Djersitja e shtuar gjatë natës, ja çfarë e shkakton

Ornela

Mjekja Ilda Xhelili thekson se ndër gjendjet më të shpeshta që ndikojnë në shtimin e djersitjes gjatë natës janë infeksionet e pranishme dhe sëmundje të caktuara, përdorimi i medikamenteve të ndryshme, menopauza, përdorimi i alkoolit, duhanit dhe kafesë në doza të mëdha, si dhe ushqimet pikante dhe me yndyrë

Pranvera Kola – DITA

Jo pak njerëz ankohen për djersitje të shtuar të trupit, e kjo veçanërisht gjatë natës. Natyrisht që kjo është më e shprehur gjatë periudhës së verës dhe jo vetëm natën, por edhe ditën, si një mekanizëm kompesator i organizmit tonë.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, tregon se temperatura fiziologjike e trupit tonë luhatet midis vlerave 36 dhe 37 gradë celsius. Në periudhën e verës kur temperaturat e ajrit shkojnë në 35-40 gradë celsius, trupi i njeriut nëpërmjet mekanizmave rregullues, prodhon djersën në mënyrë që organizmi të ftohet dhe të ruajë temperaturat e tij optimale që përmendëm më lart, temperatura në të cilat funksionon normalisht.

Megjithatë, përveç temperaturave të larta të mjedisit, në të cilat djersitja e shtuar konsiderohet normale, ka shumë arsye të djersitjeve të shtuara gjatë natës.

Vendosja e diagnozës dhe faktorët që ndikojnë

Për të gjetur shkakun, në radhë të parë duhet marrë një anamnezë e hollësishme nga pacienti, si edhe duhen kryer një sërë ekzaminimesh mjekësore, laboratorike dhe imazherike. Janë disa nga kushtet që mund të shkaktojnë djersitje gjatë natës.

Ndër gjendjet më të shpeshta që ndikojnë në shtimin e djersitjes gjatë natës janë sëmundje të ndryshme që mund të ketë personi, përdorimi i medikamenteve të ndryshme, menopauza, si dhe përdorimi i alkoolit, duhanit dhe kafesë në doza të mëdha. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara shkaqet më të shpeshta që çojnë në shtimin e djersitjes gjatë orëve të natës.

Ndikimi i menopauzës

Këtu mund të përmendim për shembull menopauzën tek gratë. Kjo gjendje është një shkak shumë i zakonshëm i djersitjeve të natës tek gratë. Ajo shfaqët kryesisht pas përjetimit të “afsheve të nxehta”. Mendohet se shkak janë çrregullimet hormonale që shoqërojnë gratë gjatë kësaj periudhe të jetës së tyre.

Shtimi i djersës pa një shkak të njohur

Por, mjaft e njohur është dhe situata e quajtur “hiperhidrozë idiopatike”, e cila është një gjendje në të cilën trupi prodhon në mënyrë kronike shumë djersë pa asnjë shkak mjekësor të identifikueshëm. Natyrisht që për të arritur në një përfundim të tillë, është e domosdoshme të ekzaminohet me hollësi pacienti për të përjashtuar arsyet patologjike.

Ndikimi i infeksioneve

Arsye mjaft të shpeshta për djersitje të shtuar gjatë natës janë gjithashtu infeksione të ndryshme dhe në mënyrë të veçantë tuberkulozi.

Tuberkulozi është infeksioni më i shpeshtë që lidhet me djersitjet e natës, por jo vetëm, pasi edhe infeksionet bakteriale, të tilla si: endokarditi ( inflamacioni I valvulave të zemrës), osteomieliti ( inflamacioni i kockave) dhe abceset (masa inflamatore në organe të ndryshme) mund të shkaktojnë fare mirë djersitje gjatë natës.

Sëmundjet malinje dhe HIV

Djersitja gjatë natës është gjithashtu një simptomë e pacientëve të prekur me HIV. Arsye tjetër përmendim sëmundjet malinje, madje djersitjet e natës mund të jenë simptomat e hershme të disa sëmundjeve malinje, si për shembull limfomat.

Megjithatë, në këto raste djersitja gjatë natës nuk mbetet simptomë e vetme, por shpesh shoqërohet me rënie të theksuar në peshë në një periudhë të shkurtër kohore dhe gjendje ethore (me të dridhura).

