Djali 10-vjeçar i nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH rezulton prej një jave i zhdukur. Julian Çela është parë për herë të fundit në një qendër interneti në Laprakë. Babai i djalit e ka denoncuar zhdukjen e të birit prej një jave, por pas asnjë rezultati në kërkimet e policisë, ai ka shpërndarë në rrjetet sociale foton e tij dhe numrin e telefonit.
Familja Çela lutet që kush e ka parë Julianin apo ka informacion për të, të telefonojë në numrin: 0696629077
Skënder Çela, nëndrejtor i Antiterrorit në Shërbimin Informativ Ushtarak, thotë se nuk ka asnjë konflikt personal apo për shkak të detyrës që ushtron.
Ndërkohë, policia po heton në tre pista:
E para ka të bëjë me detyrën e Skënder Çelës.
E dyta ka të bëjë me natyrën e djalit, i cili është larguar edhe herë të tjera nga shtëpia, pavarësisht se mungesa nuk ka qenë në asnjë rast kaq e gjatë.
E treta ka të bëjë me shoqërinë e djalit. Dëshmitarë okularë kanë thënë se ditën kur u zhduk Juliani, në qendrën e internetit ku ai ndodhej e ka kërkuar një djalë 16 vjeç me emrin G. Prendi, me të cilin është larguar. Policia e ka gjetur djaloshin dhe e ka marrë në pyetje, por as kjo nuk ka hedhur dritë mbi ngjarjen.
