Borxhet e lëna nga i ati Rrapush Xhaferri, kanë detyruar një nga djemtë e tij t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për rekurs, pasi nuk ka mundësi të paguajë 12 milionë dollarë detyrime ndaj qytetarëve shqiptarë. Asllan Xhaferri, në bazë të një vendimi të Gjykatës së Tiranës dhe e lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, i detyrohet shqiptarëve rreth 15 miliardë lekë të vjetra. Ai ka paditur Avokaturën e Shtetit, e cila ka në administrimin fondacionin “Demokracia Popullore”, e krijuar nga babai i tij dhe kërkon shfuqizimin e vendimit ku detyrohet të paguajë borxhin. Dhjetë vite më parë gjykata pushoi gjyqin ndaj Rrapush Xhaferrit, për shkak të vdekjes së tij. Ndërsa tre djemtë e tij u dënuan me 28 vjet burg në total, por vetëm Asllan Xhaferri kreu dënimin e tij. Mësohet se dy vëllezërit e tij prej më shumë se 15 vitesh janë në kërkim për të shlyer borxhet dhe dënimin e tyre. Pas dënimit prej 8 vitesh burgim, Asllan Xhaferi duhet të shlyejë detyrimin prej 12 milionë dollarë, për 1,2 milionë persona, të cilët kanë depozituar këtë shumë. Rekursi është rregjistruar në datën 14 shkurt në Gjykatën e Lartë.