Do të doja të lindja shurdh
Të mos dëgjoja,
Mashtrimin shekullor të shtetit
Dhe klithmën e të mjerëve
Në vargjet e poetit…
Do të doja të lindja i verbër,
Të mos shikoja,
Rrudhat e thella të trishtimit
Dhe kodoshët zuzarë
Në kulmin e dëfrimit….
Do të doja të lindja memec,
Që të mos flisja,
Nga fjalët e mia të hidhura
Prej prangave të zgjidhura….
02/01/2004
More njerëz, more skllevër!…
Kam dhjetë vjet, ju kam treguar,
Gjithë zullumet e shtetit,
Ju më thoni zemëruar,
Lëri përrallat e poetit!
Kam dhjetë vjet, jam torturuar,
Sytë t’jua hapja sadopak
Ju me shpirt keni mallkuar,
Mos na nxirr nga ky batak!…
Kam dhjetë vjet, e ju kam dashur,
Dhe pse ju s’më deshët kurrë,
Dhe tani që u është trashur
Shuall e shkreta lëkurë!…
Në zenith të ulërimës,
Nuk u thosha një gënjeshtër,
Se pas shiut, suferinës
Do të binit në një breshër!
Kam dhjetë vjet duke bërtitur
Kreshpëruar posi zjarri,
Ju nga llumi s’jeni ngritur,
Më të bindur se gomari!
Ju kanë shkelur, ju kanë tallur,
Porsi mizat, more njerëz,
Ju të vdekur, të pakallur,
Zgjodhët që vdisnit skllevër.
Kot gjëmoj me zë të dredhur,
Shkuan këngët e mia,
Për fatin që keni zgjedhur,
S’ka ç’ju bën as Perëndia!…
14 02 2004
Për kë i shkrova këngët
Ah, veshët na gjëmojnë,
Nga palla e gomerëve,
Sa s’mund as të dëgjojmë
Vajtimin e të mjerëve.
Një psherëtimë e thellë
Më drithëron nga rrënjët
“I mjeri unë, i mjeri
Për kë i shkrova këngët!”…
Për kë, për kë i shkrova,
Gjëmon si ankth te gjiri,
Ah, derrat zbukurova
Me lule xhevahiri!
26 04 2005
