Do të nisë së shpejti procesi gjyqësor ndaj ish-diktatorit të Guatemalës, Efrain Rios Monti, mbi të cilin rëndojnë akuzat për masakrat mes viteve 1982-1983, në të cilat humbën jetën më shumë se 60 mijë veta. Një ndër synimet e ushtrisë së drejtuar nga ish-diktatori, ishte shfarosja e popullsisë indigjene
Ish-diktatori i Guatemalës, Efrain Rios Mont, do të gjykohet për genocid dhe për përgjegjësinë e tij të drejtpërdrejtë në vrasjen e 1700 indigjenëve maja, në provincën veriperëndimore Kuike midis viteve 1982-1983. Monti, i cili erdhi në pushtet me një grusht shteti, u rrëzua më pas në të njëjtën mënyrë nga ministri i tij i Mbrojtjes. Ai cilësohet si një nga diktatorët më mizorë pasi në vitin e vetëm të qeverisjes së tij u shënuan më shumë se 60 mijë viktima dhe për pjesën më të madhe të masakrave përgjegjëse ishte ushtria.
Disa dekada mbas akteve ekstreme të barbarisë, gjykatësi Migel Angel Galvez ka vendosur se “ekzistojnë prova bazike për t’ia lënë në dorë publikut gjykimin për krimet që rëndojnë mbi ish-diktatorin. Bashkë me të do të gjykohet edhe ish-kreu i shërbimeve të inteligjencës, Hoze Mauricio Rodigez. Për një kohë të gjatë Rios Monti i shpëtoi procesit gjyqësor falë postit të tij në parlament, të cilin e mbajti deri në janar të vitit të kaluar. Ndërsa tani erdhi koha që prej vitesh e kanë pritur të afërmit e viktimave, të cilët shpresojnë në vënien në vend të drejtësisë, megjithëse me vonesë.
Sezoni i masakrave
Që nga viti 1978 deri më 1986-n, vendi u bë arenë e mizorive të shkaktuara nga qeveri të drejtuara nga ushtarakë pa skrupuj. Këta u angazhuan veçanërisht në zhdukjen e banorëve indigjenë, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së përgjithshme të vendit. Janë regjistruar 667 masakra, në të cilat 250 mijë persona të vdekur dhe më shumë se 45 mijë të tjerë të zhdukur. Këto janë shifra të mëdha duke marrë parasysh se në Guatemalë jetojnë rreth 15 milionë njerëz. Shumë kujtojnë se ato vite ishin kohë tmerri ku shfaroseshin civilë të paarmatosur dhe komunitete të tëra. Më shumë se gjysmë milionë guatemalas shpëtuan në sajë të arratisjes për në Meksikë dhe shtete të tjera fqinje. Tragjedia masive e luftës civile përfundoi në vitin 1996 dhe për më shumë se 30 vjet e përgjaku vendin duke shkaktuar mbi 200 mijë viktima, pjesa më e madhe e të cilëve ishin civilë.
Stili i regjimit
Guatemala njihet si republika e bananeve, sepse për dekada ka qenë një ndër furnizueset famëkeqe të korporatës “United Fruit” të Amerikës Qendrore, skllave e diktaturave ushtarake, të mbështetura nga Uashingtoni në emër të një ‘pseudolufte’ kundër komunistëve. Situata në këtë vend tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve shumë vonë. Ishte 31 janari i vitit 1980 kur policia vendase mësyu në ambasadën spanjolle, duke hedhur bomba me fosfor të bardhë brenda saj. Në ambasadë ishin strehuar për mbrojtje 37 civilë dhe gjatë sulmit aty vdiqën konsulli spanjoll, zëvendëspresidenti i Guatemalës, Eduardo Kaceres, ish-këshilltari Adolfo Morina dhe at Rigoberto Mençu që mori çmimin Nobel për paqen.
Mbijetuan vetëm ambasadori spanjoll dhe një indase, e cila më pas u rrëmbye dhe u torturua deri në vdekje. Trupi i saj u la në sheshin para universitetit me një mbishkrim mbi gjoks: “Komunistit Kajal do t’i ndodhë e njëjta gjë”. Maksimo Kajal ishte ambasadori spanjoll. Ajo që akoma sot bën përshtypje, është indiferenca e pashpjegueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj horrorit që përjetuan qindra mijëra njerëz të pafajshëm.
Përgatiti: Dorina Gjuzi