Dhe nëse ende keni dyshime se sa të mrekullueshëm dhe bujarë janë ata, kjo është një histori që vërteton më së miri se sa besnikë janë qentë.
Një djalë 14-vjeçar kishte humbur në një mal në Meksikë për më tepër se 44 orë përpara se autoritetet të binin në gjurmë të tij dhe të arrinin ta shpëtonin. Por, ai nuk ishte fare i vetëm në këtë aventurë aspak të këndshme; qeni me emrin Max të cilin e kishte takuar vetëm disa orë më parë, nuk e la vetëm për asnjë moment duke i qëndruar gjithë kohës pranë.

14-vjeçari Juan Heriberto Trevino rrëfeu për mediat vendase se ishte bashkë me shokë dhe shoqe të tjerë në një kamp verori kur një moment i rrëshqiti këmba dhe ra në një gropë; askush nuk e vuri re mungesën e tij përveç qenit, i cili arriti ta gjente me anë të nuhatjes. Duke fjetur poshtë pemëve e duke shtrënguar pas trupit qenin Max për t’u ngrohur nga ajri i ftohtë i malit, djali ka pranuar se miku i tij me 4 putra e kishte ndihmuar të mbijetonte.

“Ai qëndronte pranë meje gjithë kohës. E përqafoja gjithë kohës që të mund të ngrohesha sadopak”, – ka rrëfyer djali. Max gjithashtu kishte arritur të gjente një burim uji ku të dy kishin mundur të shuanin etjen.
