Është një pamje tejet dramatike kjo e sotmja e qyteteve tona. Ja p.sh., të shkosh në Sarandë, bukuroshen e dikurshme të buzëdetit. Atje nuk gjen një copë vend, bokërrimë, shkëmb, ku të mos ketë hedhur shtat një pallat i lartë, të cilin edhe mbas shumë vitesh do ta shikosh pa banorë apo pushues brenda…
Po pse të shkojmë aq larg? Ja, shihni Tiranën, kryeqytetin tonë. Këto 15-20 vitet e fundit, sidomos, po zaptohet çdo mjedis që dikur kishte qenë lulishte, park argëtues për fëmijët apo për t’u çlodhur të moshuarit. Kjo ka ndodhur si në qendër edhe në afrinat e saj.
Sot këtu nuk ka arritur të tjetërsohet apo zëvendësohet me beton vetëm ndonjë mjedis apo shtëpi përdhese, ku nuk ka dëshiruar pronari ta kthejë në pallat shumëkatësh.
Po a ka ndonjë projekt të qëndrueshëm dhe afatgjatë urbanistik për ndërtimet e një qyteti, për rrugët, hapësirat e lira dhe ato argëtuese, banesat e tij? Do të na dënojë koha dhe historia për këtë anomali të pariparueshme më pas. Dhe politikanët e pushtetarët qendrorë e vendorë do të kujtohen një ditë për sa më lart duke larë duart si Pons Pilati… Ata ndërkaq do të propozojnë të miratojnë gjyrykthi një moratorium për t’u thënë “ndal” ndërtimeve të mëtejme. Dhe vetëm kaq, një vendim i letërt do të merret, sigurisht, se vend për ngritje pallatesh, do kujtohemi, nuk do të ketë më kurrkund…!
“Por gjithnjë, kur është e nevojshme, duhet të ecim në një drejtim si qetë në parmendë”, ka thënë një politikan i huaj, se, “po të tërheqim në drejtime të kundërta, paralizojmë fuqinë e njëri-tjetrit dhe toka mbetet pa punuar”!
