Zylyftar Hoxha
Me një grup gazetarësh, të ftuar nga Organizata Franceze Noe Conservation që operon në parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta në bashkëpunim me disa shoqata dhe organizata mjedisore vendase, nisemi drejt Divjakës. Pasi marrim kthesën drejt detit te rrethrrotullimi i magjistralit kryesor që shkon drejt Jugut, shpejt biem në zonën e ish-kënetës së Tërbufit, mes një shpërthimi vegjetues, karakteristikë e kësaj stine të vitit.
Histori
Duke parë këto hapësira të gjelbërta dhe të pamata, sot askujt nuk i bie ndër mend dhe as e përfytyron dot, se gjithë kjo sipërfaqe dikur ka qenë kënetë, e mbuluar nga uji, zhuka dhe kallami. Është bërë një punë kolosale për tharjen e saj, në të shumtën me një punë të pa paguar.
Në kapërcimin e urës së kanalit kryesor, që i thonë emisar i Tërbufit dhe që kullon fushën duke u derdhur pastaj në det, më kujtohen pjesë të testamentit të pinjollit të fundit të Principatës së Muzakajve, Gjon Muzakës, të shkruar më 1451 në Napoli të Italisë, kur shkuan pas luftërave të Skënderbeut. Aty ai bën gjenealogjinë e fisit të tij nga fillimi e deri në fund, në shpërbërje, përmend zotërimet, ndër të cilat, më të rëndësishmin, grunarin e madh, që ishte Myzeqeja, përmend anzhuinët francezë, aleatët më të mirë të tyre për shumë kohë, të cilët kanë lënë gjurmë në toponiminë e Kavajës dhe të Myzeqesë. Megjithëse një kolegu im ma kundërshton, unë nuk heq dorë se fjala tërbuf, vjen nga frëngjishtja e vjetër ter-tokë dhe buf (bufalo) – buall, pra tokë e buajve, ku ka buaj. Po le ta lëmë këtë dhe të shkojmë më tej, atje ku dhe na presin.
Në mes të parkut, në një godinë të bukur dhe karakteristike të zyrave të administratës së parkut, na pret drejtori, Ardian Koci. Na thonë se me Ardianin parku ka rënë në zot, është njeri pasionant dhe i dashuruar pas pyllit, ligatinave dhe gjallesave që zhvillohen në to. Ndryshe nga paraardhësit, ai koordinon punët dhe merret mirë vesh me drejtuesit dhe specialistët e shoqatave dhe organizatave mjedisore që veprojnë në Parkun e Divjakë-Karavastasë, Sajmirin, Rolandin, ekspertë të huaj etj.
Këtu mësojmë se Pylli i Divjakës është unikal në Shqipëri për biodiversitetin, sidomos për pishën e butë detare, është më i paprekuri nga dëmtimet e viteve të tranzicionit që në disa vende kanë bërë kërdinë. Jo se këtu nuk ka patur dëmtime, por ato kanë qenë të vogla dhe të riparueshme. Përsa i përket faunës së egër, një ndihmë të madhe ka dhënë edhe ligji i moratoriumit të pyjeve, nëpërmjet të cilit është bërë e mundur rivitalizmi i zonës.
Interes bio-turistik
Më pas bisedën me Sajmirin, Rolandin dhe specialistët e tjerë e vazhdojmë duke ecur nëpër pyll. Parku Kombëtar i Divjakës është i njohur nga ambientalistë si dhe nga turistë vendas dhe të huaj si një park ku i ke të tëra, detin, ajrin, freskinë. Janë parashikuar të shtohen atraksionet turistike në park si, guida me kuaj, me biçikleta etj.
Zona është e mirënjohur jo vetëm për bukurinë e saj natyrore dhe biodiversitetin, por edhe për aktivitetet tradicionale, që përfshijnë aktivitetet bujqësore, blegtorale, dhe peshkimin etj.
Bimët më të përmendura që kultivohen në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta janë shalqini, karrota, lakra, lulelakra, brokoli, domatja, patatja, fasulja, llojet e ndryshme të frutave, ulliri dhe vreshta etj. Blegtoria është një tjetër aktivitet tradicional duke mbarështuar gjedhin dhe delet për produkte bulmeti dhe mish. Në saje të nivelit të qëndrueshëm të prodhimit bujqësor dhe të ardhurave që gjenerohen prej tij, kushtet e jetesës në Divjakë janë mjaft më të mira krahasuar me gjendjen e përgjithshme të zonave të tjera rurale të Shqipërisë.

Vizitorët vijnë në Divjakë jo vetëm për detin, por edhe për lagunën, për strugat interesante, në të cilat janë vendosur kulla vrojtimi, disa të tilla edhe të maskuara për të vëzhguar sa më afër me dylbi dhe teleskopë shpendët. Zona e parkut është vlerësuar edhe zonë e rrjetit Emerald sipas Konventës së Bernës, “Për Konservimin e jetës së egër dhe habitateve natyrore të Europës”.
Peshkimi është një veprimtari e rëndësishme dhe një burim i rëndësishëm të ardhurash për disa prej fshatrave përgjatë brigjeve të lagunës së Karavastasë, lumit të Semanit dhe detit Adriatik. Peshkimi mbështet jetesën e mjaft njësive ekonomike familjare qoftë në funksionin tregtar apo qoftë edhe si mjet jetese.
Kafshë e shpendë të egra, në laps!
Siç na thonë specialistët të faunës që kanë studiuar këtë zonë, aty jetojnë rreth 240 lloje shpendësh, 25 lloje gjitarësh dhe 29 lloje zvarranikësh e amfibësh. Prandaj ky park është një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri. Censusi i kryer në janar të këtij viti në zonat ligationre të Shqipërisë, e renditi Parkun Divjakë-Karavastasë të parin përsa i përketë larmishmërisë së shpendëve. Ndërsa në datën 7 maj do të realizohet censusi i Pelikanit jo vetëm në Divjakë-Karavasta, por edhe në lagunat e tjera të Shqipërisë, Nartës, të Vainit, Liqenit të Shkodrës, të Liqenit të Prespës etj.
Shë-ëëë-ët, ju lutem, mos ma trembni Pelikanin!
Pasi lëmë shtigjet aventureske turistike të pyllit, bashkë me kolegë të tjerë gazetarë hipim në varka. Guida me varka në lagunë ishte pjesa më e bukur e të gjithë aktivitetit, ku mund të vrojtoje nga distanca të afërta ishullin i pelikanëve dhe shpendëve të tjerë.
Të ndarë në dy grupe iu afrohemi kufirit minimal prej 200-300 metrash platformës-ishull, ku pelikanët kanë shtëpinë e tyre të ndenjjes, por më tepër të lindjes (maternitetin). Sipas specialistëve që janë në një barkë me ne, Sajmirit, Rolandit, Stefanit, por edhe dy shoqëruesve vendës, Sotirit dhe Arturit, një trembje, një ngritje e imponuar e tyre, veçanërisht tani në kohën e inkubacionit, kushton shumë. Çfarë, për shembull? Gjatë largimit të shpendit, deri sa ai në ajër të qetësohet dhe të sigurohet, mund të ftohen vezët, të kthehen në kllukë, por mund të ndodhë edhe tjetra, që gjatë kohës që shpendi është në arrati, sipas ligjit biologjik të jetesës dhe të mbijetesës, në këtë kohë një tjetër grabitqar pret që t’i hajë vezët. Këto gjëra “kapiteni” i varkës Arturi i di mirë, ndaj, sa herë që ne harrojmë çka na kanë porositur që në fillim dhe e ngrehim zërin, ai na lutet gati me përgjërim, pa zë fare, duke na prekur lehtë në supe: “Shë-ëëëët, ju lutem, mos ma trembni Pelikanin!
E fundit, por jo nga rëndësia(!)
Pas një shëtitje disaorëshe në pyll dhe në dy laguna, që, natyrisht, s’pamë as çerekun e tyre, kthehemi në “bazë”, dmth në një nga restorantet e shumtë që janë këtu. Pothuajse të gjithë me bazë gastronomike peshkun. Prodhimet e detit janë fare të freskëta, gati çdo orë kalojnë aty peshkatarët, por edhe perimet dhe zarzavate që shoqërojnë peshkun, dihet nga të gjithë, këtu janë me nam, nga më të mirat në Shqipëri. Këtu mund të gjesh edhe specialitete kuzhine që rrallë i gjen gjetkë, të gatuar mjeshtërisht, me një shije të veçantë, pasi janë produkte natyrore që rriten në këtë zonë.
Çmimet në restorante janë tepër të lira, po të kesh parasysh cilësinë dhe freskinë e produkteve, si të peshkut, ngjalave, zogjve të pulave, por edhe të perimeve që vinë direkt nga ara.
Pelikani Kaçurrel, sa e njohim këtë shpend të rrallë!?…
Pelikani Kaçurrel është një shpend i rrallë, autokton i zonës së Lagunës së Karavastasë. Nuk shtegton. Pavarësisht se shkon edhe në zona të tjera për ushqim, folezimin e bën vetëm në Karavasta, në një nga ishujt e saj. Pelikani Kaçurrel është një shpend i bukur, i madh, më i madhi në Mesdhe, jeton në çift. Ushqehet me peshq, ngjala e gjallesa të tjera të detit. Shumohet me vezë. Femra pjell vetëm dy vezë të cilat ngrohen nga të dy partnerët. Shumimi natyral i tij është delikat. Më parë dëmtohej shumë nga peshkatarët, por tani si rezultat i një pune bindëse për rëndësinë që ka ky shpend, trajtohet ndryshe. Brenda dy vjetëve gjysmë është shtuar nga 37 çifte në 54 çifte, një rezultat optimist për një rritje më të madhe të numrit të tyre. Dikur nga banorët dhe peshkatarët vendas Pelikani Kaçurrel quhej Bazhorr, dhe ishulli ku ata qëndronin në mes të lagunës quhej Sop (Sopi i Bazhorrit).
“Noe Conservation”, frytet e një projekti
Para disa ditësh në Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta, organizata mjedisore Franzece Noe Conservation në bashkëpunim me shoqatat lokale PPNEA, dhe Administrata e Parkut organizuan një tur me gazetarë vendës dhe të huaj për të parë konkretisht në vend zbatimin e projektit të tyre për mirëmenaxhimin e ekosistemeve ligatinore dhe përmirësimin e konservimit të Pelikanit Kacurrel si një lloj simbol për këto zona dhe rajonin e Mesdheut. Veprimtaria e zhvilluar në natyrë, qe tepër interesante dhe mbresëlënëse, ku secili pjesëmarrës pa me sytë e tij rezultatet programit Noé Conservation, të drejtuar në pjesën shqiptare nga koordinatori Sajmir Hoxha, specialisti Roland Lleshi, si dhe specialistë të tjerë. .
Objektivat…
Ka mëse dy vjet që organizata mjedisore Franceze Noe Conservation është duke zbatuar një program në rajonin e Mesdheut, ku përfshihet parku Kombëtar Divjake Karavasta, por edhe liqeni i Shkodrës në Malin e Zi dhe Liqeni i Kerkinit në Greqi.
Në bashkëpunim me organizata partnere në Shqipëri është arritur që në zonën e Parkut Divjakë të bëhet një ndjekje në dinamikë rritjes dhe të zhvillimit të Pelikanit Kaçurrel, i cili këtu ka folenizimin. Në këtë kuadër është bërë monitorimi i kolonisë së shpendit të rrallë; zonimi i zonës së folenizimit; patrullimi i zonës me personel shtesë në ndihmë të administratës së parkut kombëtar për zbatimin e moratoriumit të gjuetisë dhe ruajtjen e kolonisë së pelikanit; trajnimi i të rinjve për vëzhgimin e shpendëve; trajnimi i guidave eko-turistike për këtë zone; mbështetje për hartimin e planit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta për bashkinë e Divjakës; ndërtimi i dy kullave vrojtimi dhe platforme për pelikanin kaçurrel; organizimi i Ditës së Pelikanit Kaçurrel; hartimi i Panit Kombëtar të Veprimit për Pelikanin Kacurrel, etj.
…dhe rezultatet
Rezultatet e deritanishme në këtë zonë janë shumë evidente si në gjendjen e faunës së egër në përgjithësi dhe të pelikanit në veçanti. Çdo vizitor në këtë zonë vëren lehtësisht praninë e pelikanit dhe praninë e shtuar të shpendëve të egër, praninë e flamingove, të rosave të egra, të çafkave, të karabullakut, etj.
Gjatë kësaj periudhe numri i Pelikanit Kacurrel ka shënuar rritje, nga 37 çifte në 2013, sot numërohen 54 çifte, duke arritur numrin e 20 viteve më përpara. Gjithashtu është dyfishuar numri i shpendëve dimërues në këtë zonë.




