashtu në dijeni se ambasadori ka mesazhe telefonike dhe emaile në një pajisje personale, që i është dhënë Departamentit të Shtetit, megjithëse ne i kemi kërkuar të na i japë. Departamenti i Shtetit nuk po lejon që ne t’i marrim ato”.

Schiff shtoi: “Ato mesazhe janë shumë të rëndësishme për hetimin për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit”.

Ndërsa presindenti Trump e komentoi vendimin përmes një postimi në twitter, ku shkruante: “Do të doja ta dërgoja ambasadorin Sondland për të dëshmuar, një njeri me të vërtetë të mirë dhe amerikan i madh, por për fat të keq ai do të dëshmonte përpara një gjykate krejtësisht të kompromentuar, që injoron standardet e drejtësisë e të ligjit, ku të drejtat e republikanëve janë hequr dhe ku faktet nuk lejohen për publikun”.

Vendimi i DASH vjen një ditë pasi Kurt Volger, ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së në Ukrainë dhe një tjetër dëshmitar kyç në hetimin që po kryen Kongresi për shkarkimin e presidentit ka dha dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv i institutit prestigjioz që mban emrin e senatorit të ndjerë amerikan John McCain.

Volker dëshmoi përpara disa komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me përfshirjen e tij në marrëdhëniet e Presidentit amerikan Donald Trump me Ukrainën javën e kaluar, ndërsa vendimin për dorëheqje e mori, pasi, sipas tij, vëmendja mediatike e këtyre ditëve mund të ndikonte negativisht në punën e institutit.

Sondland dhe Volker janë dy figura të rëndësishme në hetimit që po kryen Kongresi. Sipas ankesës së informatorit, e cila nxiti hetimin ndaj presidentit, një ditë pas bisedës telefonike të Trump me presidentin e Ukrainës Zelenskiy, Sondland dhe Volker u takuan me udhëheqësin e Ukrainës e figura të tjera politike.

Informatori shkruan se, sipas bisedave të zbardhura të atyre takimeve e të rrëfyera nga zyrtarë amerikanë, “ambasadorët Volker e Sondland i kanë këshilluar udhëheqësit ukrainas se si t’u “qaset” kërkesave që presidenti i kishte bërë atij.

Një pjesë e hetimit mbi presidentin Trump përfshin shqyrtimin nëse vendimi i tij për të ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën ishte i lidhur me kërkesën e tij për një hetim ndaj Joe Bidenit dhe të birit. Ndërkohë, autoritetet në Ukrainë nuk kanë gjetur asnjë provë për përfshirjen e tyre në korrupsion./ VoA

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *