Prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh, ai nuk u është ndarë ambasadorëve amerikanë që kanë qenë të akredituar në vendin tonë. Të gjithë e njohin si Fationi i Everestit, por më shumë se kaq ai është shoqëruesi i ambasadorit të vendit më të fuqishëm të botës. Për më shumë se një viti, emri i tij është lakuar gjithandej, pasi së bashku me një grup alpinistësh arriti të ngjisë majën më të lartë të botës dhe disa muaj më parë hapi ekspozitën e tij me foto nga ky udhëtim. Ai nuk është vetëm djali alpinist, por edhe një nga ata që kanë qenë guida i ambasadorëve dhe të huajve në vendin tonë për gati çerek shekulli.
Përtej atij njeriut të pasionuar pas natyrës, ai punon pranë Ambasadës Amerikane, si truproja i ambasadorit Arvizu. E ka të vështirë të flasë shumë për punën dhe tregohet i rezervuar pasi rregullat janë të tilla. Gjithsesi mësojmë se ai është bërë pjesë e këtij stafi që kur Mariza Lino mbante këtë post. Sot ai ka kaluar më shumë se 6 ambasadorë, deri tek më i fundit, Aleksandër Arvizu, i cili nuk ka nguruar të shprehë hapur simpatinë për të, por edhe krenarinë që ndien duke e pasur pjesë të stafit.
Ata e kanë parë atë si guidën e tyre të fundjavave dhe për më tepër ndihen mirë që një punonjës i tyre pushton majat. Këtë fakt, vetë ambasadori aktual nuk e fsheh. Në shumë takime, ai e prezanton Fationin duke u treguar të huajve, por edhe shqiptarëve se kush është ai dhe çfarë ka bërë.
Por, një tjetër lajm vjen nga ai. Në datën 28 së bashku me katër miq të tjerë do të ndërmarrin një tjetër sfidë, do të nisen në majën më të lartë të Amerikës Latine.
Fation, cila është maja fundit që keni ngjitur këto ditë?
Majën më të fundit e ngjita në 11 hanar, pra pak ditë më parë në Kukës, maja e malit të Gjallicës 2489 metra. Organizova një grup alpinistësh prej 14 personash, madje ftova të bëhen pjesë të grupit dhe 3 alpinistë nga Kukësi. Ngjitja ishte e vështirë, pasi në një pjesë të mirë gjatë ngjitjes për rreth 3 orë kishim mjegull të dendur, por falë Gps arrita të gjej shtegun dhe mbi lartësinë 2200 m arritëm t’i lëmë retë poshtë dhe filluam ngjitjen drejt majës dhe 300 m e fundit kishim pamje të mrekullueshme pasi ishim sipër reve… e gjithë ngjitja dhe zbritja zgjati rreth 7 orë e 30 min. Problemi i vetëm gjatë ngjitjes ishte mjegulla e dendur dhe hapja e dëborës.
Kemi mësuar që ju po përgatiteni për një tjetër ngjitje në një nga majat botërore, na tregoni ku dhe sa jeni përgatitur për të?
Është e vërtetë. Po përgatitem të ngjis majën më të lartë të Amerikës Latine në Argjentinë, Aconkaguan, 6962m, jemi një grup prej 5 personash nga Shoqata Bjeshkatare Alpiniste Tirana. Kjo ngjitje realizohet falë dy sponsorëve tanë Vodafone Albania dhe Raiffeisen Bank. E gjithë ngjitja do zgjasë rreth 20 ditë dhe llogaritet që temperaturat në maj të jenë në -30 gradë celsius.
Ju është dashur stërvitje…?
Po, duhet patjetër, jam përgatitur shumë mirë për këtë ngjitje, pasi çdo fundjavë kam ngjitur një mal mbi 2000 metra, për shembull mund të përmend majën e Papingut, Nemerçkë – 2485 m. Maja e Dejës – 2246 m, mali i Çikës – 2045 m, maja e Kores – 2018 m, mali i Gjallicës – 2489 m, maja e Valamarës – 2373 m, maja e Malit të Thatë – 2288m, maja e Jezercës – 2694 m, mali i Ostrovicës – 2340 m, maja e Hekurave – 2561 m etj. Dhe të gjithë këta janë mbi dy mijë metra lartësi.
Është kjo periudhë një ndër më të mirat për ngjitje…?
Për mua personalisht, po. Periudha më e bukur për ngjitje në male është dimri dhe mundësisht të ketë shumë borë, pasi bora më jep një ndjesi të veçantë dhe më pëlqen shumë t’i ngjis malet me borë pasi arrij të realizoj gjatë ngjitjes dhe foto shumë të bukura. Një nga hobet e mia përveç alpinizmit është dhe fotografia.
Kur je “takuar” për herë të parë me natyrën?
Me natyrën u bë rreth 17 vjet që kam një marrëdhënie të shkëlqyer, kam rënë dhe në dashuri me të, pasi nuk mund të rri në qytet më shumë se një javë pa dalë në natyrë, madje dhe duke eksploruar ndonjë vend të ri që mund të më ketë mbetur pa zbuluar. Mezi pres dy ditët e pushimit në fundjavë për të dalë në natyrë, madje shpesh herë ta kaloj natën jashtë duke fjetur në tendë.
Gjatë javës cili është angazhimi juaj?
Kam rreth 16 vjet që punoj pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara si truproja e ambasadorit.
Çfarë mendimi kanë kolegët apo eprorët tuaj për ju, i njohin ata arritjet tuaja?
Po, madje edhe më mbështesin për iniciativat që marr. Sa herë që shkoj në takime me ambasadorin, ai më prezanton gjithandej. Ajo që më bën përshtypje është se të huajt më njohin më shumë se sa shqiptarët. Ambasadori, me një dashamirësi të theksuar u tregon të gjithëve: “E njihni Fationin, është një nga djemtë që ka ngjitur Everestin”- u thotë qoftë personaliteteve shqiptare, qoftë të huajve. Kur u ngjita në majë të Everestit bëra një përshëndetje për ambasadën, mbajta në dorë një pankart ku shkruhej një falënderim për ambasadën amerikanë në Shqipëri dhe bëra një foto. Atë foto ia bëra dhuratë ambasadorit Arvizu dhe ai e mban të varur në murin e tij sot.
E ke problem për shkëputjet nga puna?
Ata janë shumë dashamirës me mua, aq më tepër kur qëllimi është pozitiv, kështu që arrijnë të më kuptojnë dhe të më japin leje, madje shpesh kolegët më zëvendësojnë.
Prej sa kohësh punoni ju në ambasadë?
Prej 16 vitesh, që në kohën kur ishte Mariza Lino dhe prej atëherë nuk jam shkëputur më. Ka qenë një gërshetim shumë i mirë për mua, pasi të huajit që në krye të herës kanë dashur të vizitojnë Shqipërinë dhe natyrën e saj.
Domethënë edhe pse ndërrohen ambasadorët, ju nuk u prek reforma?
Jo jo (qesh). Kanë ardhur e ikur shumë ambasadorë.
Si kanë qenë ata në raport me natyrën?
Të gjithëve u ka pëlqyer natyra, madje unë për ta kam qenë edhe si tip gudie. Në mos për ngjitjet në mal, pa diskutim që kanë bërë ecje. U pëlqen shumë natyra shqiptare.
Cili prej tyre ka qenë më i pasionuar pas ecjes?
Të gjithë, nuk mund të veçoj njërin apo tjetrin. Fundjavat duan t’i kalojnë në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe e vlerësojnë shumë.
Është vetëm një perceptim i imi apo kohët e fundit, janë të shumtë ata që vijnë për guida në natyrë?
Prej vitesh kam shoqëruar grupe të huajsh dhe shqiptarë në eksplorimet në natyrë, dhe kam vënë re se vitet e fundit shumë të rinj e të reja kanë filluar të dalin në natyrë dhe të shijojnë bukuritë që na ofron vendi ynë, madje përveç ecjes në natyrë ka filluar t’u pëlqejë dhe alpinizmi duke bërë ngjitje nëpër malet e larta mbi 2000m në të gjithë vendin.
Ku mund të shkohet në këtë periudhë kohe?
Vendet që unë do t’i sugjeroja miqve të mi janë të shumta, por po përmend disa nga këto vende. Për shembull një ecje e mrekullueshme është eksplorimi i gjithë Gadishullit të Karaburunit, sidomos pjesa perëndimore ku janë disa nga gjiret më të bukur të jugut të vendit siç janë Gjiri i Gramës, Shën Andreut, Dafinës dhe i Ariut, Plazhi i Krorezës. Ngjitja e malit të Tomorrit, Dajtit, Kores në Llogara, Mali me Gropa, maja e Gjallicës, Mali i Thatë etj.
I gjashti ambasador
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, është i gjashti diplomat që Fation Plaku shoqëron. Punën si truprojë pranë kësaj ambasade e ka filluar përpara 16 vitesh. E para ishte ambasadorja Mariza Lino e më pas puna ka vijuar normalisht gjatë gjithë kësaj kohe. Ai nuk është vetëm pjesë e personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane, por edhe krenaria e saj. Po t’i bëjmë një renditje, Plaku ka qenë truproja e: Marisa R. Lino, Joseph Limprecht, James F. Jeffrey, Marcie B. Ries, John L. Withers dhe i fundit Aleksandër Arvizu.
Ekspozita dhe një ego për arritje
Një vit më parë, 100 foto nga Fation Plaku u ekspozuan në një galeri. Foto që tregonin udhëtimin e tij drejt majës së botës, Everest. Për këtë moment dhe arsyen e kësaj ekspozite ai trego: “Ditët e qëndrimit në lartësitë e Himalajave ku dominon kunji i rruzullit tonë u shoqëruan me shumë sakrifica fizike, emocionale, gastronomike, shëndetësore, etj. Ato u shoqëruan me përpjekje që shkonin në skajet fizike dhe emocionale të secilit. Për të treguar pjesën time në këto përpjekje, të cilat besoj se çdo individ e ka të vështirë t’i bëjë përsëdyti, ndërtova një ekspozitë për të përcjellë jo vetëm anën time të historisë, Everest, por njëherësh për të përcjellë atë ego për arritje, atë shtysë për eksplorim që e ka mbartur nga brezi në brez raca njerëzore dhe që e shtyn edhe sot shoqërinë e kësaj toke ta tregojë në çdo fushë të jetës, elementë këto që e kanë bërë jetesën dhe mirëqenien të ecin përpara.
Sportet
Fation Plaku, një dashamirës i sporteve ekstreme. Që prej disa vitesh është një eksplorues i natyrës shqiptare. Konkretisht merret me sportin e alpinizmit, hedhjet me parashutë nga avioni. Një ndër talentet e tij është edhe fotografia. Ai pasqyroi me shumë mjeshtëri çdo hap gjatë ekspeditës së Everestit. Dëshira e tij është të provojë edhe sportin e quajtur ”banxhi xhambi” , pra të hidhet nga një lartësi prej 160m.

Arvizu e ka stilizuar kete flamur apo eshte i dhuruar nga Saliu.A do ta lejonte zoteria po ti deformonim Ne flaurin kombetar zyrtar,?Me behet qejfi qe paska te njejten kariere si te Saliut ky majen e Everestit e Sala rekordet e njepsnjeshme te notit,ndryshimi eshte se ky nuk qenkerka ngjitur me shume se shoqerues ndersa Sala i kapi te gjitha ,qe nga majat e krimit e deri tek majat e nje shteti!Gjithesesi urime.