Krimi në familje godet sërish vendin. Një 18-vjeçar ka vrarë babain e tij me sende të forta. Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e sotme në lagjen “Grumbullimi”, në fshatin Tapizë të Krujës.
Burime nga policia bëjnë të ditur se autori i ngjarjes është 18-vjeçari Ardit Krashi, ndërsa viktima është shtetasi Dali Krashi 64 vjeç.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët kanë bërë dhe arrestimin e autorit të vrasjes, Ardit Krashi 19 vjeç, djali i viktimës. Sipas hetimeve paraprake, mësohet se atë e bir janë grindur, pasi 64-vjeçari kishte mbërritur në shtëpi në gjendje të dehur duke dhunuar të gjithë pjesëtarët e familjes.
Në komisariatin e policisë së qytetit, i riu ka rrëfyer të gjithë ngjarjen. Ai tha se nuk kishte patur si qëllim të vriste të atin, por kishte tentuar ta ndalonte, pasi ai po dhunonte nënën dhe motrat. Ardit Krashi deklaroi se i ati ishte i papunë dhe vinte gjithnjë i dehur në shtëpi, duke ushtruar dhunë sistematike ndaj të gjithë familjes.
“Babai erdhi i dehur në shtëpi, duke na rrahur. Nuk kisha qëllim ta vrisja, por të parandaloja. Babai filloi të rrihte mamanë dhe motrat. Ndërhyra për ta ndaluar dhe e godita në kokë. E nxora jashtë dhe më pas e lidha këmbë e duar. Se dija se kishte vdekur, doja të mos na rrihte sërish.”- mësohet të ketë rrëfyer i riu në polici.
Policia e Krujës bëri të ditur se pak përpara se të ndodhte ngjarja kishte marrë një telefonatë që sinjalizonte dhunë në një familje në Tapizë. Por kur efektivët e policisë kanë mbërritur në banesën e familjes Krashi e kanë gjetur 64-vjeçarin të vdekur dhe të lidhur këmbë e duar.