Përdorimi i medikamenteve të ndryshme

Një shkak mjaft të shpeshtë që e ndeshim në praktikën e përditshme mjekësore është edhe marrja e medikamenteve të ndryshme, përmendim veçanërisht preparatet antidepresivë. Rreth 22 për qind e pacientëve të cilët marrin medikamente antidepresive ankohen për djersë të shtuara gjatë natës. Po ashtu, edhe medikamente të tjera të fushës psikiatrike mund të shoqërohen me djersë të shtuara gjatë natës.

Krahas këtyre, edhe medikamente të tjera mund ta shkaktojnë këtë problem, siç janë barnat që përdoren për trajtimin e dhimbjeve reumatizmale dhe ato për uljen e temperaturave. Prandaj duhet respektuar me shumë kujdes këshillimi mjekut për përdorimin dhe dozimin e duhur.

Pavarësisht shqetësimit që keni, asnjëherë nuk duhet të mendoni si zgjidhje të lehtësimit të simptomave marrjen pa rekomandim të medikamenteve nëpër farmaci, nëse nuk jeni konsultuar më parë me mjekun specialist dhe të keni kryer ekzaminimet përkatëse q ai ju kërkon.

Rënia e nivelit të sheqerit në gjak

Një tjetër gjendje që ndikon në shtimin e djersitjes, është edhe hypoglicemia, që ka të bëjë me rënien e nivelit të sheqerit në gjak. Njerëzit që vuajnë nga diabeti dhe përdorin preparate për uljen e sheqerit në gjak mund të pësojnë ulje të glicemisë në gjumë, gjë e cila shoqërohet me djersë të shtuara gjatë natës. Krahas djersitjes, shenjat e tjera klinike të hypoglicemisë mund të jenë nga më të butat, e deri më të rënda.

Zakonisht sëmundja paraprihet nga gjendje ankthi, nervozizmi, takikardia (rrahje të shpeshta të zemrës), ndjesia e ngrohjes së trupit dhe pastaj e ftohjes, zbehje, zgjerimi i bebes së syve, parehati e barkut, të përziera e të vjella. Ndërsa ulja e sheqerit në gjak përparon, shenjat e mësipërme thellohen, por kemi edhe gjendje depresioni (qajnë pa shkak ), çrregullime gjykimi, mpirje, ose shpime si gjemba i gjymtyrëve, paqëndrueshmëri emocionale, dobësi e përgjithshme, apati, marrje mendsh, pastaj fillojnë çrregullimet e pamjes.

Këto pasqyrojnë çrregullimet e furnizimit më glukozë të trurit që mund të shkojë deri në paraliza, çrregullime të aktit të frymëmarrjes, gjendje kome, çrregullime të kujtesës. Trajtimi i këtyre rasteve duhet të jetë i menjëhershëm, dhe zakonisht synon ngritjen e sheqerit në gjak në vlerat normale përmes gëlltitjes së karbohidrateve që mund të jenë në formën e sheqerit, ose të lëngjeve të frutave (për shembull rreth 150 ml lëng rrushi ose portokalli ).

Situata fillon të përmirësohet brenda pesë minutave, por përmirësimi i plotë arrihet pas 20 minutash. Pastaj duhet kryer një kontroll i plotë i organizmit për të përcaktuar shkakun e vërtetë të hypoglicemisë (sidomos në personat që shfaqet për herë të parë). Konsultat me mjekun endokrinolog do të përcaktojnë trajtimin që duhet të ndiqet, mënyrën e ushqyerjes, si edhe aktivitetin fizik të domosdoshëm.

Nivelet e rritura të hormonit të tiroides

Mjaft e shpeshtë kjo problematikë e djersitjes së shtuar është edhe tek personat që vuajnë nga hipertireoza, që ka të bëjë me nivelin e rritur të hormoneve të tiroides në gjak. Sikundër e theksuam më lart, vendimtare në lehtësimin e simptomave të këtyre rasteve është konsultimi me mjekun specialist në lidhje me preparatet dhe kujdesin që duhet të ndiqni, për të lehtësuar simptomat e sëmundjes. Në hipertireozë metabolizmi është i rritur.

Simptoma të tjera të shpeshta të kësaj patologjie janë: ulje në peshë pavarësisht oreksit normal ose të shtuar, nervozizëm, ankth, lodhje, dobësi fizike, dridhje duarsh dhe djersitje, mbindjeshmëri ndaj ngrohjes, diarre.

