Djemtë e Kloses zgjidhin problemet e Gjermanisë?

Dita

Skualifikimi i Gjermanisë nga Kampionati Evropian 2016 zbuloi më dukshëm se kurrë pikën më të dobët të kampionëve të botës: u mungojnë sulmuesit pykë. Me dëmtimin e Mario Gomezit, Gjermania luajti ndaj Francës me Thomas Müllerin si pikë referimi e ofensivës dhe jo vetëm që bavarezi nuk e gjeti golin (asnjë gjatë gjithë turneut!) dhe gjermanët humbën, por në përgjithësi sulmi nuk prodhoi një rast flagrant në portën e “gjelave”.

 Gjermania duhet të gjejë një zgjidhje, por mbase ka gati dy! Ata janë binjakët e legjendës Miroslav Klose, i cili gjenet e tij prej “ujku” me siguri që i ka transmetuar te 11-vjeçarët Luani (emër shqiptar për nder të boksierit të famshëm Luan Krasniqi) dhe Noah, shkruan e përditshmja gjermane “Bild”.

Klose nga viti 2001 deri në vitin 2014 ka luajtur në 137 ndeshje me kombëtaren gjermane dhe ka shënuar 71 gola, 16 prej të cilëve në Kampionatet Botërore. Binjakët e Kloses kanë edhe një avantazh: e njohin trofeun e Kupës së Botës.

Të dy djemtë e Kloses luajnë futboll. Në shkollën e tyre (gjermane) në Romë thonë: “Noah është një lojtar super. Ai gjithnjë bën 5 gola për ndeshje.” Madje, ka edhe nga ata të cilët vënë baste “kundër” 38-vjeçarit: “Luani është edhe më i mirë se Miro.” Në Kampionatin Botëror 2022, binjakët do të jenë nga 17 vjeç, mosha më e mirë të nisur ëndrrën për karrierë, vazhdon “Bild”.

Avantazh i madh i tyre është fakti se trajneri Joachim Löw i njeh. Në Brazil, Luani dhe Noah i bënë vizita disa herë babait të tyre gjatë Kupës së Botës. Madje, shpesh ata bënin ndonjë gol gjatë stërvitjeve të “pancerave”. Dhe kjo është fiks ajo që Gjermania ka nevojë, përfundon gazeta gjermane.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *