Novak Djokovic konfirmohet njeriu i momentit në sportin e tenisit. Serbi regjistroi suksesin e pestë të karrierës në Australian Open pasi mposhti në katër sete britanikun Andy Murray. Parashikohej një finale e vështirë për numrin 1 të botës dhe e tillë rezultoi deri në mesin e setit të tretë ku forma optimale, por mbi të gjitha dominimi psikologjik i Noles bëri diferencën në “Rod Laver Arena”, duke e lënë sërish thatë britanikun, i cili humbet finalen e katërt të karrierës n Melbourne.
Në setin e parë dy finalistët iu kundërpërgjigjen njëri-tjetrit me goditje të sakta për ta çuar rezultatin në 6-6, por “tie-break” ndau llogaritë me Djokovic që festoi në fund të setit që zgjati rreth një orë pasi triumfoi 7-5. I njëjti skenar u përsërit në setin e dytë ku të dy tenistet humbën shumë lojë me topat e tyre, por sërish rezultati u fiksua në shifrat 6-6 dhe Murray arriti të përfitonte nga momenti “jo” i kundërshtarit për ta mbyllur 7-4. Me kalimin e minutave Murray filloi të tregonte limitet e tij edhe pse e nisi setin e tretë me një 2-0 të pastër. Nole u kundërpërgjigj me klas duke ruajtur qetësinë. Ky ishte edhe momenti që vendosi fatin e sfidës që mori një rrjedhë të pakthyeshme.
Djokovic u imponua me forcë duke fituar 6 lojë ndaj vetëm 3 të kundërshtarit. Kështjella e Murray u rrëzua brenda pak çastesh dhe në setin e katërt numri 1 i botës nuk e kishte aspak të vështirë për të firmosur triumfin e tij. 6-0 dhe me pas festë për ballkanasin që vendosi qershinë e 11 në tortën e madhe të arritjeve të tij dhe të pestën në Australi për të paralajmëruar një tjetër vit nën shenjën e tij. Nga ana tjetër, Murray, përveç finales së katërt në Melbourne, rezultoi humbësi më i madh i luftës së nervave, sepse tashmë ky Grand Slam po kthehet në një obsesion. Takimi i radhës ku të mëdhenjtë e raketës do të testojnë muskujt është Roland Garros.
