E dashur DITA. Gjatë epopesë së rrethimit imperialisto-revizionist, izolimi ishte të paktën i plotë; në kuptimin që njerëzit lejoheshin të gjëllinin e të vdisnin të bekuar nga padija. Fshatarët e Kthellës e të Dragotit të dhënat për mirëqenien në Perëndim i merrnin nga kryetarët e vatrave të kulturës, jo nga saçi i satelitit as nga kushërinjtë në mërgim; prandaj edhe vobektësia ishte e hidhur dhe e rëndë, por e përballueshme.
Përkundrazi, e reja e post-totalitarizmit ishte se bota krejt u derdh në prehër të shqiptarit: me mallin e shumtë në dyqane, plaçkën e sjellë zvarrë prej të ikurve, reklamat e bujshme në TV, trarët e binave të komshinjve fatlumë, pronat e papritura të dajallarëve.
Por gjithçka do kishte marrë fund sot, nëse do zbatoheshin rregulla dhe vizione të qarta politike. Ku do ishim nëse do kishim një klasë politike të aftë dhe jo një karagjoz të dhunshëm si Berisha apo një pijanec tolerant si Nano? Nuk e di.
Por di të them se tashmë kulti i egër i parasë e ka shndërruar mjerimin moral dhe financiar të shqiptarëve në një kafshatë vërtet “që s’kapërdihet”, sidomos në mungesë të çdo kompensimi shpirtëror; pa folur për shpërnguljet e dyndjet brenda vendit, papunësinë, talljen me pronat, shthurjen e familjeve, e më në fund, kolapsin e çdo lloj përpjekjeje për përmirësim, ripërtëritje, rimëkëmbje, ringjallje. A do ta lëmë veten të na shterojnë edhe të fundit kronj të dinjitetit e të shpresës? Nëse vazhdojmë rendim vetëm pas parasë, fundi i secilit prej nesh do jetë i afërt. Dhe nuk flas thjesht për vite jete. Po flas për skamjen e thellë, maskarallëkun e kulluar, shëmtimin shpirtëror, anomalinë sociale. Vetëm nëse do arrijmë që secili me veten e tij, të analizojë dhe kuptojë që paraja nuk është gjithçka në këtë botë, atëherë kemi ende shpresë.
Email nga adresa
