Në mëngjes, rreth orës 06:00, u raportua se një makinë fuoristradë kishte rënë poshtë urës së Vranishtit në Vlorë dhe kishte marrë flakë, teksa dyshohej për aksident. Policia lokale shkoi në vendngjarje dhe gjeti gjurmë të hashashit. Verifikimet e para zbuluan se kjo ngjarje kishte lidhje me ndjekjen operacionale të policisë së Gjirokastrës mesnatën e së premtes, deri në orët e para të mëngjesit të një makine që kishte dalë nga Lazarati me drogë dhe më pas humbi gjurmët në dalje të Tepelenës, duke ndjekur rrugë dytësore. Më tej, policia e Fierit raportoi se një kufomë ishte dërguar në fshatin Varibop të këtij rrethi nga dy persona të panjohur dhe familjarët po përgatiteshin ta varrosnin. Menjëherë ndërhyri Policia Shkencore dhe prokuroria. Trupi u dërgua në morg dhe u zbulua se vdekja kishte ardhur nga plagë trauma të pësuara nga një aksident. Viktima ishte Robert Koçia, 27 vjeç, banues në fshatin Varibop. Gjurmët e tij janë gjetur edhe në makinën e djegur. Më tej u mësua se një i plagosur tjetër, me të njëjtin mbiemër, ishte dërguar në spitalin e Fierit, po me trauma të rënda. Agjentët identifikuan të plagosurin në të njëjtin aksident si Amarildo Koçia, 19 vjeç, banues në të njëjtin fshat dhe kushëri i parë me të vdekurin. U gjetën edhe gjurmët e personit të tretë në makinë dhe policia e ka shpallur në kërkim. Ai është edhe njeriu që nga Vranishti i Vlorës ka dërguar kufomën e pajetë të Robert Koçias në banesën e familjes dhe më pas është zhdukur. Pasi u lidhën detajet e tre ngjarjeve me njëra-tjetrën, u ngrit grup hetimor i përbashkët, pasi u konfirmua se bëhej fjalë për episode të së njëjtës skenë krimi.
Burime zyrtare të policisë thanë për gazetën DITA, se trafikantët nuk i janë përgjigjur thirrjes së postbllokut në Kordhocë të Gjirokastrës, pasi u kapën duke dalë nga Lazarati. Në shpejtësi e sipër mundën të ndiqnin rrugë dytësore fshati duke dalë në zonën e Vlorës, me qëllim që të arrinin në destinacionin e tyre, Fier e të mos binin në sy të policisë. Por shpejtësia e madhe ka bërë që të batoheshin në urën e Vranishtit dhe nga përplasja të vdiste Robert Koçia, kurse kushëriri i tij dhe i treti mbijetuan. Për të humbur gjurmët e trafikut dhe ngjarjes, i kanë vënë zjarrin fuoristradës, por një pjesë e vogël hashashi ka shpëtuar. Policia tha se ende nuk është përcaktuar sasia e narkotikut që kanë pasur në makinë, pasi shkalla e djegies është e lartë, por u gjetën gjurmë të konsiderueshme hiri të drogës së djegur. Familjarët e viktimës kanë dëshmuar se nuk e dinin se ku kishte shkuar 27-vjeçari dhe policia u ka kthyer trupin dje për ceremoninë mortore. Kurse Amarildo Koçia mbahet nën arrest në gjendje spitalore.
