Një kritikë për keqtrajtimin që i bënte të fejuarës së tij është bërë shkak që një 46-vjeçar të plagoste me armë zjarri motrën e tij dhe burrin e saj (kunatin) për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Shënepremte të Divjakës. Policia tha se i dyshuar është 46-vjeçari Gëzim Garuli, i cili ka plagosur rëndë me pistoletë Shkurte Ballën, 42 vjeçe dhe Fiqiri Ballën, 45 vjeç.
Bashkëshortët Balla ishin në shtëpi kur janë qëlluar me plumba nga Garruli, tashmë person i shpallur në kërkim nga policia. I dyshuari rrinte prej disa ditësh në shtëpinë e motrës, ndërsa dje ka nisur edhe një debat që përfundoi me plagosjen e dyfishtë.
Bashkëshortët u dërguan në spitalin e Lushnjës, ku në gjendje kritike është 42-vjeçarja, e cila u përcoll po ditën e djeshme drejt Spitalit të Traumave, për mjekim të specializuar.
Nga hetimet paraprake rezulton se motra e ka kritikuar të vëllanë që të mos e rrihte më të fejuarën e tij, duke e bërë fajtor për situatën në çift, por Garruli në gjaknxehtësi i ka plagosur të dy dhe më pas është arratisur nga vendngjarja.