Shkaktarët e kësaj gjendjeje janë të shumta, duke përfshirë edhe infeksionet virale. Megjithatë, shkaku më i zakonshëm është autoimun ( çrregullime të brendshme të organizmit ende të panjohura ) që çojnë në prishjen e bilanceve normale të hormoneve të tiroides. Në këtë rast antitrupat e trupit tonë sulmojnë organet e trupit tonë.

Hipertireoza shfaqet zakonisht në moshat e reja, por rrallë preken edhe fëmijët e të moshuarit. Femrat preken gjashtë herë më shumë se meshkujt. Më e shpeshtë është gjithashtu te duhanpirësit dhe ata që kanë në rrethin e tyre familjar me këtë sëmundje.

Rreth 50 për qind e këtyre pacientëve i kanë sytë e kërcyer përpara (ekzoftalmus). Kjo është një shfaqje e autoimunitetit dhe është më e shprehur te duhanpirësit.

Sëmundjet neurologjike

Gjithashtu është konstatuar se edhe sëmundje të ndryshme neurologjike mund të jenë përgjegjëse në shtimin e djersitjes gjatë natës. Sa më herët të vendoset diagnoza e sëmundjes në këto raste, aq më lehët mund të mbahet nën kontroll edhe problemi i djersitjes së tepërt gjatë natës.

Ndikimi i ushqimeve

Një tjetër shkak që mund të çojë në djersitje të shtuar gjatë natës ka të bëjë edhe me përdorimin e tepruar të alkoolit, kafesë dhe duhanit, si dhe ushqimeve të caktuara, kryesisht atyre pikanteve. Rekomandohet që përdorimi i ushqimeve që janë shumë pikante, me yndyrë dhe erëza të përdoret sa më pak që të jetë e mundur.

Çfarë duhet të bëni për ta parandaluar

Në parandalimin e kësaj gjendjeje është mjaft i rëndësishëm ekzaminimi i hollësishëm i pacientit për të bërë në kohën e duhur diagnozën diferenciale.

Sa më herët të gjendet shkaku, aq më herët fillon mjekimi i duhur. Prandaj mos nguroni asnjëherë të drejtoheni të mjeku i familjes për të paraqitur shqetësimet tuaja. Për të shmangur këtë gjendje duhet fillimisht të përcaktohet shkaku i saktë, më pas të behët trajtimi i sëmundjeve që ndikojnë në shtimin e djersitjes. Gjithashtu mund të ndërmerren edhe veprime të tjera të caktuara që ndihmojnë në pakësimin e djersitjes dhe ndikimeve të saj në shëndet.

Kështu, janë të rekomandueshme këshilla të tilla që kanë të bëjnë me higjienën, si: përdorimi I sapunëve apo dhe solucioneve të tjera larëse që nuk dëmtojnë pehashin e lëkurës, të lahen sa më shpesh që të jetë e mundur duart, të bëhet kujdes nga substancat dhe përbërjet irrituese dhe për plagët e lëkurës sado të vogla qofshin.

Gjithashtu këshillohet që të shmanget përdorimi i tepruar i alkoolit, kafesë dhe duhanit, pasi mendohet se edhe këto mund të jenë përgjegjëse për nivelin e shtuar të djersitjes, veçanërisht gjatë natës.

Share This Article
5 Comments
  • Jam i moshes 53 vjeqare dhe naten djersitem nga gjoksi e larte. Nuk perdori barna, nuk pi duhan, jam kontrolluar te mjek dhe analizat me dalin mire.

    Ju faleminderit

    • Prsh deshtate pys bashkeshorti im eshte38 wjecar dhe perafersisht 1 wit naten dmth negjum njersitet shume qa shume sa me duhet ti ja dha rrobat eterurasi dheti ndrroi te gjitha gjerstetjera mos te harroi te shprehi qe atonjers ikate ftofta te mjeku nuk deshiron te shkoi .deshta te ju pys se perse po indodh enjojta sen qdo nate ?flm er mirekuptim

  • TITI
    përshëndetje, jam në moshën 62 vjeç gjatë natës djersis shumë. Nuk përdor ilaçe as Alkol..Por kjo gjë më shqetëson prej kohësh Nuk e di çfarë analizash duhet të bëj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *